Brnabiq falënderoi Qipron që votoi kundër Kosovës në Këshillin e Evropës
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ka pritur sot në një vizitë lamtumirës ambasadorin e Qipros në Beograd, Dimitrios Teofilaktu dhe me atë rast e ka falënderuar për qëndrimin parimor të atij vendi, i cili respekton integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë, dhe për votën e tyre “kundër” nisjes së procedurës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Siç thuhet në njoftimin e Qeverisë së Serbisë, kryeministrja Brnabiq përgëzoi ambasadoren e Qipros për një mandat shumë të suksesshëm, duke theksuar se marrëdhëniet dypalëshe të dy vendeve bazohen në miqësinë e fortë, besimin reciprok, afërsinë dhe solidaritetin e konfirmuar historikisht i dy popujve.
Bashkëbiseduesit ranë dakord se duhet të vazhdojë përmirësimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e ekonomisë, shkencës, arsimit, kërkimit shkencor, IT-së dhe të tjera.
Në fillim të takimit me kryeministren Brnabiq, Teofilaktu shprehu ngushëllimet e tij për tragjeditë e ndodhura në shkollën fillore "Vladislav Ribnikar" dhe në Mlladenovc.
Ambasadori i Qipros falënderoi kryeministren Brnabiq për bashkëpunimin e deritanishëm, duke theksuar se në periudhën e ardhshme marrëdhëniet do të vazhdojnë të zhvillohen në bazë të dekadave solide të miqësisë dhe besimit.
komentet