Komisioni Europian për Kosovën: Veprimet e njëanshme nuk kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin

Evropska komisija
Burim: Kosovo Online

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Sërbisë nën ndërmjetësimin e Unionit Europian pavarësisht ndikimit domethënës në zhvillimet e politikës së brendshme, vijon gjatë periudhës raportuese me takime të rregullta në nivelin e kryenegociatorëve dhe në nivelin teknik, në formatin dypalësh e trepalësh, bëhet e ditur në raportin e sivjetshëm të Komisionit Europian për Kosovën. Në dokument shtohet se është bërë përparim i caktuar por zbatimi i obligimeve të tjera nga dialogu është kufizuar dhe rënduar së tepërmi me veprimet e njëanshme dhe retorikën që nuk kontribuon tek normalizimi.

“Përveç çështjes së personave të zhdukur, asnjë palë nuk ka arritur përparim të dukshëm në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023. Të dy palët duhet të tregojnë përkushtim më të madh për obligimet e tyre, të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe retorika që dëmton normalizimin e marrëdhënieve dhe të angazhohen konstruktivisht në zgjidhjen e çështjeve të hapura” bëhet e ditur në raportin e sivjetshëm.

Kujtohet se Kosova në prill të vitit 2026, emëroi ambasadorin Agron Bajrami për kryenegociator i cili në këtë funksion zëvendësoi ish zv kryeministrin Besnik Bislimi.

“Përfaqësuesja e lartë e BE dhe nënkryetarja e Komisionit Europian Kaja Kallas vazhdon të jetë e gatshme që të mbahet takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut, sapo të piqen kushtet” shtohet në Raport.

Në tekst shtohet se nga Kosova dhe Sërbia pritet zbatimi i të gjitha obligimeve që rrjedhin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe aneksit të tij për zbatim-Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëhershme nga dialogu, në përputhje me ripërcaktimin zyrtar nga shtatori dhe tetori i vitit 2024, pa vonesë e parakushte

"Kjo përfshin dhe rregullimet për vetëqeverisjen e komunitetit sërb në Kosovë. Nga Kosova pritet nisja e procesit që çon drejt themelimin e tyre, ndërsa nga Sërbia pritet të nisë paralelisht njohjen e dokumenteve, simboleve dhe institucioneve kosovare. Asnjë palë nuk ka bërë përparim të mjaftueshëm", thotë Komisioni Europian.

Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 është e vlefshme dhe ligjërisht e detyrueshme për të dy palët, dhe asnjë formalitet, përfshirë ato që lidhen me miratimin ose "formalizimin", nuk duhet të pengojë zbatimin e saj.

"Normalizimi dhe zbatimi i obligimeve nga dialogu mbeten kushte kyçe në rrugën europiane të të dy palëve dhe në mungesë të progresit të dy rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme", paralajmëron Komisioni Europian.

Situata e sigurisë

Gjatë periudhës së raportimit, situata në veri të Kosovës mbeti e qetë, por e brishtë. Është rritur numri i procedurave dhe deklaratave që nuk kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve. Komisioni Europian paralajmëron se Kosova shumë herë ka ndërmarrë masa në kundërshtim me obligimet nga dialogu apo ato që minojnë procesin e normalizimit.

“Kjo përfshin veprime policore e administrative të orjentuara kundër strukturave dhe shërbimeve që mbështet Sërbia, arrestime të sërbëve kosovarë, si dhe refuzimin për të tërhequr dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komuniteti sërb, duke dëmtuar kështu riintegrimin. Unioni Europian më 21 korrik e 28 gusht, shprehu shqetësim të thellë mes të tjerash, për mungesën e koordinimit dhe ndikimin negativ tek komunitetet vendore dhe aksesin e tyre në shërbimet bazike publike e sociale”, bëhet e ditur në Raport.

Komisioni shton se Sërbia, nga ana tjetër, shumë herë ka vepruar në kundërshtim me obligimet që ka nga Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023, përfshirë lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në organizmat ndërkombëtare, veçanërisht në Këshillin e Europës dhe Interpol.

"Këto veprime dhe retorika e përsëritur nxitëse e zyrtarëve sërbë, vazhdojnë të minojnë normalizimin e marrëdhënieve. Sërbia nuk ka ndërmarrë asnjë hap domethënës për të siguruar përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë Kosovare të kryer më 24 shtator të vitit 2023 në Banjska nga sulmues të armatosur sërb kosovarë", shtohet në tekst.

