DASH: Të gjitha detyrimet nga dialogu duhet të zbatohen plotësisht pa vonesë

Stejt Department
Burim: Print Screen/You Tube

Pas qetësimit të situatës në veri të Kosovës, Uashingtoni kërkon që Kosova dhe Serbia t’i kthehen përpjekjeve të tyre për të krijuar një ambient për dialog dhe se marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen pa vonesë, thuhet në përgjigjen e Departamentit të Shtetit për Gazetën Express.

Muajve të fundit SHBA është duke insistuar në formimin e Komunitetit të Komunave Serbe, që u përsërit në disa raste nga i dërguari special Gabriel Eskobar.

“Ne mirëpresim lajmet për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës dhe rihapjen e pikave kryesore kufitare mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë për Express zëdhënës i DASH-it.

Siç theksohet më tej, „Uashingtoni tashmë pret që Kosova dhe Serbia t’i kthehen përpjekjeve për të nxitur krijimin e një mjedisi të favorshëm për pajtim, stabilitet rajonal dhe bashkëpunim për të mirën e të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë dhe Serbi“.

Amerika kërkon që të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të procesit të dialogut të implementohen plotësisht dhe pa vonesa.

“Të gjitha detyrimet e dialogut duhet të zbatohen plotësisht pa vonesë”, ka thënë zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Gazetën Express.

Për të çuar palët drejt rinisjes së dialogut, në Prishtinë dhe Beograd gjatë këtij muaji pritet që të zbarkojnë këshilltarët kryesorë të kancelarit gjerman Olaf Sholc dhe presidentit francez, Emanuel Makron.