Doyle: Aktgjykimin e merr trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarë të pavarur
Mandati i Dhomave të Specializuara të Kosovës është të sigurojnë gjykime të drejta, të paanshme dhe të sigurta, ndërsa aktgjykimin e merr një trup gjykues i përbërë nga gjyqtarë të pavarur, në bazë të ligjit dhe shqyrtimit të kujdesshëm të të gjitha provave të paraqitura gjatë gjykimit lidhur me përgjegjësinë individuale të të akuzuarit, deklaroi zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle.
Doyle iu përgjigj kështu gazetës „Danas“ në pyetjen se si e komenton kjo gjykatë paralajmërimin e veteranëve të UÇK-së për një „revoltë qytetare“ të mundshme në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, nëse ish-komandantët e tyre nuk lirohen më 16 shtator.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë nuk deshën të deklarohen nëse paralajmërimet e veteranëve të UÇK-së përbëjnë presion ndaj gjykatës, e as për tubimin e paralajmëruar të shqiptarëve më 16 shtator në Hagë. Nga gjykata nuk pati as përgjigje konkrete në pyetjen nëse është e mundur një shtyrje e re e shpalljes së aktgjykimit.
Gazetës nuk iu dha sqarim as „nëse ekziston ndonjë bazë juridike mbi të cilën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pretendon publikisht se Hashim Thaçi do të lirohet nga akuzat për krime lufte, si dhe lidhur me deklaratat se një dënim eventual për Thaçin mund të jetë në kohëzgjatjen e paraburgimit të tij të deritanishëm“.
Aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit do të shpallet më 16 shtator. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Paraqitja e fjalëve përfundimtare përfundoi më 18 shkurt, ndërsa Prokuroria e Specializuar i propozoi gjykatës që katër ish-krerët e UÇK-së t’i dënojë me nga 45 vjet burgim.
Në prag të shpalljes së aktgjykimit, për të shtunën, më 12 shtator, veteranët e UÇK-së kanë paralajmëruar një tubim mbështetës për të burgosurit në Hagë, të quajtur „Marshi i Lirisë“, ndërsa në mbarë Kosovën janë vendosur orë që numërojnë kohën deri në shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë.
0 komentet