Hill: Dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës duhet rishikuar, përparimi është shumë i ngadalshëm
Ish-ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, theksoi se dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës duhet të rishikohet, pasi përparimi deri tani ka qenë shumë i ngadalshëm, duke shtuar se një proces i orientuar drejt rezultateve të arritshme është rruga e duhur.
Në një intervistë për Kosovo online, Hill vlerësoi se qasjet e ndryshme kanë sjellë njëfarë konfuzioni, duke shtuar se do të donte të shihte një proces që realisht shkon drejt normalizimit, në mënyrë që njerëzit që jetojnë, qoftë në Mitrovicë apo diku tjetër, të zgjohen në mëngjes dhe të dinë se si do të jetë jeta e tyre.
I pyetur nëse Komiteti për Paqe i iniciuar nga Donald Trump mund të ofrojë një zgjidhje për çështjen e Kosovës, Hill tha sinqerisht se nuk e di, duke theksuar se bëhet fjalë për një problem kompleks, se i njeh si serbët ashtu edhe njerëzit në Kosovë dhe se dialogu është i domosdoshëm.
“Duhet të njihen me njëri-tjetrin, në vend që të mbeten në anë të kundërta të tryezës dhe të bërtasin ndaj njëri-tjetrit, dhe nuk mendoj se procesi duhet të vazhdojë në formën që ka tani”, tha Hill.
Në kontekstin e Strategjisë së re Kombëtare të Mbrojtjes, Hill u pyet se si iniciativat amerikane të mbrojtjes dhe sigurisë mund të ndikojnë në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe cilat janë rreziqet dhe mundësitë për stabilitetin rajonal.
Së pari, mendoj se po hyjmë në një epokë në Evropë ku nuk bëhet më fjalë vetëm për ekonomi. Ka shumë çështje sigurie. Ukraina e ka ndryshuar vërtet lojën. Është shumë e rëndësishme që vendet jo vetëm të jenë në gjendje të mbrohen, por, sinqerisht, të mendojnë seriozisht për mbrojtjen kolektive. Maqedonia e Veriut është, natyrisht, anëtare e NATO-s. Serbia nuk është. Dhe në një moment, të gjithë pyesin veten se çfarë lloj mbrojtjeje kolektive u nevojitet. Serbia, për shembull, ka një ushtri shumë të aftë dhe duhet të shqyrtojë se si mund të bashkëpunojë. Mendimi im, e di që tingëllon ekstrem, është se Serbia duhet t’i hedhë një vështrim NATO-s dhe NATO duhet t’i hedhë një vështrim Serbisë. Është një mënyrë tjetër e të parit të gjërave, por mendoj se jemi në një epokë tjetër dhe duhet të kuptojmë se jetojmë në një kohë të rrezikshme dhe të shohim se si mund ta kalojmë këtë së bashku
Çfarë rreziqesh dhe mundësish krijon kjo qasje për stabilitetin rajonal afatgjatë në Ballkanin Perëndimor?
Rreziku qëndron në faktin se, kur përpiqesh të ndryshosh gjërat dhe t’i bësh ndryshe, një pjesë e popullsisë mund të ndihet e shqetësuar. Njerëzit nuk u pëlqen të ngasin makinën në një autostradë ku shkohet majtas e djathtas, ata duan të ecin drejt. Prandaj, gjërat duhet t’i shpjegohen publikut. Publiku është shumë nervoz, nëpër vende, në mbarë botën. Për këtë arsye mendoj se sot është shumë e rëndësishme që qeveritë t’u shpjegojnë qytetarëve të tyre se çfarë po përpiqen të bëjnë për ta bërë vendin më të sigurt, për të garantuar siguri dhe stabilitet. Kjo është gjëja e parë. Dhe e dyta është të mos themi se po shkojmë drejt luftës, sepse nuk mendoj se po shkojmë, por mendoj se mënyra më e mirë për të parandaluar konfliktin është të jesh i përgatitur. Kur je i përgatitur, shanset janë që të mos ketë konflikt.
Si mund të ndikojë kjo qasje në dialogun Kosovë–Serbi krahasuar me përpjekjet e mëparshme, më shumë të drejtuara nga procesi i SHBA-ve dhe BE-së?
Mendoj se dialogu realisht është i nevojshëm dhe duhet rishikuar. Përparimi deri tani ka qenë shumë i ngadalshëm. Ka pasur qasje të ndryshme që kanë sjellë njëfarë konfuzioni. Personalishht do të doja të shihja një proces që realisht synon normalizimin dhe që qartë tregon se njerëzit që jetojnë, qoftë në Mitrovicë apo diku tjetër, mund të zgjohen në mëngjes dhe të dinë si do të jetë jeta e tyre. Mendoj se procesi i normalizimit, i orientuar drejt rezultateve të arritshme, është rruga e duhur.
A mund të çojë presioni për një “marrëveshje të shpejtë” në një zgjidhje të paqëndrueshme ose të paplotë — ose, alternativisht, të thyejë bllokimin shumëvjeçar?
Marrëveshjet e shpejta shpesh nuk janë të menduara mirë. Rezultati është që dikush mund të mendojë se marrëveshja i përshtatet, pastaj ta rishikojë gjatë natës dhe nuk do ta pranojë më. Pra, nëse po blini një shtëpi apo një marrëveshje paqësore, duhet ta shihni me kujdes se çfarë po blini. Për këtë arsye mendoj se marrëveshjet e shpejta, që funksionojnë për blerjen e një kompanie apo diçka të ngjashme, nuk funksionojnë për marrëdhëniet ndërmjet shteteve.
Në çfarë mase mund të ndikojnë garancitë e sigurisë, tërheqja e armëve ose iniciativat e lidhura me SHBA-të dhe NATO-n në dialogun Beograd–Prishtinë?
Garancitë e sigurisë janë shumë të rëndësishme në shumë rrethana, por duhet të jenë garanci reale dhe të kenë mbështetjen e popullsisë përkatëse. Pra, të kërkosh nga SHBA që të marrin garanci shtesë sigurie, pa pyetur në të vërtetë popullin, do të thotë të krijosh mundësinë për një garanci sigurie pa mbështetjen themelore që ajo ka nevojë. Pra, si shumë gjëra të tjera, edhe këtë duhet ta trajtosh me shumë kujdes dhe me kuptimin se nëse arrini diçka të tillë, duhet të funksionojë vërtet.
Çështja e Kosovës ende nuk është zgjidhur. Fillimisht ishte nën ombrellën e OKB-së, dhe tani pa sukses, po negociohet me ndërmjetësimin e BE-së. A mund të ofrojë Komiteti i Paqes i Trump një zgjidhje?
Nuk kam ide. E di që është një problem kompleks. Njoh serbët, sepse kam jetuar në Serbi dhe e di që kanë qëndrime shumë të forta për këtë çështje. E di që edhe njerëzit në Kosovë kanë qëndrime shumë të forta. Mendoj se u nevojitet dialog. Duhet të punojnë për këtë, edhe në plan të dytë. Duhet të njihen me njëri-tjetrin, në vend që të qëndrojnë në anë të kundërta të tryezës dhe të bërtasin ndaj njëri-tjetrit, dhe nuk mendoj se procesi duhet të vazhdojë në formën që ka tani.
A ka administrata e Trump një qasje krejt tjetër ndaj Ballkanit Perëndimor?
Jam skeptik ndaj njerëzve që e shohin problemin shumë shkurt dhe mendojnë se ekziston një zgjidhje e lehtë.
0 komentet