Ambasada e Gjermanisë ndan shqetësimin e BE për ndryshimet në Ligjin për Odat e Specializuara
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë njofton se ndan shqetësimin e Zyrës së Unionit Europian në Kosovë për rastin e votimit të mundshëm në Kuvendin e Kosovës të ndryshimeve dhe plotësimeve në Ligjin për Odat e Specializuara, duke paralajmëruar për pasoja të mundshme sipas obligimeve ndërkombëtare të Kosovës dhe sundimit të ligjit.
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë reagoi për mundësinë që Kuvendi i Kosovës të votojë ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Odat e Specializuara duke mbështetur qëndrimin e Zyrës së Unionit Europian në Kosovë.
“Ambasada e Gjermanisë pajtohet plotësisht me shqetësimet e Zyrës së BE në Kosovë në lidhje me votimin e mundshëm në Kuvendin e Kosovës të ligjit për ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për odat e specializuara” bëhet e ditur në përgjigjen e ambasadës e cila e transmetoi RTK.
Zyra e BE në Kosovë më herët shprehu shqetësimin për mundësinë e votimit të nesërm të këtyre ndryshimeve në ligj në Kuvend.
Sipas vlerësimit të Zyrës së BE, ndryshimet e propozuara shkaktojnë shqetësim serioz në lidhje me obligimet ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimit të parimeve themelore të sundimit të ligjit, veçanërisht në pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, proceseve të drejta e efikase të përgjegjshme.
Zyra e BE vë në dukje shqetësimin në lidhje me kushtetushmërinë e ndryshimeve të propozuara, duke theksuar se janë të domosdoshme konsultimet e mëparshme para çdo lloj miratimi të ligjit në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.
0 komentet