Korniza për paqen në Ukrainë
Lufta në Ukrainë mund të përfundojë përgjithmonë nën kushte që mbrojnë shtetësinë e Ukrainës, marrin në konsideratë interesat e sigurisë së Rusisë dhe vendosin themelet për rend të qëndrueshëm të sigurisë europiane. Ndërsa në Norvegji po përgatitet raund i ri negociatash, propozoj marrëveshje që do të konkludohej si paketë e vetme, që do të firmosej nga Ukraina dhe Rusia që do të miratohej me votim në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në bazë të Kapitullit VII të Kartës së KB dhe për të cilën do të ofroheshin garanci të përbashkëta nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit, së bashku me shtetet e tjera që vendosin të aderojnë në të. Propozimi bazohet në parimin e sigurisë së pandashme, konfirmuar nga Akti Final i Helsinkit dhe Karta e Parisit.
Paketa do të përmbante katër detyrime themelore. I pari është neutraliteti i përhershëm i Ukrainës i konfirmuar nga ligj kushtetues sipas modelit të ligjit austriak të vitit 1955 çka do t’a kthente Ukrainën në përcaktimin mbi të cilin mbështetej Deklarata mbi Sovranitetin Shtetëror të vitit 1990. Ukraina nuk do të bashkohej me asnjë aleancë ushtarake, as nuk do të lejonte baza të huaja apo vendosjen e forcave të huaja në territorin e saj, qoftë NATO, Bashkimi Europian, shtetet e tyre anëtare apo Rusia. Neutraliteti nuk do të thoshte çarmatim dhe Ukraina do të mbante forcat e saj të armatosura për mbrojtjen e vet. Obligimi tjetër do të ishte që Ukraina të vazhdonte kandidaturën e saj për anëtarësi në Bashkimin Europian si shtet neutral i përhershëm, me protokoll neutraliteti në marrëveshjen e pranimit të modeluar sipas modelit irlandez, ndërsa Rusia do të konfirmonte se anëtarësimi i Ukrainës në BE është në përputhje me interesat e veta të sigurisë. Obligimi i tretë do të ishte vendosja e linjës së rmëpushimit përgjatë vijës së kontaktit në ditën e nënshkrimit të marrëveshjes. Çdo palë do të ushtronte juridiksion faktik në anën e vet të linjës, asnjëra nuk do të njihte pretendimet territoriale të palës tjetër dhe të dyja do të hiqnin dorë nga përdorimi i forcës për çdo ndryshim të ardhshëm. E tillë zgjidhje do të ishte në përputhje me kushtetutat e të dy vendeve, që ndalojnë apo kufizojnë rreptësisht lëshimin e territorit. Obligimi i katërt do të ishte dhënia fund e zgjerimit të NATO drejt lindjes. Në ditën e firmosjes së marrëveshjes, Këshilli i Atlantikut Verior do të deklaronte se NATO nuk do t’a pranonte Ukrainën ose anëtarë të tjerë të rinj në Europën Lindore apo Kaukazin Jugor, çka do të tërhiqte kështu premtimin e dhënë në samitin e Bukureshtit të vitit 2008.
Marrëveshja do të hynte në fuqi pas nënshkrimit dhe do të shënonte ndërprerje të përhershme të armiqësive dhe jo armëpushim të përkohshëm. Dispozitat e saj do të zbatoheshin në faza, nën mbikëqyrje ndërkombëtare. Asnjë element nuk do të negociohej veçmas dhe asnjë palë nuk do të ftohej të bënte lëshime para firmosjes së marrëveshjes.
Zgjidhjet territoriale janë hartuar për të marrë kështu në konsideratë shqetësimet dhe kërkesat e të dy palëve. Forcat ukrainase do të tërhiqeshin nga pjesa e rajonit të Donetskut që momentalisht është nën kontrollin e Ukrainës, e cila do të bëhej zonë e veçantë e demilitarizuar. Forcat ruse nuk do të hynin në zonë, administrata egzistuese civile vendore do të vijonte të funksiononte dhe statusi final i zonës do të ishte subjekt negociatash. Rusia do të tërhiqte forcat e veta nga zona që kontrollon në rajonin e Dnjepropetrovskut dhe nga Istmi i Kinburnit. Në të dy anët e kufijve ruso-ukrainas do të vendoseshin zona veriore të sigurisë së demilitarizuar, ndërsa forcat ruse do të largoheshin nga zonat që mbajnë nën kontrollo në rajonet Harkovit dhe Sumit, ndërsa forcat ukrainase do të tërhiqeshin nga ana e tyre. Centrali bërthamor i Zaporozhjes do të mbetej nën kontrollin rus, me mbikëqyrjen e sigurisë së Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) dhe pjesa e dakordësuar e prodhimit të energjisë elektrike, do t'i shitet Ukrainës me çmimin e prodhimit.
