Xhihiq: Trump nuk ka ndërmend të kthehet në kornizën e vjetër të Kombeve të Bashkuara

Vedran Džihić
Burim: Kosovo Online

Edhe pse ka shumë të panjohura lidhur me Bordin për Paqe të Donald Trumpit, duke qenë se ende nuk dihet as se si do të funksionojë e as se çfarë do të bëjë saktësisht, e vetmja gjë e sigurt është se nuk ka kthim pas, sepse presidenti amerikan nuk ka ndërmend të rikthehet në kornizat e së drejtës ndërkombëtare, vlerëson politologu Vedran Xhihiq nga Instituti Austriak për Politikë Ndërkombëtare. Xhihiq shton se zhvillimet globale do të kenë patjetër pasoja edhe për Ballkanin Perëndimor, fati i të cilit, sipas tij, do të varet në masë të madhe nga marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Evropës.

„Kemi mjaft të panjohura. Kemi idenë e Bordit, kemi pasur takimin e parë, përkatësisht seancën themeluese në Davos, dhe kemi një anëtarësi të kufizuar, e cila definitivisht nuk përfaqëson rendin e plotë global. Kemi vende qendrore që nuk i janë bashkuar në këtë moment. Nuk është e qartë se sa vende do t’i bashkohen Bordit për Paqe dhe nuk është e qartë se çfarë do të bëjë konkretisht ky Bord dhe në çfarë mënyre“, vëren Xhihiq.

Duke pasur parasysh, siç thotë ai, politikën e jashtme arbitrare të Trumpit, ku gjërat mund të ndryshojnë brenda 24 orësh, Xhihiq thekson se nuk është i sigurt se ekziston ndonjë garanci për stabilitet dhe punë serioze.

Nga ana tjetër, ai konstaton se „rendi i vjetër botëror“, i cili ishte në fuqi që nga viti 1945 dhe u bë dominues pas rënies së Murit të Berlinit, në një farë mënyre ka pushuar së ekzistuari.

„Me thyerjen e aleancës transatlantike dhe me politikën tashmë krejtësisht të qartë të Trumpit ndaj Kombeve të Bashkuara, gjithçka që kishim deri tani, përfshirë edhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së, nuk ka më të njëjtin ndikim. Është domethënës edhe veprimi i Trumpit për ta tërhequr Amerikën nga 66 organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe organizata të OKB-së“, tha Xhihiq për Kosovo online.

Ajo që dimë është se po krijohet një rend i ri, por nuk e dimë se si do të duket ai, shton bashkëbiseduesi.

„Kemi Bordin për Paqe dhe nuk dimë si do të funksionojë. Në këtë moment është herët për vlerësime. Ajo që dimë është se nuk ka kthim pas. Trump nuk ka ndërmend të kthehet në kornizën e vjetër të Kombeve të Bashkuara, të rregullave ndërkombëtare dhe të së drejtës ndërkombëtare“, është i bindur Xhihiq.

Duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë pasojash do të ketë kjo për Ballkanin Perëndimor, ai thotë se pasoja patjetër do të ketë dhe se fati i rajonit do të varet në masë të madhe nga marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Evropës.

 Ai kujton se ndër 66 organizatat nga të cilat SHBA janë tërhequr janë edhe dy me rëndësi rajonale – Këshilli për Bashkëpunim Rajonal dhe Mekanizmi Rezidual i Gjykatës së Hagës, si dhe Komisioni i Venecias, i cili ka qenë relevant për Bosnje e Hercegovinën dhe deri diku edhe për Kosovën.

„Kemi shenja të qarta se po pushon së ekzistuari vazhdimësia e politikës së jashtme të SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor, e cila ishte e bazuar në parime të qarta, politikë të qartë dhe norma demokratike. Nga ana amerikane po hyjmë në një fazë transaksionalizmi dhe marrëveshjesh, ku nuk ka siguri, asnjë garanci për asnjë lider apo vend se do të gjendet në favorin e Trumpit“, paralajmëron Xhihiq.

Ai vëren gjithashtu se Serbia nuk është ftuar në Bordin për Paqe, gjë që e sheh si një mesazh të qartë për Beogradin, por nga ana tjetër thekson edhe vendimin e SHBA-së lidhur me vizat e migrantëve, i cili vlen për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor – përveç Serbisë. Për këtë arsye, ai konsideron se mesazhet shpesh janë të dykuptimta, madje edhe të trekuptimta.