Tërheqja e sërbëve kosovarë nga institucionet e Kosovës në nëntor 2022, sipas vlerësimit të Komisionit, përfaqësonte shkelje të obligimeve të Sërbisë nga dialogu, në përputhje me Marrëveshjen e Parë mbi parimet që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve nga prilli i vitit 2013 dhe çoi deri në heqjen e rezultateve kyçe të Marrëveshjes për Gjyqësorin të vitit 2015.

"Nga nëntori i vitit 2022, BE i ka bërë thirrje vazhdimisht Beogradit të mbështesë riintegrimin e sërbëve kosovarë në institucionet e Kosovës, ndërsa Prishtina t’a lehtësojë. Unioni ndaj përshëndeti pjesëmarrjen e sërbëve kosovarë në të gjitha proceset zgjedhore në Kosovë gjatë viteve 2025-2026, përfshirë dhe marrjen e detyrës së kryekomunarëve të rinj nga komuniteti sërb në katër komuna veriore në dhjetor të vitit 2025", thuhej në dokument.

Në përputhje me thirrjen e BE që Sërbia të bëjë hapin e parë, gjyqtarët, prokurorët dhe stafi administrativ nga komuniteti sërb tërhoqën më 15 korrik të këtij viti dorëheqjet e tyre që kishin paraqitur tre vjet e gjysmë më parë.

"Kjo përfaqësonte hapin e parë të rëndësishëm drejt zhbërjes së pasojave të tërheqjes nga institucionet në vitin 2022 dhe çeli mundësinë për ri-integrimin e stafit gjyqësor sërb. Vendimet pasuese të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe ushtrueses së detyrës së presidentit për të pranuar dorëheqjet e tërhequra, penguan përparimin e mëtejshëm. Këto vendime nuk janë në përputhje me qëllimet dhe obligimet e Kosovës nga Marrëveshja për Gjyqësorin e vitit 2015", konstatohet në Raport.

Kosova nuk mundësoi ri-integrimin e stafit gjyqësor sërb. Konkursi pasues për punësimin me kuotë për prokurorët nga komuniteti serb, nuk ishte i suksesshëm.

Bashkësia e Komunave Sërbe

Kur është fjala për Bashkësinë e Komunave Sërbe, Komisioni Europian vlerësoi se nuk është arritur asnjë progres në themelimin e saj, siç parashikohet nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 dhe Marrëveshja për Parimet e Përgjithshme dhe Elementet Kryesore e gushtit të vitit 2015.

Nga Kosova pritet nisja e këtij procesi në përputhje me obligimet nga dialogu, përfshirë dhe ato nga Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023. Nga të dy palët pritet angazhim konstruktiv pa vonesa të mëtejshme.

"Statusi i strukturave dhe shërbimeve që mbështet Sërbia në Kosovë, nevojitet të zgjidhet në përputhje të plotë me marrëveshjet e dialogut dhe ligjeve kosovare dhe jo përmes masave të pakoordinuara. BE insiston tek konsultimet strukturore me përfaqësues të komunitetit sërb në Kosovë që të sigurohet pjesëmarrja e tyre thelbësore", shkruhet në Raport.

Sikurse bëhet e ditur, procesi duhet të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me përfaqësuesin special të BE për dialog.

Ura mbi Ibër

"Punimet në Urën e Ibrit në Mitrovicë, përfshirë vlerësime e konsultime shtesë, përfunduan. Qëndrimi i BE mbetet që ura duhet të hapet", bëhet e ditur në dokument.

Ndonëse kushtet teknike u përmbushën, nevojitet të përmirësohet koordinimi efikas dhe konsultimet thelbësore mes komunave dhe institucioneve kompetente në nivel qëndror sesi ura t'u shërbejë të gjitha komuniteteve.

"Zbatimi i marrëveshjeve të energjisë nga viti 2013 dhe 2015, si dhe i Udhërrëfyesit të Energjisë nga viti 2022, ka vazhduar. Operatori sërb i sistemit të transmetimit EMS ende nuk e ka përcaktuar kapacitetin neto të transmetimit në ndërlidhjen me Kosovën, çka pamundëson shpërndarjen e kapaciteteve ndërkufitare tek pjesëmarrësit e tregut. Kjo ndikon negativisht në sigurinë e furnizimit dhe konkurrencën dhe rrit çmimet e importit të energjisë elektrike", bën të ditur Komisioni Europian.

