Gjuriq: Objektivat kryesore të politikës së jashtme të Serbisë mbeten forcimi i stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon, si dhe anëtarësimi në BE
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, theksoi sot, gjatë një bisede me bashkëpunëtorët e kongresmenëve dhe senatorëve amerikanë, se Beogradi synon të ndërtojë marrëdhëniet më të mira të mundshme me shtetet kyçe të botës, ndërsa objektivat kryesore të politikës së jashtme mbeten forcimi i stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon, si dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
Siç njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë, Gjuriq u shpjegoi mysafirëve nga SHBA se pozita gjeografike, si dhe mjedisi ekonomik dhe i sigurisë i Serbisë, e përcaktojnë rajonin e Ballkanit dhe Evropën si bazën e të gjitha marrëdhënieve të saj më të rëndësishme.
Shefi i diplomacisë serbe rikujtoi se pak më shumë se një muaj më parë në Uashington u mbajt raundi i parë i Dialogut Strategjik ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së, i cili, siç theksoi, përbën kurorëzimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe një platformë thelbësore për avancimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha të ndryshme – nga politika dhe siguria, përmes energjetikës, tregtisë dhe investimeve, deri te kultura, shkenca dhe lidhjet ndërmjet njerëzve.
Ai vuri në dukje gjithashtu se në SHBA jetojnë rreth një milion serbë, të cilët përbëjnë një urë të rëndësishme për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
Ministri Gjuriq, duke folur për aspektet më të rëndësishme të politikës së brendshme dhe të jashtme të Serbisë, u prezantoi mysafirëve, të cilët po vizitojnë rajonin, rezultatet më të rëndësishme në fushën e ekonomisë dhe infrastrukturës, si dhe në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe energjetik, pavarësisht sfidave të shumta gjeopolitike dhe konflikteve në botë, të cilat në mënyrë të tërthortë ndikojnë edhe në rajon.
Ai theksoi se gjatë viteve të fundit Serbia ka arritur rezultate të rëndësishme në zhvillimin e teknologjive të reja, ndërsa pikërisht SHBA-ja është partneri më i rëndësishëm i vendit tonë në fushën e shërbimeve dhe përdorimit të teknologjive të informacionit dhe komunikimit.
Në fund të takimit me ministrin Gjuriq, mysafirët nga SHBA patën mundësinë të parashtronin pyetje lidhur me qëndrimin e Serbisë ndaj çështjeve më të rëndësishme rajonale dhe gjeopolitike.
0 komentet