Gjuriq: Po nisim dialogun strategjik me Izraelin; Sar: Serbia mike e afërt dhe e rëndësishme

Marko Đurić i Gideon Sar
Burim: Kosovo Online

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, deklaroi se sot me kolegun e tij nga Izraeli, Gideon Sar, është arritur marrëveshja për nisjen e dialogut strategjik ndërmjet dy vendeve. Gjuriq theksoi gjithashtu se e ka njoftuar bashkëbiseduesin me situatën në Kosovë dhe me pozitën e vështirë në të cilën gjenden serbët në atë zonë. Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit nënvizoi se Serbia është mike e afërt dhe shumë e rëndësishme për vendin e tij dhe një shtyllë strategjike në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Sarin, Gjuriq falënderoi kolegun për kontributin e madh personal në përmirësimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Izraelit, çka dëshmohet edhe me vizitën e sotme, e cila, siç tha ai, zhvillohet në një moment historik të rëndësishëm.

“Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shtetit të Izraelit nuk mbështeten vetëm në një bashkëpunim të mirë dekadash mes dy vendeve, por në shekuj marrëdhëniesh të mira, të afërta, vëllazërore mes popullit serb dhe popullit hebre, të bazuara në vuajtje të përbashkëta, në vlera të përbashkëta dhe në një besim të palëkundur në të ardhmen”, tha shefi i diplomacisë serbe.

Ai theksoi se Serbia e sheh Izraelin si një nga miqtë më të mëdhenj dhe partnerët strategjikë kryesorë, për çka bisedimet e sotme kanë pasur në fokus edhe bashkëpunimin ekonomik dhe politik.

“Gjatë bisedimeve të sotme, përveçse nënshkruam tre memorandume të rëndësishme bashkëpunimi, u pajtuam gjithashtu të nisim dialogun strategjik mes dy vendeve, që përmes bashkëpunimit ndërinstitucional dhe komitetit të përbashkët ekonomik të forcojmë më tej bashkëpunimin ekonomik”, tha Gjuriq.

Ai vuri në dukje se ekonomia izraelite është një nga më dinamike dhe inovative në botë, ndërsa ekonomia serbe një nga më dinamike dhe më me rritje të shpejtë në këtë pjesë të botës, duke pasur parasysh se në pak më shumë se një dekadë PBB-ja e vendit është dyfishuar.

Gjuriq theksoi  se të dy vendet ndajnë edhe çështjen e marrëdhënies ndaj temave historike – Holokaustit dhe ruajtjes së kujtesës për vuajtjet e popullit hebre, duke theksuar se Serbia i ka kushtuar gjithmonë rëndësi të madhe kësaj çështjeje dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë.

“Të dy shtetet përballen me përpjekjet për revizionizëm historik dhe qëllimi ynë i përbashkët është që t’u rezistojmë atyre përpjekjeve”, theksoi ministri Gjuriq.

Ai përcolli se e kishte njoftuar ministrin Sar me situatën aktuale në Kosovë dhe pozitën e vështirë të serbëve atje.

Duke kujtuar se takimi me ministrin izraelit pasoi vetëm disa orë pas bisedimeve mes presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanjahu, Gjuriq theksoi se Serbia e mirëpret dhe e mbështet nismën paqësore të Trumpit dhe kërkon që Hamasi pa vonesë t’i lirojë të gjithë pengjet dhe që dispozitat e propozuara të zbatohen plotësisht.

Ai kujtoi gjithashtu se shtetasi serbo-izraelit, Alon Ohen, prej më shumë se 800 ditësh gjendet në robëri të Hamasit, në kushte që, siç tha ai, janë jashtëzakonisht të rënda dhe të tmerrshme për çdo qenie njerëzore.

“Nuk ka asnjë justifikim që të mos lirohen të gjithë pengjet”, tha ministri Gjuriq.

Duke falënderuar partnerët izraelitë për gjithçka që është arritur deri më tani, Gjuriq shprehu bindjen se Serbia dhe Izraeli ndajnë shumëçka dhe se do të ndajnë edhe shumë suksese në të ardhmen.

“Suksese që do të sjellin të mira për qytetarët, që do të bëjnë drejtësi për të gjitha viktimat që kemi pësuar si popuj, dhe që do të sigurojnë që gjeneratat e reja në të dy vendet tona të mund të shohin me siguri drejt së ardhmes”, përfundoi ministri Gjuriq.

