Avokati i Sllagjan Trajkoviqit apeloi vendimin për zgjatjen e paraburgimit

Zatvor
Burim: Ekonomia Online

“Avokati apeloi vendimin për zgjatjen e paraburgimit për dy muaj dhe ka kërkuar që të caktohet arrest shtëpiak ose të trajtohet në spitalin e Mitrovicës, sepse Sllagjani ka cirrozë të mëlçisë dhe po ashtu është duke marrë insulinë. Ende ka plaga në këmbë, këmbët e tij janë të fryra... Fatmirësisht plaga në kokë ka filluar t'i shërohet", tha për Novosti Suzana, gruaja e Sllagjan Trajkoviqit, ish-pjesëtarit të policisë së Kosovës i cili u arrestua më 15 dhjetor të vitit të kaluar dhe u akuzua për krime lufte kundër popullatës civile në rrethin e Vushtrisë.

Sllagjan Trajkoviq ndodhet në një burg me rrezikshmëri të lartë në Grdovac, afër Podujevës.

Bashkëshortja e tij Suzana tregon se e kanë vizituar dhe se është më mirë se të enjten e kaluar, kur kanë bërë një tubim mbështetës.

“Pas kësaj e kanë thirrur drejtori dhe gardiani i burgut, i kanë sjellë dy mjekë, i kanë dhënë terapi të re. I japin pilula edhe pse janë nga Kosova dhe e kanë pranuar edhe kërkesën që të mbajë një fotografi të familjes dhe të marrë gazetat serbe”, tha Suzana.

Në qelinë pranë Trajkoviqit, sipas raportimeve, është Milan Axhiq, i pari nga tre serbët e arrestuar në veri të Kosovës. Axhiq, baba i dy fëmijëve - dy vjeç e gjysmë dhe një e gjysmë - akuzohet për sulm ndaj një zyrtari kur ishin ngritur barrikada më herët. Ai u arrestua më 9 dhjetor në vendkalimin administrativ Jarinje.

Familjet dhe avokatët e serbëve të burgosur, përveç betejën për të drejtat elementare në paraburgim, siç thonë ata, po bëjnë një betejë paralele edhe me sistemin juridik të Prishtinës, “të qepur posaçërisht për serbët”.

"Edhe në rastet e fundit është ekspozuar matrica e vjetër - së pari arrestojnë pa arsye, e më pas mbledhin "prova" dhe rekrutojnë "dëshmitarë". Gjatë kërkimit të dëshmitarëve të rremë, serbët ndalohen pa arsye, disa për dy ose më shumë vjet”, tregon ajo.

"Sllagjani as nuk e di se ku ndodhen fshatrat ku pretendohet se ka kryer krimin. Dhe faktin që ai nuk është akuzuar për asgjë gjatë 10 viteve të fundit sa ishte në policinë e Kosovës", tha gruaja e tij.