Gogiq: Zgjedhjet në Kosovë janë të sigurta, Kurti i ka ofruar opozitës shumë pak dhe shumë vonë

Ognjen Gogić
Burim: Kosovo Online

Politologu Ognjen Gogiq deklaroi se nuk ekziston mundësia për një kthesë dhe që Kosova deri në mesnatë të marrë president, duke theksuar se gjithçka që kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka ofruar opozitës është shumë pak dhe ka ardhur shumë vonë, dhe se opozitës tani nuk i leverdis të bëjë kompromis me të.

“Do të ishte e çuditshme që të ndodhte (një kthesë). Tani vërtet nuk ekziston mundësia që kjo të ndodhë, sepse marrëdhëniet mes pozitës dhe opozitës janë dëmtuar aq shumë, sidomos pas përpjekjes për të votuar për president në mënyrë jokushtetuese”, tha Gogiq për Kosovo online.

Mbrëmë, në seancë, pavarësisht mungesës së kuorumit, u votua për kandidatët për president, ndërsa Gogić thotë se kjo u bë me qëllim që të arrihej raundi i tretë, kur presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë.

“Kjo krijoi një revoltë të madhe brenda opozitës, e cila menjëherë e cilësoi këtë si grusht shteti kushtetues. Kjo e thelloi edhe më tej hendekun mes partive. Nëse më parë nuk mund të arrinin marrëveshje, nuk do të munden as tani. Duket sikur është lexuar qëllimi i Kurtit, që është të zgjedhë presidentin me çdo kusht, e më pas të blejë kohë shtesë duke bërë që opozita ta kundërshtojë zgjedhjen (e presidentit) në Gjykatën Kushtetuese. Kjo vetëm do të shtynte edhe më tej shpalljen e zgjedhjeve”, thotë Gogiq.

Sa i përket zgjedhjeve, sipas Gogiqit, pyetja nuk është nëse do të ketë, por vetëm kur.

“A do të provohet të zgjidhet presidenti sot, e më pas kjo të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese për të fituar kohë? Këtu Vetëvendosje mund të thotë se deputetët e opozitës e kanë shkelur Kushtetutën duke mos votuar fare dhe në këtë mënyrë të mbrojë politikën dhe manovrën e saj. Por kjo vetëm mund të shtyjë momentin e shpalljes së zgjedhjeve, jo më shumë”, tha Gogiq.

Ai thekson se gjithçka që Kurti i ka ofruar opozitës ka qenë shumë pak dhe shumë vonë.

“Ai u ka ofruar disa partive që të hyjnë vetë në qeveri, por kjo nuk është racionale dhe nuk është në interesin e tyre, sepse ai mund t’i largojë nga ajo qeveri sapo të sigurojë votat për presidentin”, thotë Gogiq.

Ai shton se opozitës nuk i leverdis gjithashtu të arrijë marrëveshje me Kurtin tani, sepse, sipas tij, mund të arrijë rezultat më të mirë në zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme.

“Shumë gjasa ka që të përmirësojnë rezultatin e tyre nëse zgjedhjet mbahen përsëri në qershor. Këto parti nuk kanë interes të bëjnë kompromis për disa lëshime të vogla nga Kurti, kur mund të dalin në zgjedhje dhe të përmirësojnë rezultatin e tyre dhe nga ajo pozitë të negociojnë. Për më tepër, të gjithë llogarisin se Vjosa Osmani është rikthyer në opozitë dhe se ajo do të jetë rivali kryesor i Kurtit dhe do t’i marrë një numër të konsiderueshëm votash”, përfundon Gogiq.