Afrim Hoti: Në samit BE do t'i ftojë të dyja palët që të fillojnë zbatimin e marrëveshjes së Ohrit
Burim: Kosovo Online
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, vlerëson se Bashkimi Evropian do t'i ftojë Prishtinën dhe Beogradin që të kthehen në dialog dhe të zbatojnë marrëveshjen e Ohrit të arritur vitin e kaluar në samitin BE-Ballkani Perëndimor nesër në Bruksel.
“Nga aspekti juridik, ajo marrëveshje ekziston, prandaj pres që në samit të bëhet presion mbi të dyja palët që sa më shpejt të fillojë zbatimi i saj”, tha Hoti për Kosovo online.
Ai thekson se për rajonin e Ballkanit Perëndimor opsioni i vetëm është integrimi në BE dhe se të gjitha vendet nga kjo pjesë e Evropës po bëjnë maksimumin për të përmbushur kriteret për anëtarësim në BE.
“Lufta ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë është një sinjal i vërtetë, si për BE-në ashtu edhe për rajonin, se procesi i integrimit duhet të përshpejtohet. Në këtë drejtim, pres që Evropa t'i bëjë presion palëve që sa më parë t'i plotësojnë kriteret për të hapur rrugën dhe për të arritur në destinacionin përfundimtar”, thekson Hoti.
komentet