KUSH është KUSH – Fatmir Limaj: Dikur e kritikoi Kurtin, pastaj i ofroi dorën, tani në rrezik të mbetet nën pragun zgjedhor

Fatmir Ljimaj
Burim: Kosovo Online

Ndryshe nga zgjedhjet e 9 shkurtit, kur ishte në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) të Ramush Haradinajt, Nisma Socialdemokrate (Nisma) e Fatmir Limajt më 28 dhjetor do të dalë në zgjedhje e vetme. Bisedimet me partitë më të mëdha për koalicion nuk dhanë rezultat, ndaj ish-zëvendëskryeministri, ministri i transportit dhe telekomunikacionit, dhe një nga komandantët e dikurshëm të UÇK-së me nofkën “Çeliku”, sipas vlerësimeve të analistëve, rrezikon që sërish, si në vitin 2021, të mbetet jashtë parlamentit.

Pas zgjedhjeve të shkurtit, partisë së Limajt i takuan tre mandate, të cilat mund të kishin luajtur rolin e një “jelek shpëtimi” për Albin Kurtin gjatë muajve të kaluar, sikur Kurti të kishte pasur situatë të qartë me përkrahjen e deputetëve të pakicave jo-serbe për të formuar qeverinë e tij të tretë.

Në fund të tetorit, Limaj deklaroi se Nisma nuk dëshiron të shkojë në zgjedhje dhe se i kishte ofruar Kurtit, kryeministër në mandat teknik, që tre deputetët e Nismës të mbështesin qeverinë “Kurti 3” pa marrë pjesë në kabinet. Por, sipas tij, Kurti kishte kërkuar partneritet të plotë dhe që Limaj të bëhej pjesë e qeverisë.

Kur zgjedhja e Kurtit për kryeministër dështoi në parlament, dhe Vetëvendosje propozoi Glauk Konjufcën si mandatar të ri, Limaj u shpreh se ky propozim vinte si pasojë e “llogarive zgjedhore” dhe se ai nuk do të votojë për agjenda partiake ose zgjedhore.

Pas shpalljes së zgjedhjeve të reja për 28 dhjetor, Nisma, sipas Limajt, ishte në kontakt me Lidhjen Demokratike të Kosovës për të tentuar arritjen e një marrëveshjeje për garë të përbashkët. Në media u përfol edhe për bisedime me PDK-në, por Limaj mohoi që të ishte arritur ndonjë marrëveshje.

Në fund, Nisma del para votuesve e vetme.

Ndryshe, karrierën politike Limaj e nisi si një nga themeluesit e Partisë Demokratike të Kosovës, në të cilën u kyç pas përfundimit të konfliktit në Kosovë. Nismën Socialdemokrate e themeloi në vitin 2014 së bashku me Jakup Krasniqin, ish-anëtar i PDK-së, i cili aktualisht po gjykohet para Gjykatës Speciale në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Edhe ndaj Limajt, në vitin 2003 u ngrit aktakuzë për krime lufte para Tribunalit të Hagës, duke iu vënë në barrë pjesëmarrja e supozuar në krimet e kryera në zonën e Llapushnikut dhe në kampin e Llapushnikut në vitin 1998. Ai u arrestua më 18 shkurt 2003, ndërsa me aktgjykimin e 30 nëntorit 2005 u shpall i pafajshëm dhe u lirua. Lirimi u konfirmua edhe nga Gjykata e Apelit më 27 shtator 2007.

Ai është gjykuar disa herë edhe në Kosovë.

Ka qenë i akuzuar për krim të organizuar dhe keqpërdorim të detyrës në kohën kur ishte ministër i transportit dhe telekomunikacionit (2008–2010). Pas një procesi shtatëvjeçar, në vitin 2017 u shpall i pafajshëm.

Për një krim të supozuar lufte kundër popullatës civile u gjykua në vitin 2017. Në barrë i vihej se nuk kishte marrë masa të arsyeshme për të parandaluar vrasjen e dy civilëve shqiptarë të Kosovës ndërsa ishte komandant i UÇK-së në tetor 1998. Në këtë rast, Gjykata e Apelit në vitin 2018 konfirmoi aktgjykimin që e shpallte Limajn të pafajshëm.

Kundërshtar i AKS

Para dy vjetësh, Limaj deklaroi se ai dhe partia e tij janë kategorikisht kundër themelimit të Asociacionit të Komunave serbe, ndërsa për planin franko–gjerman tha se nuk i ofron asgjë Kosovës dhe se vetëm e shtyn krizën për 10–20 vjet.

“Një draft i tillë i statutit të AKS-së kurrë nuk do të marrë miratimin tim. Ai nuk i normalizon marrëdhëniet, por hap konflikte të reja. Është një konflikt i hapur dhe i përhershëm mes dy popujve”, tha Limaj në shkurt 2024 në lidhje me draftin evropian të ofruar për statutin e AKS-së.

Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve e arritur në dialog në vitin 2023, sipas tij, përbënte një hap prapa për Kosovën, sepse ishte përqendruar te AKS dhe jo te njohja e ndërsjellë, ndërsa pas arritjes së Aneksit të Ohrit kërkoi dorëheqjen e Kurtit.

Kritika të ashpra ndaj Kurtit

Para zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, ai ishte një kritik i ashpër i Albin Kurtit, duke thënë se ai dhe qeveria e tij po gënjejnë bashkësinë ndërkombëtare dhe se Kosova do të përballet me pasojat e keqqeverisjes së Kurtit për 100 vitet e ardhshme.

“Mendoj se dështimi më i madh i kësaj qeverie është sjellja e saj në veri dhe dëmi më i madh që i është shkaktuar Kosovës është pikërisisht mënyra se si i është afruar veriut”, tha Limaj vjeshtën e kaluar, duke fajësuar qeverinë se për shkak të situatës në veri ka prodhuar sanksione nga Bashkimi Evropian dhe se pozita e Kosovës në arenën ndërkombëtare është ‘zero’.”

Ai deklaroi gjithashtu se qeveria po udhëheq përmes traumës, polarizimit shoqëror dhe frikës, dhe se Kosova është bërë “delja e zezë” e rajonit sepse ata që e udhëheqin nuk marrin përgjegjësi.

Gjatë qeverisë së Ramush Haradinajt, në të cilën ishte zëvendëskryeministër, në vitin 2018 ai ishte propozuar si anëtar i ekipit qeveritar që do të udhëhiqte dialogun me Beogradin, megjithëse në atë kohë dialogu zhvillohej në nivelin president Hashim Thaçi – Aleksandar Vuçiç. Në opinionin kosovar, formimi i ekipit negociator të qeverisë u interpretua si pjesë e konfliktit mes Thaçit dhe Haradinajt. Në fund, Gjykata Kushtetuese rrëzoi “ligjin për dialogun” me të cilin Haradinaj e kishte kaluar dialogun tek ekipi qeveritar, duke ia hequr kompetencat Thaçit.

Juristi nga Suhareka

Limaj ka lindur më 4 shkurt 1971 në fshatin Banjë, në komunën e Suharekës. Ai ka përfunduar Fakultetin Juridik në Prishtinë.

Ka qenë ministër i transportit, postës dhe telekomunikacionit nga viti 2007 deri në vitin 2010. Në qeverinë e Ramush Haradinajt nga viti 2017 ka qenë zëvendëskryeministër. Në zgjedhjet e vitit 2021, Nisma e tij mbeti jashtë parlamentit.

Në garën për kryetar të Prishtinës ka qenë në vitin 2007, kur si kandidat i PDK-së humbi nga Isa Mustafa nga LDK.

Ka katër fëmijë.