Bauer: Duhet t’i nxjerrim vendet e Ballkanit Perëndimor nga dhoma e pritjes e BE-së

Ministarka Bauer
Burim: Kosovo Online

Duhet t’i nxjerrim vendet e Ballkanit Perëndimor nga dhoma e pritjes e Bashkimit Evropian (BE), deklaroi sot ministrja austriake për Integrime Evropiane, Klaudia Bauer, në një takim në kuadër të Formatit të Slavkovit në Vjenë.

Bauer theksoi se konferenca për Ballkanin Perëndimor, në kuadër të kryesimit të Vjenës me Formatin e Slavkovit, po mbahet me qëllim që të forcohet fokusi në procesin e zgjerimit të BE-së.

„Duam ta shfrytëzojmë kryesimin tonë me Formatin e Slavkovit për ta rikthyer një fokus më të fuqishëm te zgjerimi i BE-së, veçanërisht te Ballkani Perëndimor. Duhet t’i nxjerrim vendet e Ballkanit Perëndimor nga dhoma e pritjes“, theksoi ministrja austriake.

Ajo rikujtoi se BE-ja, më shumë se 20 vjet më parë, premtoi se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE dhe se për këtë vendet kandidate duhet të përmbushin kushte të qarta, si forcimi i sundimit të ligjit dhe zbatimi i standardeve evropiane.

„Por, kushdo që i zbaton këto reforma duhet ta dijë se mund të mbështetet në faktin se BE-ja do ta përmbushë premtimin e saj“, nënvizoi Bauer.

Ajo vuri në dukje se Mali i Zi kryeson procesin e anëtarësimit dhe se ka treguar se çfarë mund të arrihet me vullnet të fuqishëm për zbatimin e reformave, si dhe se pas disa vitesh mund të bëhet anëtar i BE-së.

Bauer tha se është e domosdoshme të diskutohet për hapat e ardhshëm vendimtarë, pasi fuqi të tjera, si Rusia dhe Kina, po përpiqen të zgjerojnë ndikimin e tyre në këtë rajon.

„Nuk mund t’ia lejojmë vetes një boshllëk gjeopolitik në kontinentin tonë“, theksoi ajo.

Ajo theksoi se, për këtë arsye, procesi i zgjerimit nuk është vetëm çështje politike, por çështje e sigurisë dhe stabilitetit.

Bauer theksoi se duhet diskutuar se si rajoni të afrohet sa më shumë me Bashkimin Evropian edhe para anëtarësimit të plotë.


Ajo tha gjithashtu se koha e mbajtjes së konferencës në Vjenë nuk është zgjedhur rastësisht, duke qenë se komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, ka paralajmëruar „vjeshtën e zgjerimit“, si dhe se në tetor dorëzohen raportet e progresit.

Gjithashtu, pas dy ditësh në Mal të Zi do të mbahet takimi i ministrave të Punëve të Jashtme në kuadër të Procesit të Berlinit.

„Me këtë konferencë duam ta forcojmë fokusin te Ballkani Perëndimor. Synimi është që këtë temë ta vendosim lart në agjendën e Brukselit dhe që impulset nga Vjena të çojnë drejt përparimit në proces“, shpjegoi Bauer.

Ajo theksoi se të dyja palët duhet të bëjnë pjesën e tyre të punës dhe se ekzistojnë kritere të qarta që vendet kandidate duhet t’i përmbushin.

Ajo vuri në dukje se disa vende kanë përparuar shumë në rrugën evropiane, ndërsa disa të tjera „kanë mbetur në fillim“.

Bauer vuri në dukje se Vjena i kushton shumë rëndësi qasjes graduale, e cila, siç nënvizoi ajo, nuk është zëvendësim për anëtarësimin e plotë, por mund t’u tregojë qytetarëve se çfarë sjell ky anëtarësim.

„Duam rezultate konkrete që do t’i çonim në Bruksel. Austria, Çekia dhe Sllovakia nuk janë vetëm partnerë dhe fqinjë, por i bashkon edhe fakti se janë miq të Ballkanit Perëndimor. Prandaj ne gjithmonë këmbëngulim që procesi i zgjerimit dhe ky rajon të mos zhduken nga fokusi i BE-së“, nënvizoi Bauer.