Sërbia duhet t’a zgjidhë këtë problem afatgjatë, përfshirë përmbushjen e obligimeve nga Marrëveshja për Komunitetin Energjitik.

Kur është fjala për zbatimin e disa marrëveshjeve teknike nga dialogu i periudhës 2011-2012, të dy palët duhet të vazhdojnë zbatimin e marrëveshjeve mbi përfaqësimin dhe bashkëpunimin rajonal, të cilat mundësojnë pjesëmarrjen e Kosovës në forumet rajonale.

"Asnjë palë nuk do të duhet të bllokojë forumet rajonale për mosmarrëveshjet dypalëshe. Zbatimi i marrëveshjes për kadastrën dhe njohjen e diplomave universitare, është ende në pritje për shkak të Sërbisë", bëhet e ditur në raport, duke shtuar se Sërbia ende nuk e ka zgjidhur çështjen e strukturave të zhvendosura administrative doganore që veprojnë në territorin e Sërbisë nën emërtesat kosovare.

Vendkalimet e përbashkëta të përkohshme mes Kosovës dhe Sërbisë vijojnë të funksionojnë, por zbatimi i tyre nuk është përfunduar plotësisht. Nga gjashtë vendkalimet e përbashkëta të përhershme, vetëm dy janë krijuar-Merdare dhe Mutivoda. Komisioni i bën thirrje Sërbisë të mbyllë rrugët ilegale dhe ato anashkaluese dhe të mundësojë vazhdimin e takimeve të përbashkëta për drejtimin e integruar të vendkalimeve, nën ndërmjetësimin e BE në të gjitha nivelet-vendore, rajonale e qëndrore.

Është arritur progres i kufizuar në eliminimin e mangësive në mirëmbajtjen e vendkalimeve të përkohshme në territorin e Sërbisë, por ende egzistojnë probleme të rëndësishme, përfshirë çështjet e shëndetit dhe sigurisë. Kosova duhet të sigurojë rrjedhën e lirë të mallrave përmes të gjitha vendkalimeve të përbashkëta të caktuara, në përputhje me obligimet e veta nga dialogu.

"BE përshëndet zbatimin e kënaqshëm në përgjithësi të marrëveshjes së 14 marsit të këtij viti për zbatimin e Ligjit për të Huajt, si dhe mundësitë që çelen për rregjistrimin e fakteve për statusin e qytetarëve në sistemin kosovar bazuar në dokumentet e lëshuara në Sërbi. Kosova inkurajohet të gjejë zgjidhje afatgjatë që do të sigurojë proces efikas regjistrimi për të gjithë ata që jetojnë, punojnë apo studiojnë në Kosovë, që të mund të marrin dokumentet e nevojshme", shtohet.

Komisioni thotë se nuk ka pasur progres në zgjidhjen e çështjeve të mbetura në kuadër të marrëveshjes së telekomunikacionit, për të cilën fton të dy palët të respektojnë plotësisht marrëveshjet, të zgjidhin ndërhyrjen e ndërsjelltë në përdorimin e frekuencave mes operatorëve celularë sërb e kosovarë dhe të sigurojnë kualitet të plotë të shërbimeve postare për të gjitha komunitetet.

Komisioni Europian konstaton se është arritur përparim i kufizuar pas vendimit të Qeverisë së Sërbisë për të ndërmarrë hapa drejt rivendosjes së bashkëpunimit në fushën e ndihmës së ndërsjelltë ligjore, pas ndërprerjes së gjatë që shkaktoi Beogradi. Gjykatat sërbe sërish kanë nisur të shfrytëzojnë kanale për ndihmë të ndërsjelltë ligjore në numër mjaft të kufizuar rastesh.

Vizitat e zyrtarëve

Të dy palët vazhduan të mos i përmbaheshin plotësisht marrëveshjeve për vizita zyrtare, para së gjithash ato të paralajmëruara që u refuzuan nga të dy palët.

BE përshëndet faktin që dy vizitat e patriarkut të Kishës Ortodokse Sërbe në Kosovë, përfshirë vizitën gjatë Pashkës Ortodokse, si dhe vizita e ushtruesit të detyrës së Ministrit të Kulturës dhe Turizmit të Kosovës në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc, kaluan pa incidente.

