A do t’a ndryshojnë zgjedhjet pamjen e Europës dhe si do të përshtatet çështja kosovare?

Evropski parlament
Burim: N1 Info

Tronditjet politike oshëtinë Europën pasi votimet për Parlamentin Europian, sollën kthesë të qartë djathtas, duke tronditur shumë qeveri dhe Ballkanin Perëndimor me shumë gjasa e lanë në udhëkryq. Çështjet kryesore që kanë të bëjnë me rajonin mund të bien në plan të dytë për shkak të problemeve të brendshme, para së gjithash kur flitet për zgjerimin e BE, ndërsa bashkëbiseduesit e Kosovo Onlajn, nuk e përjashtojnë mundësinë që në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, SHBA të udhëheqin sërish rolin kryesor.

Pjesëmarrja në zgjedhjet për konstituimin e ri të Parlamentit Europian ishte diçka më e lartë se pesë vite më parë-50,97%.

Më shumë vota mori Partia Konservatore Popullore Europiane (EPP), ndërsa partitë e ekstremit të djathtë do të kenë dukshëm më shumë deputetë nga ç’kishin deri më sot. E djathta ekstreme fitoi më shumë vota në Francë dhe Austri, ndërsa në Gjermani dhe Holandë zuri vendin e dytë. Partitë e Gjelbërta dhe rajonale dhe partitë e së majtës së moderuar, të mbledhura në grupin e Të Gjelbërtve/Aleanca e Lirë Evropiane (Të Gjelbërit/EFA), janë humbësit më të mëdhenj të zgjedhjeve pasi humbën një numër të konsiderueshëm mandatesh.

Analistët vlerësojnë se në parlamentin e ri do të jetë e vështirë të lexohet axhendë e qartë strategjike përveç disa parimeve kyçe rreth sigurisë dhe ekonomisë. Se ku përshtatet Ballkani Perëndimor këtu dhe çështja kosovare, vështirë të thuhet.

Ministri i punëve të jashtme Marko Gjuriq vlerëson se zgjedhjet europiane sollën ndryshime në topografinë politike të brendshme të Bashkimit Europian dhe treguan se qytetarët e Bashkimit Europian kanë “qëndrime të kundërta dhe shpesh herë polarizuese rreth çështjeve kyçe”-nga konflikti në lindje të Europës, ekonomia, migrimi, ndryshimet klimatike...

“Dhe nuk ka dyshim se këto reflektojnë në politikën e vetë institucioneve europiane. Sërbia do të vazhdojë të monitorojë me kujdes zhvillimet politike në Bruksel dhe do të vijojmë tek kjo të punojmë për të fituar sa më shumë të jetë e mundur numër të madh europarlamentarësh, por dhe zyrtarë të tjerë në shtetet anëtare, për anëtarësimin sa më të shpejtë të Sërbisë në Bashkimin Europian”, tha Gjuriq.

Ministri bën të ditur se pavarësisht nga të gjitha këto, Sërbia do të vazhdojë të ndërmarrë reforma me qëllim të krijojë shoqëri prosperuese, të avancuar dhe në përputhje me qëllimet të cilat presidenti Vuçiq i ka proklamuar.

“Me dëshirën se deri në 2027 standardi i jetesës të jetë dukshëm më i lartë se ai që kishte Sërbia në periudhën e mëparshme, me pagë mesatare prej 1400 eurosh, qindra kilometra rrugë të reja dhe në përgjithësi që shoqërinë tonë t’a nxjerrë plotësisht të përgatitur dhe madje edhe sipër nivelit të standartit të Bashkimit Europian në shumë aspekte”, shtoi ai.

Me strukturën e re në Parlamentin Europian, Gjuriq pret që Sërbia të ketë marrë "mundësi reale për të luftuar për më shumë miq".

“Ne do të punojmë pa u lodhur në këtë për të krijuar miq të rinj, të krijojmë grup mbështetës jo vetëm për integrimin europian të Serbisë, por edhe grup që do të ketë kuptim më të madh të interesave tona kombëtare, nga Kosova e Metohia e deri tek temat e tjera rajonale dhe pres me padurim që në periudhën ardhëse të punoj me të gjithë ata me skuadrën tonë”, tha ministri.

