A po dëmtohen planet e Prishtinës falë raporteve të ndera mes Athinës dhe Tiranës, apo mund të jenë të dobishme ?
Sytë e Prishtinës prej shumë kohësh janë përqendruar në Greqi e cila jo rrallë “shikohet” si hallka më e dobët mes pesë anëtarëve të Bashkimit Europian të cilat nuk e njohin Kosovën. Njëkohësisht, shkëndijat prej muajsh në aksin Athinë-Tiranë dhanë indicie spekulative se Greqia përmes çështjes së Kosovës mund të përdorë zgjidhjen e problemit që ka me Shqipërinë.
Rasti i arrestimit të kryebashkiakut grek të qytetit shqiptar Himara arriti deri tek ajo që Greqia të bllokojë procesin e negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë, por bashkëbiseduesit e Kosovo Onlajn njohës të proceseve politike në Greqi, thonë se ky problem nuk do të ndikojë në çështjen e Kosovës.
Pavarësisht vlerësimit të kryeministrit kosovar Albin Kurti se “Greqia është e para në listën e vendeve që i janë afruar njohjes së pavarësisë së Kosovës”, analistët thonë se aktualisht nuk ka shenja që Greqia të njohë Kosovën dhe se është pak e besueshme që në të ardhmen ajo të jetë e para nga vendet e BE që do të bënte një hap në këtë drejtim.
“Egzistojnë disa qarqe diplomatike në Greqi që besojnë se Greqia përmes Kosovës fiton Shqipërinë dhe kur është fjala për çështjen e pakicës greke dhe kur është fjala për përcaktimin e zonës ekskluzive ekonomike në det, çka është çështje e hapur me Shqipërinë. Por Greqia ka një qëndrim të qartë se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe për momentin nuk ka gjasa që kjo të ndryshojë. Mendimi im është se Greqia për çështjen do të udhëhiqet mbi të gjitha nga rezultatet e procesit të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, pra nëse vjen ndonjë përparim serioz në kuptimin e normalizimit të marrëdhënieve, atëherë mund të ketë ndryshim qëndrimi dhe me këtë parim do të udhëhiqen edhe vendet e tjera të cilat nuk e njohin Kosovën” thotë Nikos Pelpas, korrespondent i televizionit grek ERT nga Beogradi. Ai hedh poshtë mundësinë që Greqia të mund të jetë lëshuese ndaj çështjes së Kosovës me qëllim zgjidhjen me efikasitet të çështjeve të hapura me Shqipërinë.
“Nuk besoj se ka tolerancë. Greqia në vitet e fundit ka bërë shumë hapa në afrimin me Prishtinën, pasi mbizotëron qëndrimi se-nëse Sërbia mund të ketë marrëdhënie tregtare me Kosovën, atëherë përse jo dhe Greqia? Greqia kurrë nuk ka patur as raporte politike dhe as ekonomike me Kosovën. Ka veçse dy vite që Kosova ka zyrën e vet ndërlidhëse në Athinë. Tashmë mbizotëron qëndrimi se këtu diçka duhet ndryshuar, por nuk besoj se Greqia të shkojë deri aty të jetë e ndarë në mendimin nga pesë vendet e BE dhe që e vetme të vendosë për të njohur Kosovën. Kam përshtypjen se ky vendim do të varet nga qëndrimi i Sërbisë. Pra, nëse shkohet deri në normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës dhe nëse Sërbia nuk e njeh Kosovën, sepse askush nuk kërkon t’a njohë atë zyrtarisht, mendoj se atëherë të pesë vendet do t’a njohin Kosovën, por jo se ndonjë vend do t’a bëjë vetëm para se dialogu të përfundojë” thotë Pelpas.
Çështja e Kosovës, shton ai, krijon problem edhe brenda BE pasi nëse nuk zgjidhet, Kosova nuk do të mund të bëhet anëtare e BE “siç duan 22 nga 27 anëtarët e BE-së”.
“Nuk mund të pranohet ndonjë entitet i cili paraqitet si shtet nëse atë qoftë një shtet nuk e njeh. Dhe nuk besoj se, nëse nuk shkohet drejt zgjidhjes mes Beogradit dhe Prishtinës, Spanja apo Qipro të cilat janë të vendosura në qëndrimin e tyre se nuk do t’a njohin Kosovën, do të pranojnë që Kosova të jetë anëtare e BE. Për këtë besoj se BE tenton t’a fitojë Sërbinë, pra t’a 'detyrojë' që t’a njohë menjëherë Kosovën, jo de jure, por de fakto, që edhe ato vende që nuk e njohin Kosovën të ndryshojnë qëndrim” thotë Pelpas.
Për faktin se Greqia ka bllokuar procesin e negociatave të BE me Shqipërinë, bashkëbiseduesi ynë thotë se i tillë qëndrim i Greqisë bazohet në vlerësimin se Shqipëria nuk ka bërë asgjë për respektimin e të drejtave të minoriteteve.
“Gjykata e Lartë në Shqipëri nuk i dha leje kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i cili ndodhet në burg për akuzën e blerjes së votave gjatë zgjedhjeve vendore, të lirohet përkohësisht për të bërë betimin si kryetar bashkie çka nervozoi Athinën ku dy ditë para dhënies së vendimit nga gjykata, Edi Rama tha se lutja e Belerit do të hidhej poshtë. Dhe kjo është shenjë për qeverinë greke se organet e drejtësisë në Shqipëri nuk janë të pavarura”, spegon Pelpas.
