Zakonet e leximit në rajon: Teknologjia përparon, por librat nuk dorëzohen
Pavarësisht zhvillimit të përshpejtuar të teknologjisë, mediave digjitale dhe përdorimit gjithnjë e më të madh të telefonave celularë, libri në rajon vazhdon të ketë lexuesit e tij besnikë. Edhe pse informacionet janë më të qasshme se kurrë më parë dhe një pjesë të madhe të kohës së lirë e kalojmë para ekraneve, shumë njerëz ende zgjedhin të çlodhen duke lexuar një libër, të bindur se ai do të mbijetojë, sepse, siç thonë lexuesit dhe botuesit për Kosovo online, libri është i nevojshëm për njeriun.
Shkruan: Jellena Millenkoviq
Teknologjia mund të ofrojë shpejtësi dhe qasje të lehtë në informacione, por leximi i një libri ofron një përjetim të veçantë.
Prandaj, pavarësisht të gjitha ndryshimeve teknologjike, libri mbetet një pjesë e rëndësishme e kulturës dhe jetës së përditshme në rajon.
Ndërsa lexuesit më të rinj kryesisht lexojnë lektyra shkollore dhe literaturë popullore, duke krijuar kështu zakonet e leximit, të moshuarit orientohen drejt letërsisë bashkëkohore, letërsisë artistike dhe romaneve historike.
Faqet duhet të shfletohen me duar
Vizitorët e Panairit Ndërkombëtar të Librit në Beograd janë të bindur se librat do të mbijetojnë, sepse ekzistenca e tyre përfaqëson vazhdimësinë e zhvillimit të njerëzimit.
“Patjetër që do të mbijetojnë. Libri duhet të mbahet në duar, faqet duhet të shfletohen”, tha për Kosovo online Jellica Milliçeviq, profesoreshë e gjuhës serbe në Shkollën e Mesme Teknike në Velika Plana.
Megjithatë, bazuar në përvojën e saj, ajo paralajmëron se fëmijët po lexojnë gjithnjë e më pak, sepse në epokën e inteligjencës artificiale e kanë të mundur të marrin përmbledhjen e një vepre dhe analizën e personazheve vetëm “me një klikim”.
“Truri, ashtu si çdo organ tjetër, atrofizohet nëse nuk e ushtrojmë. Dhe kam frikë se, me informacionet që i marrin vetëm me një klikim, nuk do të mund ta ushtrojnë trurin. Ata i marrin informacionet shpejt dhe nuk arrijnë të mendojnë për to, nuk mund ta zhvillojnë mendimin kritik, të krijojnë gjykimet e tyre dhe as t'i argumentojnë qëndrimet e tyre. Ky është problemi”, tha Milliçeviq.
Dëshmi se ka lexues edhe në mesin e brezit të ri është 18-vjeçari Mihajllo nga Beogradi, i cili lexon me kënaqësi. Ai thotë se leximi e qetëson.
“Sigurisht që është më mirë sesa telefoni”, thotë ky nxënës i shkollës së mesme.
Zharko Radakoviq, shkrimtar dhe përkthyes i veprave të Peter Handkes, tha se në përgjithësi lexon gjithçka, megjithëse më së shpeshti lexon librat me të cilët merret vetë. I pyetur nëse libri do të arrijë t'i bëjë ballë digjitalizimit, ai përgjigjet se jo, por se gjithsesi do të mbijetojë.
“Si diçka unike, për të mos thënë arkaike. Njerëzit kanë nevojë për të. Digjitalizimi nuk mund të shmanget, ai po na tërheq të gjithëve në një drejtim, por libri, si diçka që përfaqëson vazhdimësinë brenda nesh, duhet të mbijetojë. Lexuesit do të jenë si një lloj sekti, ata që e duan leximin do t'i përkasin atij grupi, ndërsa të tjerët nuk do të lexojnë fare. Shoh se në rrugë të gjithë shikojnë telefonat, por lexues ka dhe do të ketë. Ndërsa nëse panairi do të vazhdojë të ekzistojë në këtë formë, këtë nuk e di”, tha Radakoviq për Kosovo online.
Edhe botuesit kanë përshtypjen se sot lexohet më shumë se më parë.
