A duhet të ketë diaspora vende të garantuara në parlament?
A duhet t’i hiqet e drejta e votës diasporës sepse nuk ka qasje të mirë këtu sesi jetohet me të vërtetë në Kosovë, prej vitesh polemizohet, ndërsa pas zgjedhjeve të qershorit në të cilën votat e sjella nga jashtë ndikuan në ndarjen e pesë mandateve në Kuvend, lind pyetja tjetër: a duhet t’i rezervohen diasporës vende në parlament? Bashkëbiseduesit e Kosovo onlajn kanë këndvështrime të ndryshme. Dikush shprehet kundër dhe beson se sistem i tillë do t’i shkonte për shtat partisë në pushtet, ndërsa tjetri është i mendimit se mandatet e garantuara për diasporën do të sillnin dinamikë të re në jetën politike.
Shkruar nga: Dushica Radeka Gjorgjeviq
Lëvizja Vetëvendosja, sipas rezultateve të konfirmuara finale të zgjedhjeve të 7 qershorit, fitoi më shumë vende në Kuvendin e Kosovës-53. Nga këto, pesë mandate i mori falë votave të diasporës.
Pjesëmarrja e ulët e votuesve në vetë Kosovën pati dhe ndikim në vetë rezultatin.
Nga votat e misioneve diplomatike, Vetëvendosja mori 18,789 vota, apo 83.28% dhe nga votat e marra me postë, mori 60,003, ose 72.94%.
Në ciklet e ardhshme zgjedhore, numri i deputetëve që do të varen nga votat e diasporës mund të jetë më i lartë se pesë, vlerëson Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik Kosovar.
"Në zgjedhjet e vitit 2021 patëm tre mandate, tashmë kemi arritur në pesë dhe me gjasa ky numër do të rritet", tha ai.
Për shkak të rolit domethënës që ka diaspora në procesin zgjedhor, analisti politik Albinot Maloku beson se ajo duhet të ketë përfaqësuesit e vet në Kuvendin e Kosovës.
Profesori Mazllëm Baraliu mendon se përfaqësimi direkt i diasporës nën kuotë të caktuar në Kuvend, do të ishte më i mirë, por tha se për këtë nevojiten ndryshime në Kushtetutë.
Analisti politik Nexhmedin Spahiu, megjithatë, nuk është mbështetës i vendeve të garantuara për diasporën.
Sikurse tha për Kosovo Onlajn ky nuk do të ishte sistem i vlefshëm dhe nuk do të zgjidhte asnjë problem në skenën politike.
"Për të ndarë deputetët që do të përfaqësojnë diasporën, do të duhet që të ndryshohet ligji dhe mendoj se kjo do të sillte komplikime të tjera", tha ai.
Diaspora sikurse tha, shpesh vjen në Kosovë dhe se do të ishte e vështirë të bëheshin evidencat sepse shumë kanë shtëpi apo apartamente në Kosovë për të cilat paguajnë faturat ndërsa jetojnë në diasporë.
"Ata mund të jenë këtu dhe mund të jenë dhe aty", thekson Spahiu.
Nëse sistemi do të ndryshonte dhe diaspora do të merrte vende të rezervuara në Kuvend, sipas vlerësimit të tij, kjo pikësëpari do t’i vinte për shtat Vetvendosjes së Albin Kurtit.
Spahiu gjithashtu thotë se nuk është e drejtë as të kërkohet që diasporës t’i hiqet e drejta e votës përmes misioneve diplomatike ose me postë.
"Shumica e popullsisë së Kosovës jeton në diasporë. Kosova ka diku rreth 3.3 milionë shtetas dhe në Kosovë jetojnë gati 1.5 milionë qytetarë. Kjo do të thotë që shumica e shtetasve të Kosovës jetojnë jashtë saj. Ata kanë ndikim në jetën ekonomike të Kosovës, vijnë shpesh, japin para familjeve dhe nga kjo mbahet Kosova. Ka zëra që kërkojnë që t’u merret e drejta e votës nëpër ambasada dhe përmes postës, por mendoj se kjo nuk është e drejtë", thotë Spahiu.
Drejtori egzekutiv i organizatës joqeveritare Qendra për Përfaqësim të Kulturës Demokratike (ACDC), Dushan Radakoviq, gjithashtu nuk është kundërshtar i vendeve të rezervuara për diasporën në parlament sepse sikurse thotë, nuk kanë pamje reale të jetës në Kosovë.
Ai e shikon me kritik atë çka në zgjedhjet e 7 qershorit, votat e diasporës siguruan pesë vende parlamentare.
"Pesë vende në Kuvend është numër i madh. Është tërësisht joreale që të marrësh pesë mandate nga njerëz që nuk jetojnë këtu, që nuk kanë pamje reale të situatës, që nuk përjetojnë përditë problemet që egzistojnë në Kosovë si ato ekonomike, sikurse janë uji apo korrenti dhe problemet politike dhe presioni. Atë çka pesë deputetë në Kuvend u zgjodhën me votat e njerëzve që prej vitesh ndoshta më shumë se 30 vite nuk jetojnë në Kosovë dhe kanë vetëm kartë identiteti, kjo krijon tamam një lloj botë imagjinare të jetës në Kosovë", tha Radakoviq për Kosovo onlajn.
