Milkoviq: Deklaratën e përkthyer të dëshmitarit e morëm pesë minuta para fillimit të seancës, nuk do të bëjmë më lëshime ndaj prokurorisë
Avokati Predrag Milkoviq, pas shtyrjes së seancës gjyqësore ndaj Zoran Kostiqit dhe Dragan Milloviqit, theksoi se deklaratën e përkthyer të dëshmitarit, i cili duhej të merrej në pyetje sot, e kanë marrë vetëm pesë minuta para fillimit të seancës, edhe pse prokuroria në seancën e mëparshme kishte premtuar se do ta dorëzonte të njëjtën ditë përkthimin e deklaratës mbrojtjes.
Kostiq dhe Miloviq janë të akuzuar për krime lufte në Vushtrri në vitin 1999.
Milkoviq, i cili në këtë rast mbron Zoran Kostiqin, deklaroi se mbrojtja nuk do të bëjë më asnjë lëshim ndaj prokurorisë.
“Seanca e sotme në çështjen kundër Zoran Kostiqit dhe Dragan Milloviqit u shty me kërkesë të mbrojtjes, sepse nuk e kishim marrë deklaratën e përkthyer të dëshmitarit që duhej të dëshmonte sot. Në seancën e kaluar, më 6 tetor, mbrojtja këmbënguli që të merrte përkthimin e kësaj deklarate, e cila ishte marrë që vitin e kaluar. Prokuroria premtoi se do ta përkthente dhe do ta dorëzonte të njëjtën ditë, por sot, pesë minuta para fillimit të seancës, ma dorëzuan deklaratën. Nga parimi, nuk deshëm të vazhdonim me marrjen në pyetje, qoftë edhe me pyetjet direkte ndaj dëshmitarit, sepse një sjellje e tillë e prokurorisë vërehet edhe në raste të tjera. Në këtë rast kemi lejuar një herë që një dëshmitar të dëshmojë në këtë mënyrë, por më nuk do të ketë lëshime nga ana e mbrojtjes. Nuk ka arsye, sepse as prokuroria nuk bën asnjë lëshim ndaj nesh. Në të ardhmen, derisa të mos na dorëzohen të përkthyera të gjitha deklaratat dhe provat materiale, nuk do të marrim pjesë në seanca,” tha Milkoviq.
Siç shtoi ai, deklarata e dëshmitarit që duhej të merrej në pyetje sot është marrë 15 ditë pas ngritjes së aktakuzës.
Sipas fjalëve të tij, fakti që Këshilli Gjyqësor e ka pranuar megjithatë këtë deklaratë si provë, paraqet një shkelje serioze të procedurës.
“Ajo nuk do të duhej të pranohej si provë, sepse hetimi është përfunduar. Kur ngrihet aktakuza, hetimi konsiderohet i përfunduar. Kjo provë nuk është mbledhur gjatë hetimit, siç e përcakton qartë ligji. Kjo është një deklaratë e marrë 15 ditë pas përfundimit të hetimit, dhe ne kemi kundërshtuar që ajo të merret në konsideratë dhe që dëshmitari të dëshmojë. Ai ka qenë i njohur për prokurorinë gjatë hetimeve, sepse në një pjesë përmendet me emër dhe mbiemër, por prokuroria ose policia kanë qenë dembele, ose nuk janë kujtuar, por ne nuk duhet të lejojmë gabime të tilla. Këshilli Gjyqësor lejoi që ai të merret në pyetje, megjithatë mendoj se do të bëjmë një shkelje serioze të procedurës, të cilën do ta çojmë deri në fund,” shtoi Milkoviq.
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës sot duhej të vazhdonte gjykimi ndaj Zoran Kostiqit dhe Dragan Miloviqit, të akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile në zonën e Vushtrrisë në vitin 1999, por seanca e sotme është shtyrë.
Seanca e radhës është caktuar për 24 nëntor, në orën 13:15.
0 komentet