Djemtë nga Mali i Zi: Policët e Kosovës na rrahën dhe na detyruan të këndonim “Kosova Republikë”

Vidovdan, Gazimestan, Živojin Rakočević
Burim: Politika/Živojin Rakočević

Shtetasit malazezë Stefan Tatar, Mirko Zhizhiq, Damjan Otasheviq, Darko Ashanin dhe Danillo Lutiq i dorëzuan sot ambasadorit të Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj, një shkresë në të cilën përshkruajnë, sipas pretendimeve të tyre, torturën që përjetuan më 28 qershor, në Ditën e Vidovdanit, në Kosovë.

Sipas tyre, në Vidovdan kishin ardhur nga Mali i Zi për të marrë pjesë në liturgjinë në Manastirin e Graçanicës, e më pas në parastosin për heronjtë e Kosovës në Gazimestan, transmeton PGTV.

“Pa asnjë simbol kombëtar, morëm pjesë në mënyrë paqësore dhe dinjitoze në parastos, ndërsa pas përfundimit të tij u nisëm drejt daljes nga kompleksi memorial. Tubimi përfundoi qetësisht dhe me dinjitet, pa asnjë sjellje të papërshtatshme apo provokim ndaj pjesëtarëve të organeve të sigurisë që siguronin tubimin. Theksojmë se, përveç nesh pelegrinëve dhe pjesëtarëve të forcave të sigurisë, në hapësirën e kompleksit nuk kishte persona të tjerë, e veçanërisht jo civilë të komunitetit shqiptar”, thuhet në deklaratën e tyre.

Sipas tyre, incidenti ndodhi në dalje të kompleksit, kur pjesëtarët e organeve të sigurisë i nxorën papritur nga turma, i privuan nga liria dhe i futën në një kontejner ku ndodheshin edhe shumë persona të tjerë, për të cilët më vonë u kuptua se ishin arrestuar gjithashtu.

“Më pas na vunë prangat, të cilat i shtrënguan aq fort sa kemi mavijosje në duar. Na futën në një furgon dhe na dërguan në stacionin policor. Që gjatë udhëtimit, Damjan Qulafiq u godit me shuplaka në kokë nga pjesëtarët e organeve të sigurisë së Kosovës. Menjëherë pas mbërritjes në stacionin policor filloi tortura edhe ndaj shtetasve të tjerë malazezë të ndaluar, e cila u ushtrua kryesisht nga policë të rinj me rroba civile dhe me uniformë, pa shenja të qarta identifikuese”, thuhet në shkresë.

Sipas pretendimeve të tyre, Mirko Zhizhiq u godit me grusht në bark pa asnjë arsye, ndërsa Danillo Lutiq u dërgua në një dhomë të veçantë ku u rrah. Ai u kthye me lëndime të dukshme në kokë, të cilat, sipas tyre, janë konfirmuar me raport mjekësor.

“Lëndimet janë dokumentuar me raporte mjekësore, si dhe me fotografi dhe video-incizime. Gjatë gjithë kohës policët na fyenin me emra poshtërues dhe përpiqeshin të na detyronin të këndonim ‘Kosova Republikë’. Pasi refuzuam, nxorën në mënyrë të rastësishme disa djem, i sulmuan fizikisht dhe i rrahën. Edhe ata që nuk janë shtetas të Malit të Zi kanë lëndime të dokumentuara në raportet mjekësore”, thuhet më tej në deklaratë.

Ata pretendojnë se gjatë gjithë ngjarjes nuk morën asnjë ndihmë, madje as ujë, në kundërshtim me pretendimet e policëve që i arrestuan.

“Nga shteti ynë, Mali i Zi, kërkojmë që të ndërmarrë të gjitha masat juridike dhe të tjera, si në Mal të Zi ashtu edhe në bashkësinë ndërkombëtare, me qëllim mbrojtjen e dinjitetit tonë personal, të drejtave të njeriut, si dhe integritetit tonë fizik dhe shpirtëror, duke pasur parasysh trajtimin çnjerëzor dhe torturën ndaj së cilës ishim të ekspozuar nga organet e sigurisë”, thuhet në deklaratë.

Ata shtojnë se ndodhen në Kosovë tash e tri ditë, duke pritur vendimin pa dokumentet personale që u janë konfiskuar dhe, siç theksojnë, kanë mbetur edhe pa para.