Elek: Populli serb jeton në geto dhe Kurti në këtë fiton pikë të lira politike për të
Kryetari i Listës Serbe dhe drejtor i QKS Mitrovicë e Kosovës, Zlatan Elek, duke komentuar ngjarjet e fundit në Kosovë dhe sulmet ndaj serbëve dhe pronave serbe, tha se populli serb në ato zona jeton në geto, duke vuajtur çdo ditë provokime dhe sulme nga Prishtina. Ai thekson se kryeministri i Kosovës Albin Kurti po përdor veriun për të fituar pikë politike për zgjedhjet parlamentare të Kosovës më 9. shkurt dhe se populli serb është veçanërisht i shqetësuar për heshtjen e plotë të bashkësisë ndërkombëtare.
“Njerëzit që mbetën të jetojnë në Kosovë dhe Metohi, veçanërisht populli serb, janë njerëz jashtëzakonisht të guximshëm. Është e sigurt se ka frikë, ka arsye për këtë sepse sulmet ndaj serbëve nuk dënohen fare. Gjithashtu, ajo frikë ekziston sepse serbët nuk u besojnë institucioneve në Prishtinë sepse dhuna ushtrohet nga përfaqësues institucionalë të autoriteteve të Prishtinës, para së gjithash po i referohem pjesëtarëve të Shërbimit Policor të Kosovës dhe pjesëtarëve të FSK”, tha Elek si mysafir në Ditarin e mëngjesit të RTS.
Fatkeqësisht, siç thekson ai, serbët në Kosovë nuk e shohin fundin e dhunës.
Ai sqaron se autoritetet në Prishtinë po përpiqen, sidomos në veri, të marrin sa më shumë pikë politike para zgjedhjeve parlamentare të 9. shkurtit.
Në anën tjetër, vëren ai, heshtja e plotë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare e shqetëson popullin serb.
“I vetmi që po reagon është vendi ynë Serbia dhe presidenti Aleksandar Vuçiq”, vëren Elek.
Duke folur për ngjarjet në veri të Kosovës në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Elek tha se atë ditë disa qytetarë të Mitrovicës së Veriut, me ftesë të studentëve, shprehën publikisht protestën e tyre kundër rrezikimit të të drejtave të fëmijëve, duke u bërë thirrje faktorëve relevantë ndërkombëtarë që të reagojnë.
“Se sa seriozisht mendojnë për këtë, dëshmon fakti se askush përveç një anëtari të administratës së UNMIK-ut nuk u paraqit dhe ishin të ftuar edhe ambasadorët e vendeve të Quinte-s dhe anëtarët e të gjithë faktorëve relevantë ndërkombëtarë që banojnë në Kosovë dhe Metohi,” vuri në dukje Elek
Ai tha se populli serb në Kosovë sot jeton në një geto pa respektuar asnjë të drejtë të vetme njerëzore.
Ai ka kujtuar se në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe FSK grisën postera me fotografi të fëmijëve që ishin viktima të dhunës.
Elek iu referua edhe gjuajtjes me gurë të shtëpisë së të kthyerës Dragica Gashiq në ditën e pagëzimit të saj dhe theksoi se rasti i saj është shembulli më i mirë se si jetojnë serbët sot në territorin e Kosovës.
"Ajo është e vetmja grua serbe në jug të Ibrit që jeton në qendër të qytetit dhe mund të shihni se çdo ditë ajo i mbijeton torturës, terrorit dhe keqtrajtimit absolut. Shqiptarët nuk duan t'ia shesin bukën dhe organizatat joqeveritare i thonë se duhet të largohet nga Gjakova dhe të dalë nga banesa. E gjithë kjo po ndodh para syve të bashkësisë ndërkombëtare, e cila është garantues i paqes dhe multietnicitetit, por edhe garant i më shumë se 250 mijë serbëve të përndijekur”, tha Elek.
Ai vlerësoi se bashkësia ndërkombëtare është bashkëpunëtor i Prishtinës në dëbimin e serbëve dhe se populli serb nuk do të kthehet në shtëpitë e veta pikërisht për këtë.
Kur është fjala për punën e QKS dhe shëndetësisë, Eleku si drejtor i atij institucioni thotë se falë angazhimit të madh të Ministrisë përkatëse të Shëndetësisë së Serbisë dhe Zyrës për Kosovë e Metohi, është arritur një zgjidhje e pjesshme kompromisi për furnizim me barna dhe se institucioni shëndetësor po funksionon normalisht përkundër të gjitha presioneve nga autoritetet në Prishtinë.
Duke komentuar deklaratën e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se Kosova është e gatshme të përmbushë obligimet e saj dhe të formojë AKS në këmbim të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, Elek pretendon se është një mashtrim klasik i Presidentës të Kosovës, e cila dëshiron të kënaq SHBA-në dhe faktorët e huaj.
“Nëse kanë dashur ta formojnë Asociacionin e Komunave Serbe, kanë pasur mjaft kohë, kanë kaluar 11 vjet, po hyjmë në vitin e 12-të që nuk është formuar Asociacioni i Komunave Serbe dhe besojmë se do t'i zgjidhte disa probleme të serbëve që jetojnë si në jug ashtu edhe në veri të Ibrit. Ajo që është e sigurt është se autoritetet në Prishtinë, në krye me Albin Kurtin, kanë thënë me vendosmëri se nuk duan të formojnë AKS dhe ai sigurisht nuk do ta bëjë këtë tani që është në mesin e fushatës së tij zgjedhore”, tha Elek.
Ai thekson se pala serbe nuk pret shumë nga procesi i dialogut dhe ndihmë nga Brukseli pasi që Kurti është në fushatë parazgjedhore dhe nuk do të pranojë të bëjë asgjë që do të kërcënonte mbështetjen e votuesve.
komentet