Analizat e ACDC-së: Korrupsioni dhe mosbesimi i qytetarëve – sfida për institucionet në veri të Kosovës
Qendra për Avokimin e Kulturës Demokratike (ACDC) prezantoi sot në Mitrovicën e Veriut tri analiza
që trajtojnë transparencën, llogaridhënien dhe korrupsionin në komunat në veri të Kosovës, si dhe
besimin e qytetarëve në Policinë e Kosovës dhe problemin e korrupsionit mjedisor.
Politologu Ognjen Gogiq prezantoi analizat „Transparenca, llogaridhënia dhe rreziqet nga korrupsioni në komunat në veri të Kosovës“ dhe „Integriteti, llogaridhënia dhe besimi në Policinë e Kosovës në veri të Kosovës“, ndërsa studiuesi Lubisha Mijaçiq prezantoi analizën „Parandalimi i korrupsionit mjedisor në veri të Kosovës“.
Analizat bazohen në anketat e realizuara me qytetarët, ndërsa gjatë diskutimit u fol për korrupsionin si
një nga problemet që qytetarët e identifikojnë në punën e institucioneve lokale, për mbrojtjen e
mjedisit, si dhe për punën e Policisë së Kosovës.
Vëmendje e veçantë iu kushtua besimit të qytetarëve në institucione. Siç u tha gjatë diskutimit,
rezultatet e anketave tregojnë një shkallë të lartë mosbesimi, por edhe probleme me transparencën e
punës së institucioneve dhe informimin e qytetarëve.
Gjatë diskutimit u fol edhe për funksionimin e institucioneve lokale në veri të Kosovës në periudhën pas
ardhjes së kryetarëve shqiptarë të komunave, si dhe për sfidat me të cilat përballen qytetarët në fushat
e përfshira në analiza.
Në prezantimin e analizave morën pjesë qytetarë, përfaqësues të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës,
zëvendësombudsmani Sërgjan Sentiq, anëtarë të ACDC-së dhe përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile.
Siç u theksua, qëllimi i analizave nuk është të kritikojnë institucionet, por të shërbejnë si bazë për
rekomandime dhe për përmirësimin e punës së tyre, me një nivel më të lartë transparence dhe
llogaridhënieje ndaj qytetarëve.
Menaxheri i këtij projekti të ACDC-së, Slobodan Stoshiq, tha se projekti është realizuar me ndihmën e
BIRN-it.
„Ky projekt trajtoi ndikimin e korrupsionit në vetëqeverisjet lokale, në Policinë e Kosovës dhe në
mbrojtjen e mjedisit. Projekti është fokusuar në veriun e Kosovës, përkatësisht në katër komunat në veri të Kosovës: Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicën e Veriut. Gjatë këtij projekti angazhuam ekspertë të cilët realizuan hulumtimin dhe analizën. Mendoj se ata arritën në disa rekomandime dhe përfundime interesante“, tha Stoshiq.
Eksperti për çështjet e burimeve mjedisore, Lubisha Mijaçiq, theksoi se qëllimi i analizës së tij ishte të
evidentonte perceptimin e qytetarëve për gjendjen e mjedisit, por edhe të përcaktonte se ku qëndron
përgjegjësia dhe cilat janë kompetencat për zgjidhjen e këtyre problemeve.
„Bazuar në të gjitha këto, unë propozova një model të menaxhimit të integruar ose një mekanizëm të
integruar për parandalimin jo vetëm të korrupsionit, por edhe për trajtimin e këtyre temave dhe
shkëmbimin e informacionit, me qëllim parandalimin e krimit mjedisor. Një mekanizëm i tillë mund të
integrohej në sistem, si diçka që nesër mund të jetë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. Ky do tëishte një mekanizëm i integruar, në kuadër të të cilit do të bashkoheshin dhe shkëmbeheshin kapacitetet njerëzore dhe teknike të katër komunave në veri të Kosovës. Do të ishte një mekanizëm transparent, me të dhëna të hapura dhe me shkëmbim të kapaciteteve njerëzore për zgjidhjen e këtyre problemeve“, tha Mijaçiq.
Siç shtoi më tej, jo të gjitha komunat kanë kapacitete të njëjta njerëzore, por në këtë mënyrë do të
krijohej një mekanizëm i ngjashëm me bashkëpunimin ndërmjet komunave serbe.
Gogiq, duke folur për hulumtimet, tha se janë trajtuar dy tema: njëra kishte të bënte me transparencën,
integritetin dhe rreziqet nga korrupsioni në vetëqeverisjet lokale, ndërsa tjetra me integritetin,
llogaridhënien dhe transparencën në punën e policisë.
