Gajiq: Sipas rregullave monetare, Serbia nuk ka mundësi të bëjë pagesa në euro për Kosovën

Beograd_231221_Mihailo Gajić 04
Burim: Kosovo Online

Ekonomisti Mihailo Gajiq thotë se Ligji i këmbimit valutor dhe rregulloret e tjera monetare nuk e lejojnë Serbinë të kryejë pagesa për Kosovën në asnjë monedhë tjetër përveç dinarit, sepse territori i Kosovës dhe Metohisë konsiderohet pjesë e Serbisë edhe pse nuk administrohet nga Beogradi.

Në mënyrë që Serbia të mund të kryejë pagesa në euro për institucionet serbe në Kosovë, siç shpjegon Gajiq, duhet të ndryshohen këto rregullore në mënyrë që Kosova të futet edhe në pagesat ndërkombëtare si një opsion ku mund të paguhet në euro.

“Banka Popullore e Serbisë do të duhej të negocionte me Bankën Qendrore të Kosovës për krijimin e një mekanizmi të konvertimit nga dinarë në euro dhe nga euro në dinarë kur të bëhen pagesat e ndërsjella, dhe kjo është një fushë politike, jo ekonomike. BPS ka sisteme të tilla pagesash me të gjitha vendet fqinje. Prandaj duhet të aplikohen zgjidhjet ekzistuese, por korniza ligjore e Serbisë duhet të ndryshohet”, tha Gajiq për Kosovo online.

Mirëpo, ai thekson se marrëveshjet e mëparshme nga dialogu parashikonin që çështja e financimit të institucioneve serbe në Kosovë do të zgjidhej pas themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe, por se ende mundë të ishte “zgjidhur” me një vendim të njëanshëm të Prishtinës para formimit të AKS.

“Është bërë në një mënyrë që ligjërisht është mjaft e diskutueshme, por de facto Kosova ka të drejtë të vendosë se cila është monedha e saj kombëtare, pasi në Serbi, kursi ligjor është dinari”, thotë Gajiq.

Përveç rregullimit ligjor në Serbi, ai thekson se problem ka edhe në Kosovë pasi një pjesë e madhe e institucioneve serbe nuk janë të regjistruara sipas ligjeve të Kosovës.

“Kosova nuk i njeh sepse nuk janë të regjistruar në përputhje me ligjet e tyre. Për të qenë zyrtarisht në gjendje të pranoni para në llogarinë tuaj bankare, nëse jeni shkollë apo qendër shëndetësore, duhet të keni një fondacion, domethënë të jeni themeluar brenda urdhrit administrativ të Prishtinës. Dhe ky hap duhet të zgjidhet. Pra, edhe nëse Serbia fillon të paguajë në euro, që mendoj se do të jetë rezultati përfundimtar i çdo negociate që do të zhvillohet, përsëri mund të shfaqet ndonjë problem në atë transaksion pagese. Këto probleme tashmë po ndodhin brenda sektorit privat. Për shembull, kur individët, nga Beogradi dhe Prishtina kryejnë transaksione të ndërsjella, shpesh problemi është edhe nëse vula e bankës që përdoret për certifikimin e transaksionit të pagesës përmban informacionin 'Kosova' ose 'Republika e Kosovës'”, thotë Gajiq.

Siç vlerëson ai, pala serbe këtu është në pozitë shumë më të keqe për shkak se mbijetesa e institucioneve në Kosovë që janë të lidhura me institucionet serbe, si dhe jeta e punëtorëve në ato institucione, si dhe e njerëzve që marrin pensione, asistencë sociale dhe lloje të ndryshme të shtesave, varet drejtpërdrejt nga zgjidhja e kësaj çështjeje sa më shpejt që të jetë e mundur, qyshë sot.