KUSH është KUSH – Arben Taravari: Viktimë apo “lojtar” i përçarjeve shqiptare në Maqedoninë e Veriut?

Qeverinë e Maqedonisë së Veriut e ka akuzuar se është nën ndikimin e Beogradit, por ai kurrë nuk i ka fshehur “marrëdhëniet vëllazërore” me autoritetet në Prishtinë dhe Tiranë. Për këtë arsye, ai është kundërshtuar arrestimeve të ish-pjesëtarëve të UÇK-së sipas fletë-arrestimeve të Interpolit, por edhe qëndrimit që ka koalicioni VLEN ndaj përfaqësimit të shqiptarëve në institucione. Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, javën e kaluar dha dorëheqje nga posti i ministrit të Shëndetësisë dhe tani është pjesë e bllokut opozitar.
“Këtë vendim e marr pas një vlerësimi të kujdesshëm, personal dhe profesional, i bindur se ky hap është në interesin më të mirë të institucionit dhe parimeve të mia personale”, theksoi Taravari në dorëheqjen e tij me shkrim drejtuar kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
“Mendoj se zoti Taravari dhe disa njerëz rreth tij janë të vendosur të kthehen në përqafimin e Ali Ahmetit (BDI). Gjithçka që më mbetet është t’i uroj fat”, u shpreh kryeministri maqedonas.
Taravari më herët ka theksuar se prej kohësh “ndien pakënaqësi” ndaj parimit të “balancuesit”, i cili parashikon përfaqësim të drejtë të komuniteteve etnike në institucionet shtetërore.
“Nuk ka lindur askush në qeveri”, ishte mesazhi i tij.
Megjithatë, momenti kyç i ndarjes erdhi pasi u bë e ditur se në zgjedhjet e ardhshme lokale ai do të dalë në koalicion me partinë opozitare shqiptare BDI.
Mickoski e quajti një mundësi të tillë të papranueshme.
Por, edhe më e çuditshme është fakti që Taravari planifikon një koalicion me liderin e BDI-së, të cilin më parë e kishte akuzuar se “e ka keqtrajtuar popullin” dhe është marrë me “afera korruptive”.
“Në momentin kur ambasada amerikane e shpalli Ali Ahmetin në listën e zezë si person të përfshirë në çështje korruptive, dhe vetë Ahmeti për 22 vite e ka keqtrajtuar popullin duke e varfëruar atë dhe pasuruar nipërit e tij, t’i jepet atij ‘Çelësi i Prishtinës’ më duket absurditet dhe fyerje, sidomos për ne shqiptarët në Maqedoni”, kishte shkruar ai në Facebook në dhjetor të vitit të kaluar.
Pas dorëheqjes së tij nga qeveria, Taravari tha se Aleanca për Shqiptarët do t’i bashkohet opozitës.
Megjithatë, duket se përçarjet brenda bllokut qeverisës shqiptar dhe koalicionit VLEN nuk i kanë anashkaluar mosmarrëveshjet në partinë e tij, prandaj mediat maqedonase po spekulojnë gjerësisht se, përveç pozicionit ministror, Taravari do të mbetet pa karrigen e kreut të partisë së tij.
Konfirmimi për këtë pretendim erdhi disa ditë më parë nga Prishtina.
Në takimin e Aleancës për Shqiptarët me kryeministrin në mandat teknik, Albin Kurti, të gjithë ishin të pranishëm - përveç tij.
“Ajo që na bashkon sot, më shumë se kurrë, është vizioni dhe ideali ynë i përbashkët për përparim dhe zhvillim, një ideal që nuk njeh kufij”, shkroi zëvendëskryeministri maqedonas Arben Fetaj, i cili thuhet se tashmë do të marrë drejtimin e partisë.
Taravari më parë akuzoi qeverinë në të cilën ai bënte pjesë se Serbia dhe presidenti i saj Aleksandar Vuçiq kanë një ndikim të madh në të.
Njëkohësisht, ai theksonte “marrëdhënie vëllazërore” si me Prishtinën, ashtu edhe me Tiranën.
“Kjo është thjesht një komunikim vëllazëror mes nesh. Natyrisht, flasim për sfidat nëpër të cilat kemi kaluar dhe për sfidat e ardhshme, çfarë mund të bëjmë për Kosovën dhe çfarë Kosova mund të bëjë për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi ai në prill të vitit të kaluar pas një takimi me Albin Kurtin.
I lindur në vitin 1973 në Gostivar, Taravari përfundoi shkollën e mesme mjekësore dhe më pas Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, ku u diplomua në vitin 1998. Ai u specializua në neurologji dhe që nga viti 2010 është profesor i rregullt në këtë fakultet, si dhe shef i disa repartamenteve në Spitalin Universitar.
Për herë të parë u emërua ministër i Shëndetësisë në qeverinë e Zoran Zaevit në vitin 2017. Por këtë detyrë e ushtroi shkurtimisht, nga korriku deri në tetor, kur dha dorëheqje dhe fitoi në zgjedhjet lokale për kryetar komune të Gostivarit.
Këtë sukses e përsëriti edhe katër vite më vonë.
Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, si kandidat i Aleancës për Shqiptarët, i mbështetur gjithashtu nga Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike, fitoi 9.46 për qind të votave.
Gjatë fushatës u angazhua për ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që shqiptarëve t’u garantohej një nga tre funksionet kryesore: presidenti, kryeministri ose kryetari i Kuvendit.
Ai vlerësonte se në Kushtetutën e re duhet të njihet edhe pakica bullgare, por edhe të përmendet qartë gjuha shqipe.
Në qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, ai u bë ministër i Shëndetësisë. Dorëheqjen e dha më 15 maj.
Taravari është i martuar dhe ka dy fëmijë.
0 komentet