Arrest shtëpiak katër të rinjve sërbë të arrestuar në Mitrovicën e Veriut
Gjykata Themelore në Mitrovcën e Veriut u ka dhënë arrest shtëpiak me afat 30 ditor katër të rinjve sërbë të arrestuar mes të martës dhe të mërkurës në këtë qytet, konfirmon avokati Nebojsha Vllajiq.
Ky i fundit ka thënë se kjo është fitore e vogël e drejtësisë, pasi prokurori kishte kërkuar paraburgim.
"Kjo është fitore e vogël e drejtësisë. E vogël, sepse u caktua masa e arrestit shtëpiak. Ne besojmë se nuk duhej të vinte deri këtu. Ndaj e quajmë fitore të vogël, sepse prokurori kërkoi që të mbahen në paraburgim. Ai besonte se kjo nuk ishte e nevojshme por me këtë mund të jetojmë. Do të luftojmë ndaj saj", tha Vllajiq.
Ndaj me vendimin e arrestit shtëpiak, thotë ai, mund të jenë pjesërisht të kënaqur.
“Jemi të kënaqur me atë çka dëshmuam se caktimi i masës së paraburgimit do të ishte reagim i tepruar ndaj një ngjarjeje të parëndësishme dhe të pafajshme, ku fatkeqësisht mund të fajësohen të dy palët, por nëse vetëm njëra palë nxjerr pasojat prej saj, kjo nuk do të ishte e drejtë” tha Vllajiq.
Ky i fundit ka bërë të ditur se meqenëse gjykata refuzoi propozimin e prokurorit për të mbajtur në paraburgim të pandehurit, ata sot do të lirohen nga policia dhe do të mbahen në arrest shtëpiak.
Sikurse shton ai, pas kësaj do të shikohet se çfarë do të ndodhë më pas.
Babai i një prej të rinjve të arrestuar, Sërgjan Joviq u ka thënë gazetarëve se është i lumtur me vendimin e arrestit shtëpiak.
"Fituam, kështu që fëmijët do të qëndrojnë në arrest shtëpiak. Mundet që dhe kjo të shmangej por për fat nuk shkuan në paraburgim", ka thënë Joviq.
Ky i fundit falenderoi të gjithë ata që sot kanë qenë në protestë dhe sikurse thotë i ka ndihmuar të arrijnë disa të drejta përmes luftës së përbashkët.
“Mendoj se kemi bërë shumë dhe se duhet të vazhdojmë të luftojmë për t’i shfajësuar plotësisht sepse janë të pafajshëm”, tha Joviq.
Gjyqtari mori vendimin për arrest shtëpiak pas marrjes në pyetje disa orëshe të tre prej katër të rinjve, në seancën që nisi rreth orës 14:00.
Të rinjtë akuzohen për sulm ndaj personit zyrtar ndërsa u arrestuan kur po ktheheshin nga festa.
Më herët një numër i madh qytetarësh u tubuan para stacionit policor në Mitrovicën e Veriut në shenjë proteste për shkak të ketyre arrestimeve.
0 komentet