Rreth asaj sesi zgjedhjet për Parlamentin Europian do të pasqyrohen në procesin e anëtarësimit në BE dhe dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, për Kosovo onlajn ka folur bashkëpunëtorja shkencore në Qendrën Hulumtuese Henri Xhekson, Helena Ivanov.

“Këto zgjedhje sikurisht janë në një farë mënyre goditje tektonike për Europën, në kuptimin që performanca e partive të djathta dhe ekstremit të djathtë, ishte vërtet paparashikueshmërisht e nivelit të lartë saqë Makron ndjeu nevojën të thirrte zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare pavarësisht performancës së partisë së tij në raport me partinë e Le Pen. Kështu që mendoj se do të shihet patjetër Europë djathtiste, sepse fakti që partitë e djathta dolën aq mirë në këto zgjedhje, do të ndikojë padyshim se si autoritetet aktuale, që mund të jenë më afër qendrës, do të sillen sesi të ruajnë popullaritetin e tyre në mesin e votuesve”, bën të ditur Ivanov për Kosovo Onlajn.

Përsa i përket vetë qasjes ndaj Ballkanit Perëndimor, nuk pret shumë ndryshime veçanërisht kur diskutohet normalizimi i raporteve mes Sërbisë dhe Kosovës.

“Gjërat tashmë janë vendosur, ajo rrugë është e qartë dhe besoj se pritshmëritë do të jenë të njëjta dhe se ato në thelb do të bazohen në atë që të dy palët priten të zbatojnë atë çfarë janë dakordësuar më herët” vlerëson Ivanov.

Megjithatë, nga ana tjetër, kjo e fundit beson se një nga pasojat e ndjeshme për Ballkanin Perëndimor mund të jetë anëtarësimi në Bashkimin Europian, pasi, pas zgjedhjeve të tilla, beson se “oreksi për zgjerim do të jetë më i vogël se sa çka qenë deri më tani".

“Kur është në diskutim zgjerimi dhe anëtarësimi në Bashkimin Europian, mendoj se këtu do të ketë pasoja shumë të ngjashme si për Sërbinë dhe për Kosovën, në kuptimin se nga njëra anë në përgjithësi oreksi për zgjerim do të ulet, ndërsa nga ana tjetër, mendoj se ky kusht që raportet mes Beogradit dhe Prishtinës do të normalizohen dhe që kjo do të vazhdojë të jetë kusht për çdo konsideratë thelbësore për anëtarësim në Bashkimin Europian”, bën të ditur ajo.

Dhe sociologu Vlladimir Vulletiq beson se pas zgjedhjeve për Parlamentin Europian nuk do të shkohet tek ndonjë ndryshim në politikë, por vlerëson për Kosovo Onlajn se problemet e brendshme të vendeve të BE do t’a çojnë Ballkanin Perëndimor në plan të dytë. Edhe Vulletiq pret që për çështjen e Kosovës, nuk përjashton mundësinë që fjalën kryesore sërish t’a kenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Mjaft fort po flitet rreth kësaj zhvendosjeje djathtas të Europës. Nuk ka dyshim se kur është fjala për Parlamentin Europian, aty nuk ka ardhur deri tek ndonjë ndryshim të madh dramatik që nuk do të ndikonte as në politikën personale dhe as në politikën e përgjithshme të Europës ndaj çështjeve kyçe. Pra nuk do të ketë ndryshim raporti as ndaj luftës në Ukrainë, as nuk do të ketë ndryshim të raportit në vetë Bashkimin Europian, kështu që kur është fjala rreth këtyre politikave kyçe, nuk ka arsye për pritshmëri se do të shkohet deri në ndonjë ndryshim” thotë Vulletiq.

Ky i fundit bën të ditur se për Europën tronditjet domethënëse brenda disave, mbi të gjitha vendeve udhëheqëse të BE, beson se do të ndikojnë deri tek interesimi i ulët për çështjet rajonale në Ballkan.

