Krivokapiq: Do të parashtrojmë ankesë për paraburgimin e serbëve, vendimi na është dorëzuar në gjuhën shqipe
Avokatja Jelena Krivokapiq deklaroi se do të parashtrojë ankesë ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin nëntë serbëve nga Zubin Potoku, të cilët akuzohen për veprën penale „krim lufte kundër popullsisë civile“, u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Krivokapiq tha për Kosovo online se vendimi u është dorëzuar avokatëve në gjuhën shqipe.
„Gjykata ua ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të gjithë të dyshuarve në çështjen për krime lufte. Vendimi na ka mbërritur në gjuhën shqipe, me njoftimin se nesër do të na dërgohet edhe përkthimi, pas së cilës do të parashtrojmë ankesat“, tha Krivokapiq.
Më herët gjatë ditës së sotme, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ua caktoi masën e paraburgimit prej një muaji nëntë të akuzuarve nën dyshimin për „krim lufte kundër popullsisë civile“.
Policia e Kosovës arrestoi të dielën nëntë serbë nga Zubin Potoku, në lidhje me rastin „grupi i intelektualëve“.
Seanca për caktimin e paraburgimit për nëntë serbët D. D., M. R., M. R., R. R., S. D., S. D., V. L., R. R. dhe D. D. u mbajt dje, kur ndalimi fillestar i serbëve të arrestuar u zgjat edhe për 48 orë.
Lidhur me arrestimet, Zyra për Kosovë dhe Metohi vuri në dukje dje se arrestimet masive janë bërë metodë e re e Prishtinës për hakmarrje ndaj serbëve, ndërsa zbulimet e fundit në Zubin Potok po i përdor si pretekst për stigmatizimin dhe përndjekjen e të gjithë serbëve të mbetur.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se bëhet fjalë për metodën më perfide të spastrimit etnik të serbëve nga Kosova.
0 komentet