Dhe ai beson se vendosja e vendeve të garantuara për diasporën, do t’i shkonte për shtat Vetëvendosjes.
Sikurse bën të ditur është treguar se diaspora voton kryesisht për partitë në pushtet, cilado qofshin dhe se në rastin e zgjedhjeve të fundit kjo ishte Vetëvendosja.
"Dhe në periudhën e mëparshme, në vitin 2018, PDK pati mjaft vota nga diaspora, por jo aq sa ka tani Vetvendosja sepse votat u ndanë në dy apo tre parti, ndërsa Vetvendosja tani mori 80% të votave të diasporës. Nga ana tjetër, tregoi se përqindja e njerëzve që votuan në Kosovë ishte shumë më e ulët sepse përgjithësisht besimi ka rënë dhe se njerëzit janë shumë të lodhur nga zgjedhjet. Besoj se diaspora nuk duhet të ketë përfaqësuesit e vet. Kishte shumë vota nga diaspora për një parti çka nuk është demokratike", tha Radakoviq.
Në parlamentet që ka vende të garantuara për diasporën numrat kanë dallime. Në Kuvendin e Rumanisë përshembull egzistojnë gjashtë vende të rezervuara deputetësh për diaaporën rumune, në parlamentin italian ka 12, në Kuvendin Popullor të Francës 11 plus 12 vende në Senat. Në Kroaci zgjidhen tre përfaqësues, në njësi të veçantë zgjedhore ndërsa kryeministri dhe kryetari i HDZ Andrej Plenkoviq së fundi ka thënë se shumica qeverisëse është gati të çelë diskutime për rritjen e numrit të deputetëve që zgjedhin shtetasit kroatë jashtë Kroacisë.
Drejtori strategjik i Qendrës për Politikat Europiane nga Beogradi Millosh Pavkoviq thotë se nëse në Kosovë vendoset futja e vendeve të garantuara për diasporën, kjo me gjasa nuk do të kishte më shumë se dy apo tre deputetë.
Dhe ky numër sikurse beson, do të sillte dinamikë të re në jetën politike në Prishtinë.
Ai thotë se egzistenca e vendeve të garantuara për shtetasit e një shteti që janë jashtë, nuk është praktikë e rrallë në mbarë Europën. Kur një shtet ka pakicë domethënëse të shtetasve të vet në shtete të tjera, sikurse tha për Kosovo Onlajn, ky është rast i shpeshtë.
Në kontekstin e Kosovës, sipas vlerësimit të tij, sistem i tillë nuk do t’i shkonte për shtat para së gjithash garniturës politike qeverisëse.
"Më duket se ndikimi i diasporës është më i madh kur ata vijnë dhe votojnë, sesa nëse diaspora do të kishte vende të rezervuara. Nëse e shikojmë proporcionalisht numrin e shtetasve të Kosovës që jetojnë në mbarë Europën, në raport me elektoratin total dhe numrin e deputetëve, diaspora me gjasa nuk do të kishte më shumë se dy apo tre deputetë. Nga ana tjetër, kur ata vijnë dhe votojnë direkt në zgjedhjet në Kosovë, ndikimi i tyre ashtu si dhe në zgjedhjet të fundit, është vendimtar sepse i sollën Vetëvendosjes pesë mandate. Në këtë kontekst, nga perspektiva e Vetëvendosjes, nuk është racionale që të shkohet në mandate të rezervuara për shtetasit e Kosovës jashtë vendit", thotë Pavkoviq.
Për të vendosur në Kuvendin e Kosovës vende të rezervuara për diasporën, shton se do të ishte e nevojshme ndryshimi i ligjit çka është proces i mundimshëm që potencialisht do të çelte negociata mes aktorëve politikë dhe për të cilin në këtë moment sikurse beson, nuk ka oreks. Hipotetikisht, nëse diaspora do të merrte vende të rezervuara, sipas vlerësimit të tij, ato dy apo tre deputetë do të kishin një lloj autonomie dhe sigurisht do të sillnin dinamikë të re në jetën politike të Kosovës.
"Ata në disa situata, do të ishin maja e peshores për formimin e qeverisë apo pro miratimit të ndonjë ligji apo ndryshimit në Kushtetutë. Në këtë kontekst, do të sillnin dinamikë dhe disa ndryshime në jetën politike të Kosovës. Megjithatë, pyetja është nëse këta deputetë do të ishin dakord me ndonjë nga opsionet politike në vetë Kosovën apo nëse do të përfaqësonin ndonjë parti të re politike që do të ishte aktor i pavarur, çka atëherë do të ndikonte në masë të konsiderueshme tek dinamika", mendon Pavkoviq.
0 komentet