Vllajiq: Shpresoj që çështja e sulmit ndaj kanalit të Ibër-Lepencit të mbyllet shpejt për të pandehurit në paraburgim
Avokati i Jovan Viqentijeviqit, Nebojsha Vllajiq shpreson që çështja gjyqësore për rastin e sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit ku rinisi sot, të përshpejtohet pasi të pandehurit ndodhen në paraburgim dhe ligji obligon gjykatën që të punojë shpejt.
Dragisha e Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq, të akuzuar për rastin e sulmit në kanalin Ibër-Lepenc në fshatin Varage pranë Zubin Potokut, sërish në seancën e sotme gjyqësore u deklaruan se nuk janë fajtorë për veprat për të cilat akuzohen.
Deklarata e tyre pasoi gjyqin, i cili rinisi nga e para për shkak të ndryshimit në përbërjen e trupit gjykues.
Avokati Nebojsha Vllajiq shprehu besimin e tij se procesi do të përshpejtohet.
"Kështu është Ligji i Procedurës Penale kur ndryshohet kryesuesi i trupit gjykues dhe kjo ndodhi pikërisht sepse i mëparshmi doli në pension ndaj gjyqi duhet të nisë nga e para. Ne ato gjërat teknike i kemi përfunduar, për një muaj është caktuar seanca tjetër dhe shpresoj se do të shkohet pak më shpejt nga ç’ka qenë deri më tani sepse të pandehurit ndodhen në paraburgim dhe vetë ligji e detyron gjykatën të punojë shpejt", tha Vllajiq.
Pyetjes nëse është optimist për çështjen e vendimit në këtë rast, ai theksoi se nuk mund të mos jetë, por dhe që ka dozë skepticizmi.
"Por optimizmi im është mjaft i prekur nga njohuritë e mia për gjyqësorin kosovar, kështu që nuk mund të jem optimist sa do të isha", tha Vllajiq.
Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq akuzohen për veprën penale të "rrezikimit të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e pajisjeve publike" nga Neni 122 në lidhje me veprën penale të "kryerjes së aktit terrorist". Jovan Viqentijeviq akuzohet dhe për spiunazh.
Igor Dimoviq u akuzua për posedim arme dhe po mbrohet në liri, ndërsa Jovan dhe Dragisha ndodhen në paraburgim.
Të tre të akuzuarit deklaruan se nuk e ndjejnë veten fajtorë për veprën penale për të cilën akuzohen.
Aktakuza ndaj Dragisha e Jovan Viqentijeviq, si dhe Igor Dimoviq u ngrit më 9 dhjetor të vitit të kaluar.
Në fshatin Varage pranë Zubin Potokut, më 29 nëntor të vitit 2024, ndodhi shpërthim në kanalin Ibër-Lepencit prej të cilit nga liqeni i Ujmanit furnizohet me ujë të pijshëm Mitrovica Jugore e Veriore, por edhe ftohja e termocentraleve Kosova A dhe B.
Seanca e ardhshme gjyqësore për këtë rast, kur do të pyeten dëshmitarët e mbrojtjes, është caktuar në dhjetor.
komentet