Vuçiq: Komiteti për Paqe e ka ndarë edhe më shumë Evropën

Aleksadnar Vučić
Burim: Kosovo Online

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, theksoi sot se Komiteti për Paqe, i cili u iniciua sot në Davos, para së gjithash e ka ndarë edhe më tej Evropën dhe se e ardhmja nuk do të jetë e lehtë.

“Ky Komitet për Paqe, para së gjithash, e ka ndarë edhe më shumë Evropën. Vendet e BE-së ose nuk marrin pjesë, ose ende nuk janë deklaruar për këtë çështje. E ardhmja nuk do të jetë e thjeshtë”, theksoi Vuçiq në një deklaratë për gazetarët në Davos.


I pyetur se çfarë do të thotë ky Komitet për botën, ai tha se ende nuk është plotësisht i sigurt.

“Disa thonë se është një organizatë paralele me Kombet e Bashkuara. Nuk jam i sigurt dhe nuk mendoj se kjo është e mundur në mënyrë të njëkuptimtë. Kina vetëm ka konstatuar se ka marrë ftesë, Franca, Gjermania dhe Italia, askush nuk merr pjesë. Do të shohim edhe cilat janë detyrat e Komitetit”, theksoi Vuçiq.

Ai tha se pyetja kryesore është se kush do të dërgojë trupa.

“Nuk është problem të merrni pjesë për të rindërtuar diçka, për të dhënë para për rindërtim, por është tjetër gjë dërgimi i trupave. Do të shohim se si do të zhvillohet dhe në çfarë drejtimi. Gjërat do të jenë më të qarta në javët në vijim”, theksoi Vuçiq.

Ai bëri të ditur se në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror ka pasur një takim të rëndësishëm me kryeministrin hungarez Viktor Orbán, me të cilin ka biseduar kryesisht për NIS-in.

“Besoj se deri në fund të janarit do të kemi një takim të ri, ku do t’i analizojmë gjërat më thellësisht dhe më në detaje. Pres që marrëveshjen përfundimtare rusët dhe hungarezët ta nënshkruajnë deri në mesin e marsit dhe që ne të marrim licencën operative”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se me Orbánin ka biseduar edhe për të gjitha ngjarjet në Davos dhe për gjithçka që kanë dëgjuar atje.

“Është për t’u pritur që BE-ja sonte të tregojë unitet të fortë për ruajtjen e Groenlandës. Ky është një intermezzo i vogël. Kam biseduar edhe me njerëz të tjerë dhe mendoj se vazhdimi i krijimit të përçarjeve vetëm sa pritet. Fakti që sot jemi të lumtur sepse ende nuk ka sanksione – ngadalë me këtë lumturi. Do të ketë edhe shumë probleme dhe ne duhet të jemi të përgatitur për gjithçka dhe të marrim vendime në përputhje me interesat tona kombëtare”, porositi ai.

Vuçiq theksoi gjithashtu se ka biseduar edhe me presidentin e Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, për pasojat e deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump dhe për gjithçka që po ndodh në botë.

“Është mirë të dëgjosh se si një vend kaq i madh me 40 milionë banorë, të cilit ende shumë ia mohojnë pavarësinë, arrin të ruajë sovranitetin e vet”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se kryetares së Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto, ia ka përcjellë ftesën e kryeministrit të Serbisë, Gjuro Macut, për të vizituar Beogradin dhe se me të ka biseduar për projekte të përbashkëta dhe lidhjen infrastrukturore mes dy vendeve.

Gjithashtu bëri të ditur se kryeministri Macut e ka informuar se të dielën do të mbahet një seancë e zgjeruar e Qeverisë së Serbisë, në të cilën do të diskutohet për të gjitha çështjet kyçe dhe për të ardhmen që planifikohet.