Millivojeviq: Numri i madh i tërheqjeve të njohjeve po prish dinamikën e Prishtinës dhe aleatëve të saj

Zoran Milivojević
Burim: Kosovo Online

Diplomati në pension, Zoran Millivojeviq, vlerësoi se numri i madh i tërheqjeve të njohjeve gjatë dhjetë viteve të fundit po e prish “dinamikën” e Prishtinës, për shkak të së cilës ajo as pas 17 vitesh nuk mund të konfirmojë shtetësinë e saj, pavarësisht se për të lobojnë fuqishëm Gjermania, Britania e Madhe dhe Turqia.

“Kjo dinamikë prishet vetë nga fakti që në këto dhjetë-jedhjetë e një vjet ka pasur një numër të madh tërheqjesh të njohjeve. Nëse nuk gaboj, janë 28. Presidenti Vuçiq ka paralajmëruar edhe disa të reja. Por thelbi nuk është vetëm në politikën e tërheqjes së njohjeve, por në faktin që shtetësia e Kosovës nuk ka mundur të konfirmohet për 17 vjet, dhe në faktin që ky është një projekt i dështuar. Dhe kjo shihet edhe në skenën e brendshme,” deklaroi Millivojeviq për Kosovo online.

Millivojeviq theksoi se Kosova nuk ka arritur të definohet “si një shtet serioz apo si një hapësirë demokratike”.

“Dhe kjo është çështja kyçe. Tërheqjet e njohjeve e ndihmojnë këtë dhe definitivisht e kthejnë çështjen e Kosovës dhe Metohisë në terrenin politik. Është krejtësisht e qartë se kjo nuk mund të konfirmohet në mënyrë artificiale, me forcë, si shtet apo si një faktor stabiliteti dhe sigurie,” tha Millivojeviq.

Ai shpjegon se kjo po bëhet gjithnjë e më e dukshme “në një mënyrë apo në një tjetër”.

“Mbetet fakti se dy të tretat e njerëzimit nuk e njohin Kosovën. Dhe mbetet fakti se edhe në Uashington tani kemi një qeveri tjetër që e sheh këtë çështje në një mënyrë ndryshe. Pa këta elementë, nuk është e mundur të realizohet shtetësia e Kosovës ashtu siç është menduar në fillim të këtij shekulli,” përfundoi Millivojeviq.

Duke komentuar deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se për Kosovën lobojnë më së shumti Turqia dhe disa vende të tjera, diplomati në pension Zoran Millivojeviq thotë se nuk ka dilemë që Prishtina merr përkrahjen më të fuqishme nga Gjermania dhe Britania e Madhe, ndërsa mbështetja turke lidhet me përpjekjen për të forcuar pozitat e saj në Ballkanin Perëndimor përmes faktorit shqiptar.

“Për Kosovën, në radhë të parë lobon Gjermania dhe këtë e bën në mënyrën më të drejtpërdrejtë. Gjermania nis nga pozicioni i saj strategjik se Ballkani është zonë e interesit të politikës gjermane, dhe se kufijtë në Ballkan janë përcaktuar duke u bazuar në faktin që Kosova është një shtet i njohur. Pra, kufij të rinj me Serbinë pa Kosovën dhe Metohinë,” thekson Millivojeviq.

Ai shton se në mesin e vendeve që lobojnë fuqishëm për Kosovën është edhe Britania e Madhe.

“Ajo ka interesa tradicionale në këto hapësira dhe mbi të gjitha nga pozita kundërruse. Ajo e konsideron Serbinë si pjesë të zonës së ndikimit rus dhe beson se ndikimi i Rusisë vë në pikëpyetje interesat e saj strategjike,” deklaron Millivojeviq.

Duke folur për rolin e Turqisë, ky diplomat thotë se pozicioni i saj duhet parë në kontekstin e përpjekjes së presidentit Rexhep Tajip Erdogan për ta promovuar Turqinë si një fuqi rajonale apo madje globale.

Ai thekson se baza e politikës turke dhe interesave të saj në Ballkan dhe Evropën Juglindore është faktori shqiptar.

“Në strategjinë e ‘thellësisë strategjike’ të (Ahmet) Davutoglut që nga fillimi i këtij shekulli, kjo është përmendur qartë dhe turqit kurrë nuk janë tërhequr nga ajo. Turqit e shohin faktorin shqiptar si shtyllë, infrastrukturë dhe opsion strategjik për veprim në këto hapësira dhe në një mënyrë edhe për definimin e interesave turke ndaj Evropës Juglindore, por edhe ndaj rajonit në tërësi. Këtu kemi parasysh edhe Mesdheun, edhe gjithë rrethinën tonë. Pra, Turqia nuk ka ndonjë tjetër bazë, nëse përjashtojmë diasporën, përveç këtij faktori boshnjak, por ai është më i dobët se faktori shqiptar,” vlerëson Millivojeviq.