Guxhiq: Aktivitet i shtuar mes Vatikanit dhe Kosovës, Osmani vazhdon me narrativin e njohur
Historiani Aleksandar Guxhiq theksoi se në dy vitet e fundit është rritur aktiviteti ndërmjet Vatikanit dhe Kosovës, por se është e vështirë të parashikohet nëse Selia e Shenjtë do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Duke iu referuar deklaratës së presidentes Vjosa Osmani se “toka dardane ka nxjerrë shumë personalitete të mëdha”, Guxhiq vlerëson se është, për ta thënë butë, qesharake të thuhet se perandori romak Konstantini është “shqiptar i madh”.
“Që nga viti 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, Vatikani nuk e ka njohur këtë pavarësi dhe kjo situatë vazhdon edhe sot. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të politikanëve kosovarë gjatë gjithë këtyre viteve, kjo nuk ka ndodhur. Selia e Shenjtë deri më sot zyrtarisht nuk ka emëruar nunc për Kosovën. Megjithatë, që nga viti 2023 vërehet një aktivitet i shtuar nga të dyja palët për të arritur njohjen, por nëse ajo do të ndodhë vërtet, është e vështirë të parashikohet”, tha Guxhiq për Kosovo online.
Siç theksoi ai, deklarata e Osmanit për personalitetet e mëdha nga “toka dardane” është vazhdim i narrativit se shqiptarët e Kosovës janë katolikë dhe se janë të pranishëm në këto troje prej një mijë vjetësh.
“Kam përshtypjen se deklarata e saj është vazhdim i një narrativi që është dominues në opinionin politik dhe shkencor kosovar, e cila ka të bëjë me vazhdimësinë mijëravjeçare të shqiptarëve në këto hapësira, si dhe me identitetin katolik të shqiptarëve të Kosovës. Thelbi i këtij narrativi është: ‘ne, shqiptarët, kemi qenë në Kosovë prej mijëra vitesh; në një moment ka pasur pushtim serb ose ndonjë tjetër, por ne gjithmonë kemi qenë këtu’. Narrativi tjetër lidhet me identitetin katolik romak të shqiptarëve të Kosovës – ‘ne, shqiptarët, jemi katolikë romakë; në një moment erdhën serbët që shkatërruan kishat dhe manastiret tona dhe mbi themelet e tyre ndërtuan kishat dhe manastiret e tyre’. Në këtë kontekst e shoh edhe paraqitjen e Vjosa Osmanit në rrjetet sociale, dhe ky nuk është një narrativ i ri”, tha Guxhiq.
Ky narrativ, shton Guxhiq, është i rëndësishëm për të justifikuar gjithçka për të cilën janë përgjegjës, si kryengritja e viteve ’90, spastrimi etnik gjatë operacionit “Fshesa”, kur u dëbuan mbi 200.000 serbë, si dhe shkatërrimi i më shumë se 150 kishave dhe manastireve të Kishës Ortodokse Serbe.
Sipas tij, deklarata e Osmanit se perandori romak Konstantini është “shqiptar i madh” është qesharake.
“Pa dyshim që mes shqiptarëve të Kosovës ka njerëz të mëdhenj dhe të suksesshëm, por jo në këtë mënyrë. Të thuash se Konstantini i Madh, sundimtar romak që e njohu krishterimin, është me prejardhje shqiptare, është vërtet, për ta thënë më së buti, qesharake”, përfundoi Guxhiq.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u prit të shtunën në Vatikan në audiencë nga Papa Leoni XIV dhe pas takimit shprehu shpresën se Selia e Shenjtë do ta njohë Kosovën.
Presidentes së Kosovës dje në Anagni iu nda çmimi “Bonifaci VIII”.
0 komentet