Burjani: Kurti shpreson në votat e AAK-së, në këto zgjedhje nuk do të votojë një pjesë e madhe e diasporës

Bljerim Burjani
Burim: www.info-ks.net

Analisti politik Blerim Burjani deklaroi për Kosovo online se zgjedhjet e 7 qershorit do të dallohen nga ato të mbajtura më 28 dhjetor të vitit të kaluar për faktin se në to nuk do të votojë një pjesë e madhe e diasporës. Megjithatë, vlerëson Burjani, votat e diasporës edhe në këtë proces zgjedhor do të jenë aset i kryeministrit të Kosovës në detyrë teknike, Albin Kurti, ndërsa, siç thotë ai, liderët e ish-UÇK-së që po gjykohen në Hagë nuk do të jenë pjesë e fushatës parazgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje.

Siç theksoi ai, diaspora nuk do të vijë në Kosovë vetëm për të votuar, prandaj detyrën qytetare do ta kryejë në përfaqësitë diplomatike.

“Këtë herë nuk do të jetë njësoj si më 28 dhjetor, diaspora nuk do të mund të udhëtojë vetëm për shkak të zgjedhjeve. Është numër i vogël i atyre që do të vijnë në Kosovë vetëm për të votuar. Shumica do të votojnë përmes postës ose në ambasada”, tha bashkëbiseduesi ynë.

Sipas mendimit të tij, liderët e UÇK-së që në Hagë po gjykohen për krime lufte nuk do të jenë pjesë e narrativës së Kurtit dhe Vetëvendosjes në fushatën parazgjedhore që fillon më 28 maj, sepse, siç tha ai, prej tyre nuk ka përfitim.
“Mendoj se nuk do t’i përmendin, sepse nuk kanë ndonjë dobi prej tyre. PDK-ja do t’i përdorë, por jo Vetëvendosja”, shtoi Burjani.

Siç theksoi ai, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) vështirë se do ta kalojë pragun zgjedhor, ndërsa Kurti shpreson që votat që më parë i takonin AAK-së tani të shkojnë për Vetëvendosjen.