Delegacioni i Listës Serbe e informoi Duen për problemet me të cilat përballet populli serb në Kosovë

MITROVICA
Burim: Srpska lista

Delegacioni i Listës Serbe e udhëhequr nga kryetari Zllatan Ellek u takua sot me shefin e ri të UNMIK-ut në Kosovë, Peter Due, me të cilin diskutoi për pozitën e popullit serb dhe, siç thuhet në njoftim, për situatën gjithnjë e më të vështirë të sigurisë dhe politike në të cilën ndodhen serbët.

Nga Lista Serbe bëhet e ditur se përfaqësuesit e saj e kanë njoftuar shefin e UNMIK-ut me problemet e shumta me të cilat përballet çdo ditë populli serb, duke theksuar veçanërisht dhunën institucionale që qytetarët përjetojnë, por edhe komunat ku në pushtet janë kryetarë serbë.

“U theksua se përmes masave të ndryshme administrative, presioneve dhe vendimeve të njëanshme, vështirësohet edhe më tej jeta e serbëve dhe rrezikohet funksionimi i vetëqeverisjeve lokale në mjediset ku serbët përbëjnë shumicën”, thuhet nga Lista Serbe.

Veçanërisht u theksua zbatimi i paralajmëruar i ligjit për të huajt dhe automjetet, për të cilin përfaqësuesit e Listës Serbe vlerësojnë se duhet të jetë alarm për të gjithë përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.

“Nëse vazhdon një qasje e tillë, ekziston rreziku real që të rrezikohet edhe më tej mbijetesa e popullit serb në Kosovë e Metohi, të dëbohen mijëra bashkëkombës tanë dhe të rrezikohen institucionet vitale. Në takim u përsërit se Lista Serbe ofron mbështetje të plotë për UNMIK-un dhe për respektimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, theksojnë.

Nga përfaqësuesit e UNMIK-ut u kërkua që bashkësia ndërkombëtare ta ndjekë më aktivisht situatën në terren dhe ta shfrytëzojë mandatin e saj për të parandaluar masat që, siç thuhet, çojnë në destabilizim shtesë dhe cenim të të drejtave themelore të popullit serb.

“Lista Serbe mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e interesave të popullit serb dhe do të vazhdojë t’i informojë përfaqësuesit ndërkombëtarë për të gjitha problemet me të cilat përballen serbët dhe të kërkojë hapa konkretë me qëllim mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së popullit tonë”, përfundojnë nga Lista Serbe.