Gjokutaj: Në Shqipëri nuk ka llogaritje për shpenzimet minimale, paga minimale vetëm për mbijetesë

Eduard Đokutaj
Burim: Kosovo Online

Analisti ekonomik nga Tirana, Eduard Gjokutaj, ka deklaruar se në Shqipëri nuk ekziston një statistikë zyrtare për shpenzimet minimale të jetesës, por paga minimale prej 412 eurosh nuk siguron një jetë të denjë, por vetëm „mbijetesë“, gjë që nxit gjithnjë e më shumë të rinjtë të largohen nga vendi.

„Në vendin tonë nuk ka një qasje zyrtare për shpenzimet minimale të jetesës që do të përfshinin jo vetëm nevojat bazë, por edhe shpenzimet për strehim, shëndetësi dhe arsim. Për shkak të mungesës së një metode shtetërore apo kalkulimesh të publikuara, ekspertë të ndryshëm, përfshirë edhe analistë të pavarur, vlerësojnë se minimumi ekzistencial mujor për një person është ndërmjet 24.000 dhe 26.000 lekëve (247 – 268 euro), ndërsa për një familje me katër anëtarë ndërmjet 90.000 (929 euro) dhe 100.000 lekëve (1.032 euro). Është e qartë se shuma e përmendur nuk mjafton për të mbuluar të gjitha shpenzimet e domosdoshme dhe për të siguruar një standard të denjë“, deklaroi Gjokutaj për Kosovo online.

Ky ekspert thotë se, sipas statistikave zyrtare, paga minimale në Shqipëri këtë vit është 40.000 lekë (412 euro).

„Kjo nuk mjafton për të pasur një jetë të denjë. Për një jetë dinjitoze nuk duhet të shpenzojmë vetëm për ushqim, energji apo gjërat bazë, por duhet të kemi qasje edhe në shërbime të tjera. Edhe pse paga minimale është pak më e lartë se minimumi ekzistencial, njerëzit që punojnë prapë ndihen të varfër. Pra, njerëzit kalojnë shumë kohë duke punuar, por kjo nuk u siguron të ardhura në përputhje me punën që bëjnë“, thotë Gjokutaj.

Ai shpjegon se pa ndryshime të qarta nuk është e mundur të ngadalësohet ritmi i largimit, sidomos i të rinjve nga Shqipëria.

„Të rinjtë nuk ndihen të sigurt dhe nuk shohin një perspektivë ekonomike që do t’u siguronte të ardhura për një jetë dinjitoze“, thekson Gjokutaj.

Ai nënvizon se paga minimale në Shqipëri është rritur këtë vit, por se „shumë punëtorë ende jetojnë në varfëri“.

„Ata ndiejnë presion ekonomik dhe nuk kanë mundësi të kenë një jetë stabile pavarësisht angazhimit të madh në punë. Kjo nxit valën e emigrimit të atyre që nuk ndihen të sigurt ekonomikisht dhe nuk shohin perspektivë që puna t’u sigurojë një jetë dinjitoze, gjë që, nga ana tjetër, ul konsumin, e bën ekonominë të brishtë dhe zvogëlon shanset për një të ardhme më të mirë“, saktëson ky analist ekonomik.

Prandaj, shton ai, Shqipëria, së bashku me Kosovën, është në fund të Ballkanit Perëndimor për sa i përket "rritjes së mirëqenies së popullsisë".

"Ne nuk i llogarisim shpenzimet publike sociale, të cilat duhet të jenë një politikë e dedikuar jo vetëm për standardin minimal të jetesës, por edhe për rritjen e mirëqenies së popullsisë, e cila duhet të rezultojë nga rritja ekonomike e vendit. Në këtë drejtim, ne jemi ndër vendet e fundit në rajon. Prandaj, rritja e të ardhurave në vendin tonë nuk pasqyron rritjen ekonomike", beson Gjokutaj.

Ai deklaron se Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut "shpenzojnë më shumë për çështjet sociale" në buxhetet e tyre.

"Shqipëria dhe Kosova kanë një përpjekje në rritje për të rritur këto fonde, por ato mbeten të pamjaftueshme. Pasi qeveria e re (e Shqipërisë) prezantoi programin e saj, ajo nuk duhet të mburret vetëm me atë që ka bërë në të kaluarën, por edhe në buxhetin për vitin 2026 dhe për vitet në vijim. Sigurisht, shpenzimet publike duhet të rriten meqenëse momenti në të cilin jetojmë kërkon një rritje të shpenzimeve publike", përfundon Gjokutaj.