KUSH ËSHTË-Emili Rakhorst: Ushtruesja e detyrës së shefes së Euleks, eksperte për të drejtën ndërkombëtare, e mirënjohur me punën në Gjykatën Speciale në Hagë

Emili Rakhorst
Burim: Euleks

Emili Rakhorst është eksperte për gjyqësorin ndërkombëtar penal, veçanërisht në fushat e krimeve të luftës, forcimit të sundimit të ligjit dhe koordinimit të reformave gjithëpërfshirëse të sektorit të gjyqësorit. Në periudhën vijuese do të ushtrojë detyrën e shefes së Misionit EULEKS në Kosovë.

E lindur në Holandë, posedon diplomën për jurispudencë me specialitet penaliste në Universitetin e Groningenit në Holandë.

"Përherë kam ndjerë motivim të brendshëm për të luftuar për drejtësi dhe kundër pabarazisë, duke u dhënë zë atyre që nuk u lejohet të kenë. Përherë kam besuar fuqishëm se nuk mund të kesh drejtësi pa ditur se gjithë të tjerët përreth teje ushtrojnë të drejtat e tyre dhe ndaj tyre sillen barazisht. Kultura holandeze me të cilën jam rritur sigurisht që më ofroi terren pjellor në këtë drejtim. Duke u rritur, nuk kam ndjerë kurrë se nuk më janë dhënë të njëjtat mundësi si djemtë apo burrat rreth meje", spegoi Rakhorst.

Si këshilltare ligjore ndërkombëtare e specializuar penaliste në mjedise konfliktuale e postkonfliktuale, rruga profesionale e Emili Rakhorst përfshin role në misione civile të Unionit Europian (UE) për menaxhimit të krizave, në Kombet e Bashkuara (KB), si dhe në institucione gjyqësore ndërkombëtare.

"Në fund të fundit, drejtësi do të thotë korrigjim të asaj që është e gabuar. Megjithatë, drejtësia ka të bëjë edhe me barazinë dhe respektin për të drejtat e njeriut të të gjithëve", spegon Emili, duke theksuar se mbajtja e fokusit të qëndrueshëm në elementin njerëzor në administrimin e drejtësisë penale, është thelbësore. Nuk duhet të harrojmë se si viktimat ashtu edhe të akuzuarit kanë të drejtat e tyre dhe se secili ka nevoja specifike individuale. Diversiteti dhe përfaqësimi i barabartë në kuadër të aktorëve të ndryshëm të sistemit të drejtësisë-qoftë policia, prokurorët, gjyqtarët apo zyrtarët e burgjeve-është një nga mjetet kryesore për të siguruar spektër të ekuilibruar e të larmishëm aftësish, mënyrës së të menduarit dhe kompetencave", tha ajo në intervistë të publikuar në uebsajtin e EULEKS.

Rol domethënës dhe në formimin e Odave të Specializuara të Kosovës në Hagë

Shërbeu në fumksionin e shefes së Njësisë së Drejtimit të Gjykatave në kuadër të Sekretariatit të Odave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke dhënë kontribut të dukshëm në ekipet fillestare të planifikimit të CSDP që themeluan Gjykatën Speciale.

“Përjetimi i të drejtave humane pa diskriminim është synimi final”

Për çështjen e të drejtave të njeriut, ushtruesja e detyrës së shefit të EULEKS thekson si vijon:

"Kur flasim për standardet ndërkombëtare dhe europiane të të drejtave të njeriut, duhet të jemi të vetëdijshëm se ato përfaqësojnë vetëm minimumin. Përjetimi i të drejtave të njeriut pa diskriminim, është synimi final dhe zbatimi i qëndrueshëm dhe efikas i këtyre të drejtave kërkon kuptim të thellë të mirëkuptimit real të viktimave, si dhe kontekstin vendor. Praktikat më të mira europiane ofrojnë shembuj të zbatimit të standardeve, por nuk egziston zgjidhje universale kur bëhet fjalë për drejtësi” bën të ditur ajo.

Në projektin e përbashkët të EULEKS dhe UNICEF në Kosovë, që është i përqëndruar tek përmirësimi i trajtimit të rasteve të dhunës seksuale dhe abuzimit të fëmijëve në sistemin gjyqësor e policor, por edhe në kornizën më të gjerë institucionale e sociale, bëhet e ditur se është i nevojshëm krijimi i rrjetit të qëndrueshëm mbrojtës.

"Kur bëhet fjalë për rastet penale për fëmijët, rëndësia e qasjes gjithëpërfshirëse dhe ndërinstitucionale është më evidente se kurrë. Fëmijët janë viktima të dhunës me bazë gjinore dhe vetëm përgjigje e ndjeshme gjinore mund të kontribuojë në shërimin, drejtësinë dhe kurimin e tyre. Duhet të krijojmë rrjet të qëndrueshëm mbrojtës rreth fëmijëve. Jam jashtëzakonisht krenare për punën që po bën EULEKS në këtë drejtim".

Ka punuar dhe në Armeni, Gjeorgji dhe bregun Perëndimor 

Gjatë karierës ka ushtruar të gjitha funksionet që shpesh kanë kërkuar koordinim intensiv me aktorë të ndryshëm në gjyqësor dhe donatorët. Ndër piketave të rëndësishme, spikat kontributi në themelimin e misionit inovativ të BE në Armeni, puna e saj në ekipin për planifikim të Odave të Specializuara dhe Regjistrit të Kosovës në Hagë, si dhe kontributi në krijimin e policisë për të miturit në Bregun Perëndimor, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të të rinjve.