Vasilis Nedos, komentator i politikës së jashtme nga Athina, thotë për Kosovo Onlajn se për Greqinë rasti Beleri lidhet me çështjen e shtetit ligjor.
"Të dy palët mbajnë qëndrimet e tyre. Kryeministri grek Mitsotakis tha pas Këshillit Europian se rasti Beleri nuk është çështje dypalëshe mes Greqisë dhe Shqipërisë, por ka lidhje me sundimin e ligjit dhe akinën europiane, ndërsa krejt kundër Edi Rama tha se për qeverinë e tij kjo është çështje dypalëshe që nuk ka lidhje me negociatat e anëtarësimit në BE. Greqia nuk ka interes të bllokojë bisedimet e anëtarësimit për Shqipërinë, por shteti i së drejtës dhe respektimi i të drejtave të grekëve në Shqipërinë e Jugut është shumë e rëndësishme për qeverinë greke”, thotë Nedos.
Sa i përket Kosovës, edhe Nedos beson se pozita e Greqisë është shumë e palëkundshme. “Sigurisht që egziston presion nga partnerët ndaj Greqisë, veçanërisht nga Gjermania dhe SHBA që të shkohet deri tek njohja e Kosovës, por do të thosha se njohja e saj është mundësi e largët. Gati një vit e gjysmë më parë është çelur në Athinë Zyra Tregtare Kosovare dhe prania e Kosovës në Athinë është përmirësuar diplomatikisht, por kjo është aq sa mund të bëjmë. Derisa vendet si Spanja apo Rumania, pa përmendur Qipron apo Sllovakinë, t’a njohin Kosovën, nuk jam i sigurt se Greqia do të bëjë një hap drejt njohjes. Do të thoja se njohja greke e Kosovës është mundësi e largët”, thotë Nedos.
Ndonëse zyrtarët kosovarë shpesh flasin se nga pesë vendet e BE që nuk e njohin Kosovën, Greqia do të jetë e para që do t’a bëjë këtë hap, bashkëbiseduesi ynë thotë se këtë e ka dëgjuar të paktën në pesë vitet e fundit, por që kjo ende nuk ka ndodhur.
“E pritshme që zyrtarët kosovarë të kenë të tillë qëndrim. Është rrugë e gjatë që diçka e tillë të ndodhë, nuk mendoj se diçka e tillë është e afërt tani. Në këtë moment do të prisja bashkëpunim të mëtejshëm mes Kosovës dhe Greqisë, ndoshta në formën e disa stërvitjeve ushtarake brenda NATO pasi Greqia është anëtare e saj, ndërsa NATO garanton sigurinë në Kosovë. Diçka e tillë mund të ndodhë. Gjithashtu egzistojnë kompani greke që janë të interesuara për projekte energjetike apo bashkëpunim ekonomik me Kosovën, por njohja e shtetësisë së Kosovës është diçka e largët” shpreh bindjen Nedos.
Analisti nga Tirana Ben Andoni thotë se nuk beson që problemet që ka Greqia në këto momente me Shqipërinë të mund të ndikojnë në çështjen e Kosovës.
“Çështja e Shqipërise me Greqinë është diçka që ndikon vetëm në raportet mes dy vendeve qysh nga koha kur janë vendosur marrëdhëniet diplomatike, e më pas gjatë Luftës së Dytë Botërore, në periudhën e pas luftës e deri më sot. Nuk besoj se problemet me të cilat Greqia ka momentalisht me Shqipërinë të mund të ndikojnë në çështjen e Kosovës. Po flasim për dy çështje krejtësisht të kundërta” thotë Andoni për Kosovo Onlajn.
Ky i fundit beson se Greqia në fakt dëshiron të luajë rolin e ndërmjetësuesit mes Kosovës dhe Sërbisë, por pa njohje të Kosovës.
“Këtë Greqia e bën që të fitojë sa më shumë rëndësi në sytë e Sërbisë. Besoj se kjo vlen në të gjitha aspektet. E para në aspektin ekonomik. E dyta në ndërtimin e urave të bashkëpunimit me Sërbinë pasi Greqia dëshiron të luajë rolin e ndërmjetësit me vendet e Bashkimit Europian të cilat kanë qëndrim pragmatist ndaj Kosovës. E treta se Greqia dëshiron të tregojë potencialin negociues me fuqitë e mëdha gjeostrategjike të Lindjes, para së gjithash me Rusinë, por dhe Kinën dhe Indinë” thotë Andoni. I tillë angazhim i Greqisë siç beson bashkëbiseduesi ynë, kryeministri kosovar Albin Kurti e shfrytëzon për konsum të brendshëm.
“Kurti këtë aksion të mençur të diplomacisë greke e shfrytëzon për konsum të brendshëm, për të cilën presidenti grek, kryeministri grek dhe Ministria e Punëve të Jashtme Greke kaq herë duhet t’a tregojnë me qëndrimin e vet rreth Kosovës dhe ishin kategorik që Kosova nuk do të njihet nga ana e Greqisë” thotë Andoni.
0 komentet