Drecun: Politika perëndimore ndaj Serbisë do të bëhet më e ashpër

Milovan Drecun
Burim: TV Pink Printscreen

Kryetari i Komision për Kosovën e Metohinë në Kuvendin e Serbisë, Millovan Drecun, ka thënë se nuk beson se Perëndimi mund të ndryshojë qëndrimin për çështjen e Kosovës, transmeton Kurir.

“Kur përcaktohen qëllime afatgjata gjeopolitike nga shtetet e fuqishme, ato nuk përshtaten me disa rrethana aktuale. Ata duan t’ia marrin një pjesë të territorit Serbisë dhe nuk do të heqin dorë nga kjo. Pengesa më e madhe për ta është qëndrimi i Serbisë dhe popullit serb, por qëndrimi i Perëndimit do të mbetet i pandryshuar. A do të ndryshojnë disa vendet qëndrimin - është e mundur, por do të ishte e rrezikshme për ta, duke pasur parasysh se janë nën ndikimin e fortë të SHBA”, konsideron Drecun.

Drecun shprehu besimin se politika e Perëndimit do të ashpërsohet edhe më tej.

“Po fillon një fushatë e fortë. Disa tekste që janë botuar së fundmi janë ngjyrosur jo vetëm me qëndrime irracionale që nuk korrespondojnë me faktet, por edhe me retorikë dukshëm anti-serbe. Shfaqen artikuj që e akuzojnë palën serbe për destabilizimin. Madje ato thonë se serbët e veriut do të ndihen të lirë vetëm kur ta njohin shtetin e rremë të Kosovës. Sikur Beogradi i mban në një pozitë të tillë, jo Prishtina”, tha Drecun. 

Drecun shton se Perëndimi do ta rrisë, jo ta ulë mbështetjen për Kosovën.

"Ata po përpiqen të fshehin thelbin, që është se problemet janë shkaktuar nga përpjekja për të shkëputur me forcë një pjesë të territorit tonë. Kërkohet respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, me të cilën jemi dakord dhe kur bëhet fjalë për e ashtuquajtura Kosovë, atëherë thonë - kjo nuk vlen”, shtoi Drecun.

Drecun e përmendi edhe propozimin franko-gjerman për Kosovën, për të cilin shprehu dyshime.

“Kur është fjala për propozimin evropian për Kosovë, e kam thënë vazhdimisht se ky nuk është propozim francezo-gjerman, por se propozimi është shkruar nga Mirosllav Lajçak dhe ekipi i tij edhe atë sipas direktivës. Ky propozim është bazuar në propozimin e vjetër të Ishingerit. Francezët dhe gjermanët ishin vetëm një lloj bashkë-sponsorësh”, deklaroi Drecun.