Joksimoviq: Nuk do të ketë ndryshim të politikës së jashtme të Parisit ndaj rajonit tonë

Aleksandra Joksimović
Burim: Kosovo Online

Drejtoresha e Qendrës për Politikë të Jashtme, Aleksandra Joksimoviq, deklaroi se turbulencat e fundit politike në Francë e kanë dobësuar pozitën e presidentit Emmanuel Macron, por se ai nuk do ta ndryshojë politikën e jashtme në raport me Ballkanin Perëndimor, si dhe procesin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës.

„E gjithë BE-ja është e fokusuar te Ballkani Perëndimor. Kjo në këtë moment është çështje sigurie dhe në këtë kontekst, jo vetëm nga Brukseli, por edhe nga vendet kryesore anëtare, e ato janë padyshim Franca dhe Gjermania, ekziston një vëmendje e veçantë ndaj asaj që ndodh në Ballkanin Perëndimor. Me një domosdoshmëri të madhe po vëzhgohet procesi i mëtejshëm i zgjerimit, në mënyrë që të stabilizohet uniteti në të gjithë territorin e Evropës dhe para së gjithash të forcohet kuadri i sigurisë“, deklaroi Joksimoviq për Kosovo online.

Ajo është e bindur se Franca do ta luajë rolin e saj edhe sa i përket dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës.

„Jam plotësisht e sigurt se në momentin kur dialogu të fillojë në një nivel adekuat, dhe e dimë se dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës për një periudhë të gjatë ka qenë në një farë mënyre i bllokuar, përveç në nivel teknik, jam e bindur se Franca do të luajë rolin e saj të deritanishëm“, saktësoi Joksimoviq.

Duke komentuar krizën politike që ka goditur Francën, ish-diplomatja vlerëson se për shkak të „krizës shumëvjeçare“, pozita e presidentit Emmanuel Macron është dobësuar.

Macron javën e kaluar emëroi Sébastien Lecornu si kryeministër të ri, pasi deputetët votuan mosbesimin ndaj kryeministrit të deritanishëm François Bayrou.

„Pozita e Macron-it është dobësuar për shkak të krizave tashmë të gjata politike, të cilat kryesisht lidhen me krizën parlamentare në kontekstin e miratimit të buxhetit. Kryeministri aktual është tashmë i treti me radhë që po përpiqet të propozojë një buxhet që mund të miratohet“, thotë Joksimoviq.

Lecornu është kryeministri i pestë i Francës në dy vitet e fundit, ndërsa Joksimoviq kujton se Macron ka tentuar ta zgjidhë krizën politike përmes zgjedhjeve, mirëpo kjo vetëm sa e ka ndërlikuar edhe më shumë situatën në këtë vend.

Megjithatë, ajo është e bindur se Macron nuk do ta ndryshojë politikën e jashtme të Francës.

„Politikën e jashtme me siguri ai nuk do ta ndryshojë. A është pozita e tij në përgjithësi e dobësuar? Sigurisht që po, në kontekstin e mundësisë për të propozuar disa zgjidhje ligjore, për të kaluar disa projekte nëpër parlament. Pra, kjo është diçka që e dobëson pozitën e tij, por në këtë moment është e qartë se Franca është një nga ato vende që i jep mbështetje të plotë Ukrainës, që është e gatshme të dërgojë trupa si garanci. Në këtë kontekst mendoj se ky lloj politike nuk do të ndryshojë“, vlerëson Joksimoviq.

Ajo shpjegon se Franca po përballet me një krizë serioze ekonomike: me deficit rekord dhe me një rejting kreditor në nivel historik.

„Ka një borxh që është më i madh se 114 miliardë euro dhe me këtë ka dalë në vendin e tretë në Evropë, pas Greqisë dhe Italisë“, thekson Joksimoviq.

Ajo shton se çështja e miratimit të buxhetit është çështje e „kursimit të parave“ në mënyrë që të stabilizohen financat publike, por se problem shtesë është këmbëngulja për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në kuadër të NATO-s.

„Kryeministri aktual, Lecornu, ka qenë ministër i mbrojtjes dhe është i njohur pikërisht për punën në rritjen e armatimit. Nga ana tjetër, Lecornu është një njeri që jo gjithmonë ka pasur shumë mirëkuptim për BE-në. Rrallë ka shkuar në takime në Bruksel. Ka marrëdhënie të shkëlqyera me ministrin e mbrojtjes të Gjermanisë, por duket se nga pozita e kryeministrit do t’i duhet të komunikojë shumë më ngushtë me Brukselin“, përfundon Joksimoviq.