Linja e gjatë e të dy palëve të armëpushimit në rripin e demilitarizuar nga e cila armët e rënda dhe sistemet e goditjeve me rreze të gjatë veprimi, do të tërhiqeshin në distancë të dakordësuar. Në zonat kufitare në të dy anët, do të vlenin kufizime të ndërsjellta në numrin e forcave ushtarake. Në Detin e Zi dhe Azov, lundrimi tregtar do të ishte i lirë për të gjitha portet ukrainase e ruse dhe sulmet ndaj anijeve dhe porteve do të ndaleshin.
Marrëveshja rreth Ukrainës duhet të shënojë dhe nisjen e rivendosjes së sigurisë europiane në tërësi. NATO dhe Rusia do dakordësoheshin për moratorium mbi raketat tokësore me rreze të mesme veprimi në Europë, do të përmbaheshin nga dislokimi i armëve bërthamore në çdo shtet tjetër dhe do të ripërtërinin punën e Këshillit NATO-Rusi. Të dy palët do të rivendosnin marrëdhënie normale diplomatike. Pjesëmarrësit do të mblidhnin samitin e parë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) që nga viti 2010, për t'i besuar kësaj organizate monitorimin e zbatimit të marrëveshjes, verifikimin e pajtueshmërisë me kufizimet e armëve dhe monitorimin e dispozitave që lidhen me të drejtat.
Çështjet e gjuhës, arsimit, kulturës dhe fesë do të zgjidheshin në përputhje me standardet europiane. Gjuha ruse do të kishte të njëjtin trajtim si gjuhët e tjera të pakicave në Ukrainë, ndërsa Rusia do të obligohej që në anën e vet të linjës së armëpushimit, të ofronte të njëjtat garanci për folësit e gjuhës ukrainase dhe komuniteteve fetare. Të gjitha obligimet në lidhje me ekstremizmin dhe nxitjen e dhunës, do të ishin reciproke, ndërsa zbatimi i tyre do të mbikëqyrej nga OSBE. Robërit e luftës do të shkëmbeheshin me parimin “të gjithë për të gjithë”, civilët e ndaluar do të liroheshin dhe fëmijët e ndarë do të ribashkoheshin me familjet e tyre.
Sanksionet do të hiqeshin gjatë vitit 2027. Pronat shtetërore ruse që momentalisht ndodhen të bllokuara, gjithashtu do të shkriheshin dhe pronat private të sekuestruara apo bllokuara në të dy anët, do të ktheheshin. Fondi Ndërkombëtar i Rindërtimit, që administrohet nga Banka Europiane e Investimeve, do të financonte rindërtimin në të dy anët e vijës së armëpushimit, nën kontribute nga të gjitha palët, përfshirë Rusinë në kuadrin e përpjekjes së përbashkët dhe jo në këndvështrimin e dëmshpërblimit nga lufta. Tranziti i gazit përmes Ukrainës mund të ripërtërihej aty ku egzistojnë blerës të gatshëm për t’a marrë, pa detyrimin e Unionit Europian për të blerë gaz rus.
Raporti i misionit monitorues të OSBE i përbërë nga vëzhgues të paarmatosur nga shtetet që nuk janë anëtare të NATO për shkelje serioze të marrëveshjes, do të niste konsultime mes shteteve garantuese dhe referimin e çështjes në Këshillin e Sigurimit të KB. Ukraina do të ndërpriste gjendjen e jashtëzakonshme dhe do të mbante zgjedhje nën mbikëqyrjen e OSBE, ndërsa Parlamenti Ukrainas i sapozgjedhur, do të ratifikonte marrëveshjen dhe miratonte ligjin kushtetues rreth neutralitetit. Kuvendi Federal Rus do t’a ratifikonte marrëveshjen në të njëjtën fazë.
Ky propozim për marrëveshje merret me shkaqet e luftës dhe jo vetëm me pasojat e saj. Europa u la kryesisht jashtë formësimit të marrëveshjes së paqes. Me propozimin e një kornize të tillë, qeveritë europiane mund të marrin rol drejtues në ndërtimin e sigurisë së pandashme europiane dhe të ndihmojnë në përfundimin e luftës që ka marrë qindra mijëra jetë dhe që ende mbart rrezikun e konfliktit mes fuqive bërthamore.
Shkruar nga: Xhefri Saks, profesor universitar dhe drejtori i Qendrës për Zhvillim të Qëndrueshëm në Universitetin e Kolumbias dhe kryetar i Rrjetit të Kombeve të Bashkuara për zgjidhje në fushat e zhvillimit të qëndrueshëm.
0 komentet