Katër njohje janë rezultat i zhvillimeve gjeopolitike dhe jo sukses i diplomacisë kosovare
Kosova gjatë vitit të kaluar u njoh nga Kenia, Sudani, Siria dhe Bahamasi, çka u përshëndet prej të gjithë politikanëve nga i gjithë spektri politik por që këto njohje nuk përjetohen si sukses i drejtpërdrejt i diplomacisë kosovare, por si rezultat i zhvillimeve globale politike. Gjatë 2025 dëgjuam dhe kritika për llogari të Ministrisë së Punëve të Jashtme për shkak të ngecjes së anëtarësisë së Kosovës tek organizmat ndërkombëtare, por dhe për dështimet në raportet dypalëshe me aleatët, shkruan Kosova pres.
Profesori për marrëdhëniet ndërkombëtare Dritëro Arifi thotë se politika e jashtme e Kosovës duhet të shikohet në kontekstin e gjerë si dhe reflektim i politikës vendase.
“Në politikën e jashtme përherë egziston teoria që thotë se politika e jashtme reflekton atë të brendshme. Madje edhe sikur Bill Gejts dhe Ilon Mask të ishin ministra të punëve të jashtme, nuk do të mundnin të rregullonin politikën e jashtme të Kosovës, pasi ajo është e lidhur me politikën e brendshme dhe vendimarrjet, ndaj dhe reflekton tek politika e jashtme”, ka thënë Arifi për Kosova pres.
Sipas fjalëve të tij, njohjet e fundit nuk mund të etiketohen sukses i drejtpërdrejtë i diplomacisë kosovare, sepse erdhën kryesisht si rezultat i zhvillimeve globale gjeopolitike.
"Nuk mund ta etiketoj sukses, sepse njohjet erdhën si rezultat i ndryshimeve gjeopolitike në botë. Duhet të kuptohet se shteti i Kosovës zakonisht ka merita, por shumë pak individë. Duhet punë e gjatë dhe koherente për të shkuar deri tek njohja. Rrethanat në vend duhet të ndryshojnë që të njihet. Njohja nga Siria nuk erdhi sepse lobuam fort, por erdhi si rezultat i ndryshimeve brenda Sirisë dhe marrëdhënies mes Sirisë dhe SHBA. E më pas pjesëmarrja e Turqisë, Arabisë Saudite dhe disa faktorëve të tjerë ndikuan në arritjen e kësaj çështjeje", sqaron Arifi.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk i’u përgjigj Kosova Pres në lidhje me realizimin e detyrimeve të departamentit për vitin e kaluar.
Nga ana tjetër, nga opozita dëgjohen kundërshtime të qarta.
Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, kritikoi ashpër qeverinë e Albin Kurtit dhe drejtimin në të cilin po udhëhiqet diplomacia, me vlerësimin se "politika e jashtme e Kosovës është pezulluar".
"Qeveria e Kurtit dhe Donika Gërvalla, së bashku me presidentin, pezulluan politikën e jashtme. Ndalën fushatën për njohjen e Kosovës, aspiratat e saj për anëtarësim në organizmat ndërkombëtare", vlerëson Behrami.
Bën të ditur se Ministria e Punëve të Jashtme është "zbrazur" nga diplomatë me përvojë të cilët sikurse thotë, patën rezultate në çështjen e njohjes dhe anëtarësimit të Kosovës në organizmat ndërkombëtare.
"Më shumë se 30 diplomatë karriere dhe diplomatë që patën suksese të prekshme u larguan. Në vend të tyre, Ministria, misionet diplomatike dhe ambasadat janë mbushur me militantë që nuk i shërbejnë interesave kombëtare të Kosovës, por interesave të Vetëvendosjes", tha Behrami.
Kritika vijnë edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në të cilin ata gjithashtu vlerësojnë se nuk ka pasur rezultate konkrete në politikën e jashtme.
Anëtarja e kryesisë së LDK Jehona Lushaku thotë se nuk ka patur aksione intensive diplomatike në mandatin aktual të qeverisë.
“Diplomacia bilaterale dhe marrëdhëniet e Kosovës me vendet mbarë botën ndërtohen me seriozitet të madh, nën ndërrimin e ambasadorëve dhe përfaqësuesve, lobimet për çështjet që kanë interes. Por që nuk kemi parë intensitet të këtyre veprimeve diplomatike. Nuk kemi parë anëtarësim të ri të Kosovës në organizmat ndërkombëtare, ndërkohë që ka patur njohje simbolike për të cilat i kemi duartrokitur”, thotë Lushaku.
Ajo vuri në dukje se Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm të ndërtojë marrëdhënie dhe të mbajë miqësi, ku sikurse beson ajo, nuk janë mbyllur gjatë qeverisë së Kurtit.
“Kosova humbi pozitën e vet, aleatët, nuk ka patur intensitet e as nënshkrime të marrëveshjeve dypalëshe me vendet mike. Nuk ka patur koordinim për shumë çështje kur Kosova mund t’i shftytëzonte për situata të caktuara politike. Ndaj mendoj se ka shumë se kaq që të përmirësohet. Kosova humbi pozitën e vet dhe kjo do të na kushtojë në vitet e ardhshme” ka thënë Lushaku.
Kosova gjatë vitit 2025 u njoh nga Kenia, Sudani, Siria dhe Bahamas.
Këto njohje Kosova i priste prej vitit 2020 si rezultat i marrëveshjes së Uashingtonit ku Izraeli e njohu atë, kujton Kosova pres.
Në këtë periudhë gjatë vitit 2023 dhe 2024, Kosova kaloi përmes dy fazave për anëtarësi në Këshillin e Europës, por çështja e anëtarësisë ngeci nga rendi i ditës së takimit të ministrave të punëve të jashtme të Këshillit të Europës vitin e kaluar ku vendosej rreth kësaj.
Nën të, kërkesa e Kosovës për anëtarësi në Unionin Europian qysh prej vitit 2022 ende nuk është marrë për shqyrtim.
Ndërkaq presidentja kosovare Vjosa Osmani së fundmi ka thënë se Kosova hyn me “ritëm të ri” kur është fjala për sigurimin e njohjeve të reja ndërkombëtare dhe se në gjysmën e parë të këtij viti priten lajme të mira në këtë drejtim.
0 komentet