Ajo vuri në dukje gjithashtu se edhe vendet e BE-së kanë pjesën e tyre të punës, duke theksuar se austriakët, për shembull, janë ndër më skeptikët sa i përket zgjerimit.


Në pyetjen e korrespondentit të Kosovo online se si Serbia dhe Kosova mund të përparojnë në rrugën evropiane kur dialogu është në ngërç, ajo tha se është e rëndësishme të jepet kontribut që marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të stabilizohen dhe normalizohen.

„Është vendosur dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Po përpiqemi të arrihet përparim. Por, nga të dyja palët duhet të ekzistojë dëshira për këtë përparim, ndërsa formati për normalizimin e marrëdhënieve ekziston“, theksoi Bauer.

E pyetur nëse ekziston dëshira për përparim në dialog, ajo theksoi se konsideron se ekziston vullneti për integrim evropian dhe se „fqinjësia e mirë është kusht për anëtarësim“.


„Normalizimi i marrëdhënieve është parakusht për përparim në procesin e anëtarësimit“, nënvizoi Bauer.

Në pyetjen e gazetarëve austriakë për varrimin e Ratko Mladiqit, ajo tha se paralajmërimi për një funeral shtetëror ishte një qasje e papërgjegjshme.

„Megjithatë, konsideroj se nuk duhet të vështirësohet përparimi në procesin e anëtarësimit vetëm sepse një ministër kishte një ide të keqe. Serbinë do të duhet ta vlerësojmë në bazë të reformave“, nënvizoi Bauer.

Gorçeviq: Po përgatitemi të bëhemi anëtare e BE-së

Ministrja malazeze e Çështjeve Evropiane, Majda Gorçeviq, falënderoi vendet e Formatit të Slavkovit – Austrinë, Çekinë dhe Sllovakinë – për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, duke shtuar se Mali i Zi ndodhet në fazën përfundimtare të rrugës për t’u bërë anëtarja e 28-të e BE-së.

Gorçeviq theksoi se konferencat, si kjo e sotmja në Vjenë në kuadër të Formatit të Slavkovit, janë të rëndësishme për të diskutuar procesin e zgjerimit, sfidat dhe gjithçka që sjell rruga drejt BE-së.

„Për ne kjo është veçanërisht e rëndësishme, sepse ndodhemi në fazën përfundimtare. Po mbyllim kapitujt dhe po përgatitemi për qëllimin tonë kryesor – të bëhemi anëtarja e 28-të e BE-së deri në vitin 2028“, tha Gorçeviq.

Hoxha: Shqipëria dëshiron të jetë në BE

Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, deklaroi sot se Bashkimi Evropian është vendi ku qytetarët e Shqipërisë dëshirojnë të jenë dhe se Tirana do të përmbushë gjithçka, në kuadër të metodologjisë së përcaktuar dhe sipas rregullave që vendos BE-ja, për t’u bërë anëtare e Unionit.

Hoxha, në konferencën në kuadër të Formatit të Slavkovit në Vjenë, falënderoi nikoqiren, ministren austriake Klaudia Bauer, për mbështetjen që Vjena i jep zgjerimit të BE-së, veçanërisht kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme që i jep Shqipërisë në këtë rrugë.

„Asnjëherë nuk ka mjaft miq të zgjerimit dhe të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor“, tha Hoxha.

Ai theksoi se për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, rruga drejt Evropës nuk është vetëm një destinacion dhe as vetëm një qëllim politik – ajo është kthim në shtëpi, në vendin ku përkasin dhe ku ndihen pjesë e tërësisë.

„Ky është vendi ku duam të jemi dhe do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë, do të bëjmë gjithçka në kuadër të metodologjisë dhe rregullave që do të vendosë BE-ja, sepse këtë e duan qytetarët tanë. Do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të arritur atje“, tha Hoxha.

Ai shtoi se shumë gjëra po ndodhin në Bruksel, por shumëçka po ndodh edhe në kryeqytetet e tjera të Evropës dhe se Vjena është pikërisht një prej atyre kryeqyteteve nga të cilat pret vazhdimin e mbështetjes.