“Para së gjithash do të merren me çështjet e tyre të brendshme. Shikojmë se tashmë janë shpallur zgjedhjet parlamentare në Francë, koalicioni qeverisës në Gjermani u trondit shumë, kështu që mund të presim që të ketë më pak interes për idenë e zgjerimit. Nga ana tjetër, kur është fjala rreth çështjeve që na interesojnë më së shumti, para së gjithash kur është fjala rreth Kosovës, aty eventualisht nund të presim që fokusi të jetë më i vogël dhe fjala kyçe sërish t'i kalohet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sikurse ka qenë edhe më herët”, bën të ditur Vulletiq.

Duke komentuar mundësitë aktuale gjeopolitike, vlerëson se ato nuk po ndryshojnë kaq shpejt dhe se ideja e Perëndimit është "që kjo hapësirë ​​duhet të ndahet në masën që të jetë më e lehtë për t'a kontrolluar".

“Kjo, në përgjithësi, nuk i përgjigjet Sërbisë. Sërbët për nga numri është populli më i madh, ata janë të ndarë dhe territorialisht, por shikojmë se kjo politikë tashmë ka çuar deri aty saqë sërbët pothuajse nuk janë më faktor i rëndësishëm politik në Kroaci, Mal të Zi dhe Sërbia u nda dhe kjo e vështirësoi pozitën e sërbëve në Mal të Zi. Sot kjo është diçka pak më ndryshe dhe më e mirë se më parë, por le të kujtojmë se ky ndryshim është gjithmonë i mundshëm. Pra, politika e perëndimit, jo për arsye se ata dikë duan më shumë dhe dikë nuk e duan, për ta kjo në fund të fundit thjesht, para së gjithash interesohen që të jenë të vegjël, sa më shumë të jetë e mundur në një shtetëz të vogël”, thotë sociologu i njohur.

Ajo çka mund të ndikojë në këtë rajon, vlerëson ai, do të ishte fitorja e Donald Tramp në zgjedhjet e SHBA.

“Kujtojmë se para fundit të mandatit të tij, zoti Grenell dhe ai tashmë, si të themi, patën plan të caktuar për këtë rajon, për marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës. Kurrë kjo nuk është zyrtarizuar, por diku përafërsisht dihet se në çfarë është bazuar ai plan, çka është dukshëm i ndryshëm në raport me atë çka administrata aktuale tenton të realizojë”, thotë Vulletiq.

Që rrjedhat gjeopolitike mund të ndryshojnë pas zgjedhjeve në SHBA beson dhe Belgzim Kamberi nga Instituti për politikë sociale "Musine Kokalari".

“Vështirë të dihet se cilat do të jenë rrjedhat e reja gjeopolitike. Një nga supozimet që mund të ndryshonte disi diçka do të ishte zgjedhja e Donald Tramp në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke marrë parasysh profilin politik jokonvencional që ka. Përsa i përket zgjedhjeve europiane, vetë Parlamenti Europian me gjasa nuk do të ndryshojë politikën apo kursin e vet pasi shumica që ishte është shumicë sërish”, thotë analisti nga Prishtina për Kosovo Onlajn.

Duke folur rreth dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, bashkëbiseduesi ynë beson se bashkësia ndërkombëtare do të vazhdojë të kërkojë zbatimin e marrëveshjeve të arritura, por nuk përjashton hapjen e disa “çështjeve të vjetra” të reja.

“A do të ngelet domosdoshmëria e implementimit të Bashkësisë së Komunave Sërbe apo në ndonjë radhë të re gjeopolitike do të ndryshojë... A do t'i kthehemi ndoshta disa ideve rreth ndryshimit të territorit apo korrigjimit të kufirit të cilat ishin për shembull në vitin 2016 -2017, kjo është ende vështirë të dihet”, bën të ditur ai.

Duke komentuar idenë e profesorit dhe analistit amerikan Eduard Xhozef që presidenti i SHBA duhet të emërojë të dërguar special për njohjen e Kosovës, Kamberi thotë se kjo momentalisht ka pak gjasa, para së gjithash pasi Bajden është në fund të mandatit të tij.

