A mund t'u paguajë Beogradi rrogat dhe pensionet serbëve në Kosovë në euro dhe çfarë konotacioni politik do të kishte kjo?

Severna Mitrovica, studenti
Burim: Kosovo Online

Pavarësisht periudhës kalimtare prej tre muajsh të caktuar nga autoritetet në Prishtinë pas hyrjes në fuqi të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e pagesave në dinarë më 1 shkurt, në muajin e gjysmë që ka kaluar, nuk është e qartë se çfarë ofroi Prishtina si zgjidhje për problemet që ky Dekret prodhoi në jetën e përditshme të serbëve. Ka sugjerime nga disa analistë se kriza e krijuar mund të tejkalohet duke paguar pagat, pensionet, ndihmat sociale në euro nga Serbia...

Megjithatë, ekonomistët paralajmërojnë se për një gjë të tillë është e nevojshme të ndryshohen rregulloret në Serbi dhe se për këtë duhet të merren parasysh pasojat politike që mund të sjellë një zgjidhje e tillë.

Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar tha dje se ka shqetësim për shpejtësinë e zbatimit të vendimit të BQK-së. Ishte një shembull shumë ilustrues që ai e prezantoi: Francës iu desh një vit për të futur euron, dhe Kosova e zbaton masën e BQK-së në tre javë në veri.

Të themi të vërtetën, në periudhën e tranzicionit, BQK dërgoi SMS në celularët e qytetarëve për të hapur llogarinë bankare në euro pa pagesë, si dhe vendosi linja telefonike dhe e-mail falas për ankesa. Mirëpo, megjithatë, radhët para degëve dhe ATM-ve të Bankës së Kursimeve Postare, ku mund të tërhiqen dinarët, nuk po pakësohen.

Ekonomisti Mihaillo Gajiq thotë për Kosovo online se Ligji për Veprimet Devizore dhe rregulloret tjera monetare nuk e lejojnë Serbinë që të kryejë pagesa për Kosovën në asnjë monedhë tjetër përveç dinarit, sepse territori i Kosovës dhe Metohisë shihet si pjesë e Serbisë edhe pse nuk administrohet nga Beogradi.

Në mënyrë që Serbia të mund të kryejë pagesa në euro për institucionet serbe në Kosovë, siç shpjegon Gajiq, duhet të ndryshohen këto rregullore në mënyrë që Kosova të futet edhe në pagesat ndërkombëtare si një opsion ku mund të paguhet në euro.

“Banka Popullore e Serbisë do të duhej të negocionte me Bankën Qendrore të Kosovës për krijimin e një mekanizmi të konvertimit nga dinarë në euro dhe nga euro në dinarë kur të bëhen pagesat e ndërsjella, dhe kjo është një fushë politike, jo ekonomike. BPS ka sisteme të tilla pagesash me të gjitha vendet fqinje. Prandaj duhet të aplikohen zgjidhjet ekzistuese, por korniza ligjore e Serbisë duhet të ndryshohet”, tha Gajiq për Kosovo online.

Mirëpo, ai thekson se marrëveshjet e mëparshme nga dialogu parashikonin që çështja e financimit të institucioneve serbe në Kosovë do të zgjidhej pas themelimit të Bashkësisë së Komunave Serbe, por se ende mundë të ishte “zgjidhur” me një vendim të njëanshëm të Prishtinës para formimit të BKS.

“Është bërë në një mënyrë që ligjërisht është mjaft e diskutueshme, por de facto Kosova ka të drejtë të vendosë se cila është monedha e saj kombëtare, pasi në Serbi, kursi ligjor është dinari”, thotë Gajiq.

Përveç rregullimit ligjor në Serbi, ai thekson se problem ka edhe në Kosovë pasi një pjesë e madhe e institucioneve serbe nuk janë të regjistruara sipas ligjeve të Kosovës.

“Kosova nuk i njeh sepse nuk janë të regjistruar në përputhje me ligjet e tyre. Për të qenë zyrtarisht në gjendje të pranoni para në llogarinë tuaj bankare, nëse jeni shkollë apo qendër shëndetësore, duhet të keni një fondacion, domethënë të jeni themeluar brenda urdhrit administrativ të Prishtinës. Dhe ky hap duhet të zgjidhet. Pra, edhe nëse Serbia fillon të paguajë në euro, që mendoj se do të jetë rezultati përfundimtar i çdo negociate që do të zhvillohet, përsëri mund të shfaqet ndonjë problem në atë transaksion pagese”, thotë Gajiq.

Zgjidhja e situatës, sipas mendimit të ish-sekretarit të përgjithshëm të Shoqatës së Bankave të Serbisë, Vlladimir Vasiq, duhet kërkuar përmes dialogut në nivel teknik pa hyrë në zonën e njohjes de facto të Bankës Qendrore të Kosovës dhe territorin e Kosovës si shtet i pavarur.

Siç thotë Vasiq për Kosovo online, asnjëherë nuk ka kohë të mjaftueshme për t'u përshtatur dhe se gjithçka është bërë papritur.

