Bozhoviq: Po demonstrohet forca, “Trepça” nuk është pronare e tokës

1
Burim: Kosovo Online

Drejtoresha e Drejtorisë për Infrastrukturë në Komunën e Mitrovicës së Veriut, Ruzhica Bozhoviq, lidhur me prishjen e sotëm të garazheve në këtë komunë, vlerësoi se bëhet fjalë për demonstrimin e forcës nga policia dhe kompania “Trepça jug”. Ajo shpjegoi se kompania “Trepça” në kadastër figuron si pronare e parcelës, por kjo nuk është e saktë, pasi bëhet fjalë për tokë shoqërore, si dhe se 80 për qind e territorit si në veri ashtu edhe në jug evidentohet në emër të “Trepçës”, si dikur kompania më e fuqishme në këto hapësira.

“Sot jemi dëshmitarë që në Mitrovicën e Veriut policia dhe kompania ‘Trepça jug’ po demonstrojnë forcë. Janë rrënuar garazhe që ekzistojnë prej të paktën 50-60 vitesh. Ky është një trashëgim historik ku në kadastër paraqitet si pronare ‘Trepça’, gjë që nuk është e saktë. Ajo paraqitet, por ‘Trepça’ është shfrytëzuese. Ekziston pronësi shtetërore, shoqërore dhe private mbi tokën. Kjo është tokë shoqërore, të cilën e kemi trashëguar historikisht nga ish-Jugosllavia dhe nuk është konvertuar, por ka mbetur të evidentohet në ‘Trepça’. Tetëdhjetë për qind e territorit si në veri ashtu edhe në jug evidentohet në ‘Trepça’, duke pasur parasysh se në atë kohë, në vitet ’60, ’70 dhe ’80, ‘Trepça’ ishte kompania më e fuqishme dhe ajo ndërtonte banesa për punëtorët e saj, pasi 90 për qind e qytetarëve të Mitrovicës punonin në ‘Trepça’ dhe kjo ka mbetur kështu. Këto garazhe ekzistojnë prej 50-60 vitesh dhe nuk e di kujt i pengonin”, tha Bozhoviq.

Ajo shpjegon gjithashtu se Komuna ka kontrata me kompanitë përgjegjëse për prishje në territorin e saj, por se në këtë rast edhe kjo procedurë është anashkaluar dhe kompania “Trepça jug” me mekanizimin e saj ka kryer prishjen.

“Policia dhe ‘Trepça jug’ e kanë anashkaluar plotësisht vetëqeverisjen lokale të Mitrovicës së Veriut. Ata këtë mëngjes i kanë larguar të gjitha, as Komuna nuk ka qenë e përfshirë, as drejtoritë, organet komunale, as kryetari i komunës, as askush tjetër. Komuna ka kontrata me ndërmarrje dhe kompani të caktuara që kryejnë rrënime, që mirëmbajnë infrastrukturën, ndriçimin, ujësjellësin, kanalizimin... Thjesht nuk na janë drejtuar fare. Kanë ardhur në vendngjarje, kanë rrënuar objektet dhe janë larguar. Kjo do të thotë se dikush tjetër mund të menaxhojë dhe të bëjë çfarë të dojë brenda kufijve administrativë të Mitrovicës së Veriut. Atëherë pse ekzistojmë ne fare?”, pyeti ajo.

Bozhovq konsideron se është i domosdoshëm përfshirja e përfaqësuesve ndërkombëtarë në mënyrë që kjo të mos bëhet praktikë dhe që në listën për rrënim të mos përfshihen edhe objekte të tjera në territorin e Mitrovicës së Veriut.

“As policia nuk na konsulton, as nuk na konsulton askush tjetër. Prandaj kërkoj që kjo të ngrihet në një nivel më të lartë. Sipas ligjit të Kosovës përcaktohet se cilat janë kompetencat e vetëqeverisjes lokale dhe për çfarë ajo është përgjegjëse. Ne sipas ligjit jemi kompetentë për këto veprime. I bëj thirrje edhe bashkësisë ndërkombëtare që të përfshihet maksimalisht në këtë çështje dhe t’i japë mbështetje udhëheqjes së Mitrovicës së Veriut”, apeloi Bozhoviq.