“Nuk përjashtohet, ndonëse mund të ketë pak më shumë dinamikë për një lloj përfshirje të Kosovës në NATO. Politika e sigurisë dhe rrjedhat gjeopolitike në Ballkan kanë prioritet të madh sesa procesi politik rreth njohjes së Kosovës nga ana e jo-njohësve në BE. Kështu që mendoj se, nëse egziston ndonjë lloj dinamike më e madhe, mendoj se këtu mund të jetë më shumë në kontekstin e përfshirjes së Kosovës në aleancën e NATO për shkak të rrethanave të sigurisë që egzistojnë pas të gjitha krizave që kemi, jo vetëm tek lufta në Ukrainë, por edhe në Izrael dhe rrethana të tjera që kanë implikime sigurie që mund të destabilizojnë edhe Ballkanin”, thotë Kamberi.

Ky i fundit shton se është pikërisht rreziku nga destabilizimi dhe mundësitë e sigurisë mes vendeve perëndimore dhe joperëndimore që në fund mund të çojë në njohje të reja të Kosovës.

“Në këtë kontekst, ndoshta madje dhe vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, flas rreth shteteve që vijnë nga e ashtuquajtura bota liberale demokratike, atëherë ata mund t’a shikojnë si ndonjë lloj urgjence për shkak të atij rivaliteti që egziston mes shteteve liberale dhe joliberale, shteteve autoritare dhe vende demokratike liberale që nga viti në vit kanë gjithmonë e më shumë polarizim mes tyre. Dhe e dyta si pasojë e rendit të ri botëror që mund të ndryshojë për shkak të zgjedhjes së Trampit, por edhe për shkak të zhvillimeve në lidhje me të ashtuquajturin 'rend i ri' mes Kinës, Rusisë, Bashkimit Evropian dhe shteteve amerikane, atëherë ata mund të vlerësojnë urgjencën që edhe Spanja dhe vendet e tjera të Bashkimit Europian t’a njohin Kosovën”, konkludon Kamberi.

Helena Ivanov idenë e profesorit dhe analistit amerikan Eduard Xhozef se SHBA duhet të emërojnë të dërguar special për njohjen e Kosovës, e shikon si të pritshëm në situatën momentale në skenën politike globale që është dukshëm komplikuese.

“Invazioni rus në Ukrainë nga njëra anë, lufta në Lindjen e Mesme nga ana tjetër, situata gjithnjë e më e komplikuar brenda Bashkimit Europian, pikërisht dhe forcimi i së djathtës që mund t’a shikonim sipas rezultateve të zgjedhjeve europiane… Besoj se në këtë kuptim Amerika me të vërtetë dëshiron që kapitulli i Ballkanit Perëndimor të mbyllet dhe kjo në fakt është ideja e atij të dërguari” thotë ajo.

Ajo megjithatë nuk beson se i dërguari do të jepte fryte.

“Dyshoj, duke qenë se shumica e vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, për shembull Spanja këtë nuk e kanë bërë jo vetëm se kanë qëndrim të caktuar ndaj çështjes së Sërbisë apo ndaj çështjes së Kosovës, por edhe për shkak të disa çështjeve të tyre të brendshme. Konkretisht në rastin e Spanjës do të ishte Katalonja. Kështu që nuk shikoj sesi ai i dërguar mund të bindë ndokënd siç është Spanja që të njohë Kosovën, duke pasur parasysh implikimin që do të kishte në politikën e brendshme të Spanjës në këtë rast konkret”, përfundon Ivanov.

Mendim të përafërt ka dhe Vulletiq i cili bën të ditur se këto rajone tashmë janë parakaluar nga shumë të dërguar.

“Pa dyshim, ata nuk u fokusuan vetëm në një çështje, por në stabilizimin gjeneral dhe mendoj se kjo është më shumë një ide që është, siç do të thoja unë, ballon prove. Por, nëse diçka e tillë do të ndodhte, kjo do të thoshte se për Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjëja më e rëndësishme është të shkohej drejt njohjes së Kosovës. Nuk jam i sigurt se në këtë vit parazgjedhor është pikërisht kështu. Nëse ndodh, ka shumë pak kohë, vetëm disa muaj, ndërsa punët që do të ishin para një të dërguari të tillë do të ishin të mëdha”, konkludon Vulletiq.