Delleviq: Aktgjykimi i ri dënues ndaj Bajroviqit është juridikisht i paqëndrueshëm
Avokati Millosh Delleviq vlerësoi se aktgjykimi i përsëritur dënues ndaj Ekrem Bajroviqit është juridikisht i paqëndrueshëm, duke theksuar se në procedurën e rigjykimit nuk janë eliminuar mangësitë për të cilat kishte vënë në dukje më herët Gjykata Supreme e Kosovës.
Delleviq, në emër të mbrojtjes së Bajroviqit, të cilën përveç tij e përbëjnë edhe avokatët Ljubomir Pantoviq dhe Nesrin Ljushta, tha se, pasi Gjykata Supreme e Kosovës pranoi kërkesën e mbrojtjes për mbrojtjen e ligjshmërisë, shfuqizoi aktgjykimin e mëparshëm dënues dhe e ktheu lëndën në rigjykim, pritej që në procedurën e përsëritur të eliminoheshin mangësitë e konstatuara.
“Megjithatë, kjo nuk ndodhi. Në procedurën e rigjykimit nuk u administrua asnjë provë e re dhe as Prokuroria Speciale nuk ndërmori ndonjë veprim procedural për të eliminuar mangësitë që kishte konstatuar Gjykata Supreme. Pavarësisht kësaj, Gjykata Themelore sërish nxori aktgjykim dënues dhe shqiptoi dënim me 12 vjet burgim”, tha Delleviq.
Ai theksoi se mangësitë në të cilat kishte vënë në dukje Gjykata Supreme nuk mund të eliminohen pa administrimin e provave të reja ose pa ndërmarrjen e veprimeve shtesë procedurale.
“Nëse gjendja faktike ka mbetur e pandryshuar dhe procedura e administrimit të provave nuk është plotësuar, shtrohet një pyetje serioze se në çfarë mënyre janë eliminuar vërejtjet për shkak të të cilave aktgjykimi i mëparshëm u shfuqizua”, tha ai.
Delleviq vlerësoi se aktgjykimi dënues është shprehje e mungesës së guximit të gjykatës së shkallës së parë për të nxjerrë një aktgjykim lirues në një rast ku, sipas tij, nuk ka prova kundër Ekrem Bajroviqit.
Ai shtoi se dëshmitari kryesor dhe i vetmi dëshmitar okular i drejtpërdrejtë i ngjarjes e kishte parë Bajroviqin në momentin kur ai shpëtoi kushëririn e tij, gjë që, sipas tij, është veprimi i vetëm që ky dëshmitar e ka parë dhe përshkruar drejtpërdrejt.
“Nga një provë e tillë nuk mund të nxirret përfundimi për fajësinë, por përkundrazi – se Bajroviqi, në momentin kritik, ka vepruar duke shpëtuar jetën e një civili”, tha Delleviq.
Ai theksoi se për këtë arsye aktgjykimi i përsëritur dënues është juridikisht i paqëndrueshëm.
Gjykata Themelore në Prishtinë edhe në rigjykim e shpalli fajtor dhe e dënoi me 12 vjet burgim Ekrem Bajroviqin, i akuzuar për krime lufte të kryera gjatë viteve 1998 dhe 1999 në komunën e Istogut.
0 komentet