Vulliq: Pres vazhdimësi në politikën e jashtme të Vatikanit, përfshirë mosnjohjen e Kosovës

Vulić
Burim: Kosovo Online

Doktorandi në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd dhe specializanti në Universitetin Papnor Gregoriana në Vatikan, Millosh Vulliq, vlerësoi se me zgjedhjen e kreut të ri të Kishës Katolike Romake, Papa Leo XIV, ai pret vazhdimësi në politikën e jashtme të Vatikanit, përfshirë edhe mosnjohjen e Kosovës.

Vulliq kujton se Vatikani mbështet parimet diplomatike që i shkojnë në favor Serbisë, se Kosova nuk është e njohur nga Kombet e Bashkuara.

“Kjo është një fakt shumë i rëndësishëm. Në këtë kuptim, pres vazhdimësi në politikën e jashtme të Vatikanit. Jo vetëm për faktin që Papa i ri, Leo XIV, ndjek vijën e jashtme politike të paraardhësit të tij, Papa Françeskut, por edhe sepse politikën e jashtme do ta formësojë në masë të madhe sekretari i shtetit, dhe besoj se ai do të mbetet i njëjti, kardinali Pietro Parolin, i cili është shumë i njohur me qëndrimin tonë, jo vetëm për krahinën tonë jugore, por edhe për rrezikimin e popullit tonë në Kosovë dhe Metohi dhe të shenjtërive tona. Në këtë kuptim, kjo zgjedhje është shumë e mirë për shtetin tonë,” deklaroi Vulliq për Kosovo online.

Ai shton se, megjithatë, në këtë moment është e vështirë të parashikohet nëse do të vijë vërtet deri te ndryshimi i kësaj politike, por nëse Papa i ri ndjek politikën e paraardhësit të tij, atëherë nuk do të ketë ndryshim në qëndrimin e Vatikanit.

“Papa Françesku ka qenë vërtet i veçantë sa i përket këtyre çështjeve të ndjeshme – si për Ballkanin, ashtu edhe në përgjithësi për të gjithë botën. Na është i njohur qëndrimi i tij për krahinën tonë jugore. Nga ajo që shoh unë, do të ketë vazhdimësi dhe vetë Papa Leo XIV nuk do të ndryshojë ndjeshëm qëndrimin e Vatikanit”, thotë Vulliq.

Ai thekson se rezultati i votimit të kardinalëve tregoi në masë të madhe se do të zgjidhej një papë që do të vazhdojë politikën e mëparshme të Vatikanit.

“Në mbledhjen e fundit të kardinalëve, që ishte përgatitore për hyrjen në Konklavë, morëm raportin se kardinalët dëshirojnë një papë që do të jetë ndërtues urash, që ashtu si paraardhësi i tij, Papa Françesku, do të jetë i drejtuar nga periferia e kishës dhe botës. Prandaj mund të themi se kemi marrë një papë të vazhdimësisë”, përfundon Vulliq.

Pavarësisht se për shumicën e katolikëve zgjedhja e Papës Leo XIV ishte një surprizë, Vujiq kujton se pikërisht Papa Françesku e shuguroi atë për ipeshkëv në vitin 2015, se ka shërbyer në Peru, në Amerikën Latine, dhe se në vitin 2023 u emërua kardinal, e më pas prefekt i kongregatës për përzgjedhjen e ipeshkëve – një post i lartë në Kurinë Romake.

“Kur merren parasysh të gjitha këto fakte, nuk është befasuese që një personalitet i tillë është zgjedhur për papë, megjithatë për ne që e kemi ndjekur këtë proces jashtë Konklavës ishte surprizë, sepse në mediat botërore emri i tij nuk përmendej aq sa përmendeshin emrat e sekretarit të shtetit Pietro Parolin, kardinalit Tagle apo të tjerëve që konsideroheshin favoritë,” sqaron Vulliq.

Ai zbulon edhe një fakt pak të njohur: se kreu i ri i Kishës Katolike Romake e kishte vizituar Serbinë vitin e kaluar.

“Papa i ri ishte në Beograd vitin e kaluar në një takim të konferencës së ipeshkëve evropianë dhe ishte mysafir te kardinali beogradas Vlladisllav Nemet. Kështu që kemi pasur atë privilegj që papa i tanishëm tashmë të na ketë vizituar. Në këtë kuptim, mund të jemi shumë të kënaqur me këtë zgjedhje,” përfundon Vulliq.