“Kjo, të paktën për mua si ekonomist, bankier, e gjitha ka ndodhur menjëherë. Sigurisht, fakti që euro ekziston atje që nga viti 2001, 2002, kur u zëvendësua marka gjermane, nuk është asgjë për t'u habitur, por nuk është një mënyrë për të ndryshuar një sistem të tërë brenda natës, mbi gjunjë, pa ditur se çfarë duhet bërë, ose të paktën në këtë anë, ne nuk kemi informacion të mjaftueshëm se çfarë mund të bëhet që njerëzit të marrin para. Gjëja 'më e lehtë' është të shkurtosh diçka, dhe nga ana tjetër shohim se si njerëzit nuk arrijnë të marrinë paratë e tyre dhe nuk mund të jetojnë. Koha po ikën dhe na duhet një zgjidhje sa më shpejt të jetë e mundur”, thotë Vasiq.

Në tërësi, siç thotë ai, ka dy dimensione - politike dhe njerëzore, gjegjësisht si të ndihmohen njerëzit në Kosovë që të marrin të ardhura, qoftë në euro apo dinarë.

“Sigurisht që do të donim të ishin dinarë sepse territori i Kosovës është pjesë përbërëse e Serbisë. Megjithatë, ne shohim se njerëzit në Kosovë kanë probleme me marrjen e dinarëve. Duhet të gjejmë një mënyrë, të paktën në nivel teknik, që personat fizikë të marrin autorizimet e tyre, qoftë duke paguar shtetin tonë euro në llogari dhe pastaj njerëzit tanë të tërheqin paratë. Për më të moshuarit, ndoshta zgjidhja do të ishte si kartat, t'i merrnin ato dhe ta lidhnin llogarinë me një llogari diku në Serbinë qendrore, megjithëse për ata të moshuar ndoshta problemi do të ishte se si të paguanin me kartela", thotë Vasiq.

Dimensioni i dytë, shton ai, ka të bëjë me atë se si Banka Qendrore e Serbisë mund të krijojë komunikim me BQK-në në nivel teknik, sepse “ekziston një zgjidhje se si të zbatohet kjo në praktikë”.

Vasiq gjithashtu beson se transferimi i parave për kompanitë publike dhe institucionet që marrin para nga buxheti i Serbisë do të jetë një sfidë më e madhe sesa kur bëhet fjalë për personat fizik, sepse pyetja është nëse ato institucione do të duhej të regjistroheshin në Agjencinë Kosovare për Regjistra të Bizneseve.

Profesori Timoti Les i Qendrës për Gjeopolitikë në Universitetin e Kembrixhit thotë për Kosovo online se ai nuk mendon se ndalimi i dinarit në Kosovë kërcënon rrënjësisht pozitën e serbëve që jetojnë në Kosovë, të cilët, beson ai, mund të përdorin eurot dhe të vazhdojnë të jetojnë jetenë pak, a shumë si deri tani, me kushtin që Serbia të jetë "e gatshme të financojë institucionet paralele dhe të paguajë pensionet dhe ndihmën sociale në euro".

“Kjo çështje nuk është aq praktike sepse ka një zgjidhje, është më shumë çështje e indinjatës së serbëve për të pranuar lëvizjen e Kosovës, e cila në nivel simbolik dërgon mesazhin se Kosova nuk është pjesë e Serbisë, dhe dëshmia e kësaj është se Kosova nuk e përdor dinarin, gjë që sigurisht serbët nuk e pranojnë, veçanërisht serbët që jetojnë në veri të Kosovës dhe që duan të mbeten pjesë e Serbisë dhe që e shohin veten si pjesë të Serbisë”, thotë Les.

Azem Vllasi, analist nga Prishtina, beson se Serbia nuk do të ishte problem që shumën e dinarëve që jep për serbët në Kosovë ta kthejë në euro, sipas të cilit, serbët që jetojnë në Kosovë përfitojnë më shumë nga euro, e cila është në qarkullim, për të gjitha nevojat e tyre ditore sesa dinari.

“Rrëfimi për dinarin po përdoret nga të dyja palët për qëllime të tjera. Përkatësisht, Vuçiq nuk po ngutet në dialog sepse nuk dëshiron zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe Aneksit të Ohrit të 18 marsit 2023. Për këtë është njoftuar Brukseli, përkatësisht Gjuzep Boreli dhe Mirosllav Lajçak, me një shkresë zyrtare nga kryeministrja Ana Brnabiq. Dhe kjo është e dobishme për kryeministrin Albin Kurti që të shmangë formimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, gjë që do ta dëshironte Vuçiq”, tha Vllasi për Kosovo online.

Siç shton ai, “nëse Vuçiq vërtet kujdeset për serbët e Kosovës, ai nuk duhet të debatojë për dinarët”.

“Por për të është më e rëndësishme që ta përdorë çështjen e dinarit për të bërë presion ndaj Kurtit nga faktorët ndërkombëtarë sesa për interesat reale të serbëve në Kosovë”, është mendimi i Vllasit.

Me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës, dinarët po zvogëlohen gjithnjë e më pak në Kosovë, pasi autoritetet e Kosovës kanë ndaluar dy herë hyrjen e dinarëve në Kosovë gjatë muajit të kaluar Banka e Kursimeve Postare ngriti degë të parafabrikuara në afërsi të vendkalimeve Jarinjë, Brnjak, Konçul dhe Merdar, në anën serbe, në mënyrë që arkat dhe ATM-të të jenë më afër klientëve të tyre dhe se nuk do të duhej të udhëtonin në degët në Rashkë, Pazari i Ri, Kurshumli, Vranjë, për të tërhequr të ardhurat e tyre.