Ambasadorët e Quint-it dhe BE-së: E domosdoshme formimi i qeverisë së re për integrimet evropiane të Kosovës
Përfaqësuesit diplomatikë të vendeve të Quint-it dhe Bashkimit Evropian, të cilët sot u takuan me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, theksuan nevojën urgjente për formimin e institucioneve të reja, në mënyrë që Kosova të mund të avancojë drejt integrimeve euroatlantike.
Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, theksoi se krijimi i qeverisë është në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
„Nevojitet një qeveri e re që të veprojë në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj, për të arritur përparim në çështje jetike, siç janë lirimi i fondeve dhe ecja përpara drejt integrimeve euroatlantike“, shkroi Hargreaves në rrjetin social “X”.
Edhe Ambasada e Italisë në Kosovë përmes një postimi në Facebook nënvizoi nevojën për formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re, për të siguruar përparimin e Kosovës në drejtim të integrimeve euroatlantike.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, shkroi në rrjetin “X” se ambasadorët janë të një mendimi se një qeveri stabile dhe funksionale është e domosdoshme për përparimin e Kosovës.
„Status quo-ja aktuale nuk i shërben askujt“, theksoi Orav.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, ndau të njëjtin mendim:
„Më mirë dje sesa nesër. Ka shumë detyra të rëndësishme të brendshme dhe ndërkombëtare që presin, dhe nevojitet përparim në çështjet jetike. Kjo ishte mesazhi kryesor që zëvendësi im e përcolli bashkë me kolegët nga Quint-i në takimin me kryeministrin në largim, Albin Kurti“, shkroi Rohde në rrjetin social “Bluesky”.
Në takim mori pjesë edhe e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-së, Ani Pratipati, e cila nënvizoi nevojën që liderët politikë të Kosovës të punojnë së bashku për konstituimin e parlamentit dhe formimin e një qeverie stabile.
„Këto institucione janë thelbësore për të siguruar mirëqenien dhe prosperitetin e qytetarëve të Kosovës“, thuhet në postimin e Ambasadës Amerikane në rrjetin “X”.
0 komentet