„Kur bëhet fjalë për hulumtimin mbi komunat, ai tregoi se qytetarët nuk i perceptojnë këto komuna në
veri të Kosovës si mjaftueshëm transparente, se nuk kanë qasje të mjaftueshme në dokumentacionin që lidhet me punën e komunave dhe, gjithashtu, kanë pak besim se mund të ndikojnë vetë në marrjen e vendimeve brenda komunave të tyre. Për këtë arsye, ata përfshihen në masë të pamjaftueshme në
konsultimet publike dhe në format e tjera të pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve në
vendimmarrje. Hulumtimi tregoi, natyrisht, edhe se ekziston problemi i mungesës së vazhdimësisë,
sepse bëhet fjalë për vetëqeverisje lokale që faktikisht janë krijuar para 12 e më shumë vitesh, por gjatë kësaj periudhe kanë kaluar nëpër ndërprerje institucionale. Pra, pati largim nga institucionet, më pas zgjedhje të kryetarëve të komunave që nuk kishin legjitimitet dhe pastaj rikthim të serbëve në pushtet në katër komunat veriore. E gjithë kjo, thënë thjesht, është reflektuar në funksionimin e këtyre
komunave“, tha Gogiq.
Komunat në veri, sipas tij, tani ndodhen në fazën e konsolidimit ose po përpiqen t’i rikthejnë dhe t’i
rivendosin funksionet komunale, por ai shton se kjo kërkon kohë dhe burime.
„Është e dukshme se tani këto katër komuna po përpiqen të publikojnë më shumë informacione në
faqet e tyre, në faqet e reja të internetit. Praktikat ndryshojnë, pra disa komuna, si Mitrovica e Veriut,
kanë një nivel më të lartë të disponueshmërisë së informacionit në faqen e tyre zyrtare, ndërsa, për
shembull, Komuna e Leposaviqit ka një faqe interneti që nuk është mjaftueshëm funksionale dhe e
përditësuar në gjuhën serbe. Prandaj, mbetet ende shumë punë për t’u bërë që të gjitha informacionet
me rëndësi për punën e komunës të jenë të disponueshme edhe përmes kërkimit në internet dhe po
punohet në këtë drejtim“, tha ai.
Hulumtimi tregoi gjithashtu se komunat kanë probleme me burimet njerëzore dhe se nuk mund t’u
përgjigjen në masë të mjaftueshme të gjitha kërkesave, ndërsa Gogiq thekson se rekomandimi do të
ishte që vetëqeverisjet lokale të fillojnë të mendojnë për ndërlidhjen e kapaciteteve të këtyre katër
komunave.
„Ato ndoshta mund të krijojnë bashkëpunim ndërkomunal dhe ta mbështesin njëra-tjetrën në këto
punë. Nëse nuk ka mjaftueshëm kuadro të trajnuara për punë të caktuara, për disa çështje siç janë, për
shembull, tenderët dhe prokurimet publike, ato në fakt mund të mbështeten në burime të përbashkëta,
t’i bashkojnë burimet dhe më pas të përpiqen së bashku t’i përmirësojnë këto funksione“, tha ai.
Kur bëhet fjalë për policinë, Gogiq thekson se fokusi ishte në përcaktimin e perceptimit dhe nivelit të
besimit të popullsisë ndaj policisë, në dritën e pretendimeve për sjellje joprofesionale të zyrtarëve
policorë.
„Këtu, natyrisht, shihet se ekziston një hendek i madh, pra se ka mosbesim të madh ndaj policisë, se ajo nuk perceptohet si profesionale dhe as si e paanshme. Nga ana tjetër, vetë policia ka zhvilluar
mekanizma të kontrollit dhe mbikëqyrjes së brendshme dhe të jashtme, si përmes kontrollit të
brendshëm disiplinor, ashtu edhe përmes Inspektoratit Policor të Kosovës, por këta mekanizma
vazhdojnë të jenë tepër abstraktë për qytetarët. Pra, qytetarët ende nuk kanë besim dhe njohuri të
mjaftueshme se si mund t’i kërkojnë llogari zyrtarëve të caktuar policorë kur paraqitet nevoja për këtë.
Megjithatë, u evidentua edhe diçka tjetër, e ajo është se ekziston një hendek i madh që nuk mund të
zgjidhet as përmes këtyre procedurave individuale dhe të veçanta“, tha Gogiq, duke shtuar se, pas
largimit të serbëve nga ky institucion, ende nuk ekziston besim në polici.
Si problem shtesë ai përmend faktin se nuk është zgjedhur komandanti rajonal i policisë dhe se kjo
pozitë vazhdon të jetë e paplotësuar, ndërsa në fakt këto detyra i kryen zëvendëskomandanti.
„Ndërkohë, pushteti qendror është mbështetur në njësitë e specializuara policore qendrore dhe është
ndërtuar infrastruktura e re policore, por kjo te qytetarët krijon perceptimin se policia nuk është lokale,
pra se nuk është e tyre, por se është e huaj. Dhe pikërisht ky është hendeku i madh që ekziston dhe
mosbesimi që nuk mund të kapërcehet përmes procedurave individuale në rastet kur shkelen të drejta
të caktuara“, përfundon Gogiq.
Është e nevojshme të punohet jo vetëm për rekrutimin e pjesëtarëve të rinj nga këto mjedise dhe rritjen
e përfaqësimit lokal, thekson ai, por edhe që komanda dhe drejtimi i policisë të rikthehen në duart e
strukturave lokale, në mënyrë që të krijohet besimi i qytetarëve.



komentet