"Kosova dhe Sërbia duhet të mundësojnë vizitat e kryenegociatorëve të tyre, zyrtarëve të tjerë qeveritarë dhe përfaqësuesve fetarë kur ato njoftohen dhe organizohen në përputhje me rregullimet në fuqi. Ky nuk ishte rasti me shumicën e vizitave të njoftuara. Nga vizitorët zyrtarë pritet që të përmbahen nga deklaratat dhe sjelljet që thellojnë ndasitë", thuhet në raport.

BE përshëndet takimin e parë të Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur, mbajtur në janar të këtij viti me qëllim avancimin e zbatimit të Deklaratës Politike për Personat e Zhdukur, të miratuar në maj të vitit 2023, pas së cilës në prill u mbajt takim teknik mbi qasjen në arkiva. Kjo përfaqëson përparim në zbatimin operativ të Deklaratës së vitit 2023, ndonëse nevojitet bashkëpunim i mëtejshëm. Nga të dy palët pritet të përmbahen nga politizimi i kësaj çështjeje humanitare dhe të përmirësojnë bashkëpunimin e ndërsjelltë.

Ndryshimet në Ligjin për Odat e Specializuara

Kuvendi më 6 tetor të këtij viti, miratoi ndryshimet në Ligjin për Odat e Specializuara të Kosovës dhe Prokurorinë Speciale. Presidentja më 22 tetor ktheu rregulloren në Kuvendin e Kosovës për rishqyrtim.

"Ndryshimet e propozuara shkaktojnë shqetësim serioz në vështrimin e obligimeve ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit e veçanërisht mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe përgjegjësinë efektive për krimet e luftës", thotë Komisioni. Ndryshimet ngrenë pyetje në lidhje me kushtetutshmërinë e tyre.

"Sfidat në sigurimin e zbatimit efektiv të ndryshimeve në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës tregojnë vetëdije kufizuese për përgjegjësinë dhe përkushtimin ndaj reformave, si dhe ndikimin e vazhdueshëm të grupeve të caktuara të interesit. Veçanërisht shqetësuese shkaktojnë urdhërarrestet e lëshuara me efekt prapaveprues, si dhe aplikimi i procedurave përkatëse dhe mekanizmave mbrojtës", shtohet.

Kur është fjala për drejtimin e qeverisë teknike në Kosovë, është operuar me kompetenca të kufizuara gjatë pauzave të punës së Kuvendit. Kompetencat e plota i mori sërish shkurtimisht në shkurt të këtij viti, e më pas sërish pas periudhës raportuese, në shtator të vitit 2026.

"Sfidat në raportet mes institucioneve qëndrore dhe komunave ende egzistojnë. Koordinimi vazhdon të jetë reaktiv, me komunat që ballafaqohen me vonesa dhe mungesë kapacitetesh. Pavarësisht de-eskalimit dhe progresit të arritur përmes zgjedhjeve vendore të qeta dhe gjithëpërfshirëse, si dhe zgjedhjes së kryekomunarëve nga radhët e sërbëve kosovarë në komunat veriore, këto të fundit vazhdojnë të jenë të kufizuara në kryerjen e përgjegjësive të tyre".

Të drejtat bazike

Korniza ligjore e institucionale për promovimin, mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave të njeriut kryesisht është vendosur, por nevojitet zbatim më efikas i tyre. Përpjekjet momentale në harmonizimin e legjislacionit me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, përfshirë ato të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Invalidëve, janë të lavdërueshme, por kërkojnë vrull më të madh, thuhet në Raport.

Kuvendi gjithashtu duhet që pas krijimit të institucioneve pas zgjedhjeve të vitit 2026, urgjentisht të nisë procedurë transparente për zgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe zëvendësve të tij.

"Operacionet e fundit të zbatimit të ligjit në veri të Kosovës, përfshirë shembjen e pronave private pa procedurë adekuate ligjore, tregojnë mangësi në mbrojtjen efikase të të drejtave pronësore. Po zbatohen masa që janë të pakthyeshme, ndërkohë që rastet gjyqësore janë ende në vazhdim, çka shkakton shqetësime në vështrimin e qasjes në mjet efektiv juridik", paralajmëron Komisioni.