„Është plotësisht e qartë se nuk ka më linearitet, siguri dhe stabilitet nga Uashingtoni që kemi pasur deri tani. Kjo hap pyetjen se si dhe në çfarë mënyre do të pozicionohet BE-ja në një situatë të tillë, si do të vazhdojë dhe nëse do të jetë në gjendje të vazhdojë procesin e zgjerimit. Shtrohet pyetja qendrore se si dhe në çfarë mënyre do të pozicionohet NATO-ja në një rajon ku ende kemi trupa në Kosovë dhe forca evropiane në Bosnje e Hercegovinë. Këto janë pyetje të hapura dhe shumëçka do të varet nga ajo që do të ndodhë në nivel global“, shpjegon Xhihiq.

Ai shton gjithashtu se Ballkani Perëndimor është një „gjysmë-periferi“ e Evropës, e cila „kur dikush teshtin në qendër, merr grip të rëndë dhe qëndron me javë të tëra me simptoma të rënda“.

„Fati ynë do të varet në masë të madhe nga mënyra se si do të zhvillohen marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Evropës, nëse Evropa do të arrijë të emancipohet dhe të krijojë politikën e vet të sigurisë dhe ushtarake që është mjaftueshëm dominante dhe e fortë dhe nëse do të mund të bëhet një aktor gjeopolitik, gjë që në këtë moment nuk është. Këtu rajoni ynë ka rëndësi vendimtare, sepse pikërisht këtu Evropa ka potencial dhe forcë për të ndryshuar diçka“, thekson Xhihiq.

Ndërkohë, thotë ai, të gjitha vendet do të përpiqen të vendosin sa më mirë marrëdhënie dypalëshe me Uashingtonin, kështu që disa „do të bien në disfavor, ndërsa disa do ta ndiejnë mëshirën e Trumpit“.

„Këtu shohim disa zhvendosje. Shumë gjëra mund të kenë ndikim në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, por ajo që në fund mbetet fakt është se ndryshueshmëria dhe paparashikueshmëria e rendit të ri global definitivisht nuk sjell më shumë stabilitet dhe ide të qarta“, nënvizon Xhihiq.

I pyetur nëse Trumpi dhe Bordi për Paqe mund ta zgjidhin çështjen e Kosovës, të cilën BE-ja prej kohësh përpiqet ta zgjidhë por pa sukses, Xhihiq thotë se Kosova dhe Serbia ende nuk janë në agjendën e presidentit amerikan.

Ai shton se Trumpi pëlqen të mburret se ka përfunduar tetë luftëra të mëdha, edhe pse nuk është e qartë se si dhe cilat luftëra janë këto; ndonëse ka ndërmjetësuar në disa konflikte dhe ka pasur impulse pozitive, për shembull mes izraelitëve dhe palestinezëve, nuk ia doli të realizojë atë që kishte premtuar para marrjes së mandatit – të gjente një zgjidhje paqësore për Ukrainën.

„Kosova dhe Serbia ende nuk janë në agjendën e Trumpit. Kam përshtypjen se Ballkani Perëndimor për të ende nuk ka prioritet, gjë që nuk do të thotë se në një moment të ardhshëm, duke qenë se ai shpesh i ndryshon qëndrimet dhe politikat e tij, nuk do ta ‘zbulojë’ rajonin tonë dhe Kosovën e Serbinë si një poligon të ri të mundshëm ku do të demonstronte se si zgjidhen konfliktet afatgjata“, thotë Xhihiq.

Në këtë proces, vëren ai, roli vendimtar do t’i takojë Bashkimit Evropian, i cili deri më tani ka qenë i pafuqishëm, sepse dialogu që nga fillimi është udhëhequr mbi premisa të pasigurta.

„Sidomos vitet e fundit kemi parë gjithë impotencën e BE-së në zgjidhjen e këtij problemi. Ndërkohë, gjërat në terren kanë ndryshuar. Nuk duhet të harrojmë se Kosova po përpiqet të vendosë marrëdhënie sa më të qëndrueshme dhe më të mira me Trumpin. Nga ana tjetër, nuk shohim mbështetje thelbësore të Trumpit për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Përkundrazi, mund të presim disa veprime më kritike lidhur me historitë për manipulimin e zgjedhjeve. Kështu që për momentin gjithçka mbetet në status quo“, vlerëson Xhihiq.

Megjithatë, ai pret që BE-ja në një moment të „zgjohet“ dhe të bëhet pak më aktive, sidomos duke pasur parasysh frikën e Unionit se amerikanët „si një buldozer do ta shkelin BE-në në fqinjësinë evropiane“, ku bëjnë pjesë edhe Kosova dhe Serbia.

„Pres disa iniciativa të reja, por sa do të jenë ato potente, të forta dhe efikase – është vështirë të thuhet. Deri tani nuk kanë qenë. Pres që në një moment, kur Ballkani të shfaqet në hartën e Trumpit, edhe ai të ‘zgjohet’ dhe të ketë iniciativa të reja. Për tani mbetemi te ajo që kemi pasur prej disa vitesh“, përfundon Xhihiq.