“Librat po ndryshojnë disi për nga vëllimi. Vëmendja nuk zgjat më si dikur, por mendoj se libri nuk po humbet asgjë. Përmbajtjet digjitale, versionet elektronike të librave apo librat audio, të cilët po përhapen gjithnjë e më shumë, janë elemente shoqëruese të ritmit të shpejtë të jetës. Libri është më shumë për rehatinë e shtëpisë, ndërsa format e tjera janë për situatat kur është e pamundur të nxjerrësh një libër për ta lexuar. Por edhe ato janë libra dhe të drejtat e autorit janë gjithmonë të mbrojtura. Autorët janë të kënaqur, ndërsa botuesit nuk humbasin shumë. E rëndësishme është të lexohet, burimi nuk është aq i rëndësishëm”, tha Aleksandar Tanurxhiq, redaktor në shtëpinë botuese “Prometej”.
Ai shton se lexuesit po orientohen drejt librave me tematikë gjeopolitike, të cilët depërtojnë thellë në të kaluarën.
Për të rinjtë lektyrat shkollore, të rriturit zgjedhin letërsinë bashkëkohore
Një nga institucionet më të rëndësishme kulturore në Leposaviq, Biblioteka Popullore “Sveti Sava”, u ofron dashamirësve të librit tituj të shumtë dhe një strehë kur i rëndojnë problemet e përditshme.
Në këtë institucion përpiqen ta afrojnë librin me të gjitha brezat, veçanërisht me më të rinjtë, dhe të sigurojnë qasje sa më të gjerë në libra, pavarësisht të gjitha sfidave.
Sipas përvojës së bibliotekares Tanja Niqiforoviq, ndër librat më të kërkuar janë lektyrat shkollore, ndërsa lexuesit më të rritur më së shpeshti zgjedhin letërsinë bashkëkohore, bestsellerët, romanet kriminalistike, por edhe rrëfimet historike dhe familjare.
“Fëmijët më së shpeshti kërkojnë lektyrat shkollore, ndërsa ndër titujt do të veçoja ‘Lesi kthehet në shtëpi’, ‘Djemtë e rrugës Pal’ dhe ‘Karremi’. Te lexuesit e rritur mbizotërojnë letërsia bashkëkohore, bestsellerët, romanet kriminalistike, por edhe rrëfimet historike dhe familjare. Ndër autorët më të kërkuar aktualisht janë Nora Roberts dhe Jo Nesbo”, tha Niqiforoviq për Kosovo online.
Ajo thekson se familja dhe prindërit luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e dashurisë për librin, pasi me shembullin e tyre mund të ndikojnë në krijimin e shprehive të leximit që në fëmijërinë e hershme.
“Është shumë e rëndësishme që fëmija të rritet me libra. Kur i lexohet, kur rritet me tregime dhe libra me ilustrime, libri bëhet pjesë e natyrshme e rritjes së tij. Edhe disa minuta leximi të përbashkët në ditë janë një hap i madh drejt asaj që fëmija ta dojë librin dhe të zhvillojë interesimin për fjalën e shkruar”, thekson ajo.
Ajo vëren se është veçanërisht e rëndësishme që edhe banorët e zonave më të vogla të kenë mundësi të barabarta për të pasur qasje në përmbajtje letrare cilësore.
“Investimi në fondin e librave është në fakt investim në arsim dhe, rrjedhimisht, në zhvillimin kulturor të të gjithë komunitetit. Biblioteka jonë përpiqet t'u sigurojë lexuesve qasje sa më të gjerë në libra, pavarësisht të gjitha sfidave me të cilat përballemi në Kosovë dhe Metohi”, tha Niqiforoviq.
Prandaj, ajo thekson se libri nuk duhet të shihet si detyrim, por si mundësi për të mësuar, për të njohur veten dhe botën që na rrethon, sepse libri zgjeron horizontet, pasuron njohuritë dhe na ndihmon ta kuptojmë më mirë veten dhe të tjerët
Prishtinë: Lexohet më pak, por libri vazhdon të ketë dashamirësit e tij
Disa qytetarë të Prishtinës vazhdojnë ta shijojnë leximin dhe nuk heqin dorë nga librat e shtypur, por ka edhe nga ata që, fatkeqësisht, pranojnë se gjithnjë e më rrallë marrin libra në duar.