Sar: Serbia mike e afërt dhe e rëndësishme për Izraelin

Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gideon Sar, shprehu kënaqësinë që sot është marrë vendimi për nisjen e dialogut strategjik ndërmjet dy vendeve.

Ai theksoi se Serbia është mike e afërt dhe shumë e rëndësishme për Izraelin dhe se përbën një shtyllë strategjike në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.

Sar nënvizoi se forcimi i mëtejshëm i miqësisë mes dy popujve është një objektiv i rëndësishëm.

“Kjo miqësi është e rrënjosur në histori. Komuniteti hebre në Serbi është i lashtë dhe pjesa më e madhe e tij u shua brutalisht gjatë Holokaustit. Hebrenjtë dhe serbët ishin viktima të së keqes së regjimit nazist, ndërsa partizanët luftuan heroikisht kundër Hitlerit. Ne u luftuam së bashku, por edhe u vramë së bashku”, theksoi Sar.

Ai tha se partizanët mishëronin shpirtin e fortë serb, të një kombi krenar, trim dhe sovran, ashtu siç janë edhe hebrenjtë një komb krenar dhe sovran në atdheun e tyre të lashtë.

“Kemi ndërtuar partneritet në shumë fusha. Jam krenar që po i ngremë në nivelin tjetër. Sot në takim vendosëm të nisim dialogun strategjik. Jam i lumtur që procesi i negociatave për marrëveshjen e tregtisë së lirë po ecën përpara. Rivendosja e fluturimeve direkte do t’i ndihmojë ekonomisë serbe”, tha Sar.

Ai theksoi se numri i turistëve nga Izraeli është rritur dhe ftoi hebrenjtë të vizitojnë Serbinë duke nënvizuar se është vend i sigurt për izraelitët, si dhe serbët të vizitojnë Izraelin.

Gjithashtu, ai tha se Izraeli e vlerëson faktin që Serbia ka qenë nikoqire e klubeve basketbollistike izraelite gjatë dy viteve të fundit, për çka Izraeli ka sponsorizuar rindërtimin e terreneve të basketbollit si shenjë mirënjohjeje.

Sar theksoi se Izraeli po lufton për mbijetesë dhe se ende 48 pengje të rrëmbyera gjatë sulmit terrorist të 7 tetorit para dy vitesh gjenden në “burgjet e Gazës”, prej të cilëve 20 janë ende gjallë.

“Njëri nga pengjet është i afërmi juaj. Alon Ohel është i ri dhe ëndrra e tij është të bëhet muzikant. Ai mbahet në kushte të tmerrshme. Ju falënderoj për qëndrimin tuaj të qartë në lidhje me këtë dhe për thirrjen për lirimin e pengjeve”, tha ai.

Izraeli ka pranuar planin e Trumpit, tani është radha e Hamasit të përfundojë luftën

Sar deklaroi se Izraeli ka pranuar planin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për një të ardhme më të mirë.

“Ne gjithmonë kemi dashur që kjo luftë të përfundojë dhe jemi të përkushtuar ndaj objektivave të vendosura nga kabineti i sigurisë. Ata që deri tani kanë refuzuar ta përfundojnë luftën janë ata që e filluan më 7 tetor, e ky është Hamasi. Hamasi është i vetmi përgjegjës për vazhdimin, vuajtjet dhe humbjet e palestinezëve”, tha ai.

Ai nënvizoi se tani do të shihet nëse do të pranojnë planin e Trumpit.

“Ne duam që pengjet tona të kthehen në shtëpi pas dy vitesh. Duam të shohim një Gaza të ndryshme – të deradikalizuar dhe të çarmatosur, që të mos përbëjë kërcënim për Izraelin”, theksoi Sar.

Ai falënderoi Serbinë që ruan komunitetin hebre dhe që mbështet Izraelin në momente të vështira.

Gjithashtu, ai ka thënë se Izraeli është i lumtur që mbështeti kandidaturën e Serbisë për të qenë nikoqire e Ekspozitës Botërore 2027.

Para deklaratave për media, Gjuriq dhe Sar nënshkruan Memorandumin e mirëkuptimit për konsultime bilaterale, Memorandumin për trajnimin diplomatik, si dhe Programin e bashkëpunimit 2025-2028 në fushën e arsimit, shkencës, kulturës, rinisë dhe sportit.

Ministri Gjuriq gjithashtu nënshkroi Deklaratën për të mbijetuarit.