Shitësit shprehen të pakënaqur për shkak të interesimit më të ulët, por dashamirësit e fjalës së shkruar nuk heqin dorë dhe besojnë se librat nuk do ta humbasin kurrë vlerën e tyre.
Njëra prej tyre tha për Kosovo online se lexon shumë, i pëlqen letërsia klasike dhe bestsellerët, ndërsa rekomandon librin “Më thuaj kush jam”.
“Të rinjtë duhet të lexojnë për ta pasuruar fjalorin dhe për të ëndërruar për diçka më të mirë se e tashmja”, tha ajo.
Nga ana tjetër, një i ri pranon se nuk lexon shumë dhe se kohën e lirë preferon ta kalojë duke shikuar përmbajtje të ndryshme.
“Nuk lexoj, vetëm shikoj. Kam lexuar mjaft gjatë shkollimit, por tani jo edhe aq”, pranon ai. Një avokat thekson se, për shkak të natyrës së punës, lexon shumë literaturë profesionale, por se i mungon koha për libra të tjerë. Si rekomandim veçon veprën e nobelistit serb Ivo Andriq.
“Rekomandoj ‘Ura mbi Drinë’ të Ivo Andriqit. Ka shumë libra të bukur për t'u lexuar, ekziston interneti, mundësitë janë të ndryshme dhe gama e materialeve për lexim është e gjerë, por koha është e kufizuar për shkak të detyrimeve familjare, profesionale dhe jetësore”, tha ai..
Megjithatë, përshtypja e shitësve ambulantë të librave është disi ndryshe. Atyre u duket se njerëzit po lexojnë më pak, pasi po blejnë më pak libra.
“Nuk e di pse është kështu, ndoshta njerëzit sot nuk janë si më parë, ne lexonim më shumë. Disa thonë se kjo ndodh për shkak të teknologjisë dhe se lexojnë në formate të tjera. Ndoshta është kështu, por vërehet se njerëzit po mbeten prapa. Nuk kanë fjalor të pasur, sepse kur dikush lexon dhe bisedoni me të, menjëherë e vëreni se është i lexuar”, tha shitësi i librave Florim Beqiri.
Maqedonasit lexojnë dhe po orientohen drejt autorëve vendas
Një përshtypje krejtësisht e kundërt vjen nga Shkupi. Elizabeta Popovska, nga shtëpia botuese “Matica”, thotë se interesimi për librat vazhdon të ekzistojë, madje ndoshta është rritur paksa, si dhe se lexuesit maqedonas kryesisht orientohen drejt librave që ofrojnë çlodhje, ndërsa gjithnjë e më shumë edhe drejt autorëve vendas.
“Mund të them lirisht se interesimi për librat vazhdon të ekzistojë. Ndoshta është rritur edhe paksa. Sa i përket asaj se çfarë lexojnë, nuk ka ndonjë rregull. Më së shumti lexohet letërsia artistike, por ka edhe nga ata që pëlqejnë libra nga fusha e shkencës, politikës dhe historisë”, tha Popovska për Kosovo online.
Ajo është veçanërisht e kënaqur që veprat e shkrimtarëve vendas po lexohen gjithnjë e më shumë dhe që në skenë po shfaqen gjithnjë e më tepër autorë maqedonas.
“Atyre u jepet mundësia, publiku i lexon, ata vazhdojnë të krijojnë dhe kjo është e shkëlqyer”, konstatoi bashkëbiseduesja.
Ajo thekson se librat më së shumti i blejnë lexuesit e moshës nga 20 apo 25 vjeç deri te ata 50 apo 60 vjeç. E gëzon fakti që edhe shumë pensionistë lexojnë.
“Pensionistët që janë 70 vjeç e lart lexojnë, vijnë rregullisht për të blerë libra, gjë që është vërtet një shenjë e mirë se edhe grupmoshat më të vjetra lexojnë, megjithëse mund të kenë probleme me shikimin. Megjithatë, grupmosha e mesme është më e përfaqësuara. Kjo nuk do të thotë se të rinjtë nuk lexojnë. Kemi edhe lexues të rinj, adoleshentë, madje edhe më të vegjël, por ata janë më pak të përfaqësuar”, tha Popovska.
komentet