Ivanov: Rezoluta e PE jo e detyrueshme, për masat kundër Sërbisë nevojitet konsensus, ndërsa Hungaria është kundër
Parlamenti Europian ka miratuar sot Rezolutën rreth dialogut Sërbi-Kosovë dhe rreth situatës në komunat veriore në Kosovë ku në disa pjesë është mjaft kritike dhe me këtë rast Helena Ivanov, bashkëpunëtore hulumtuese në Qendrën Hulumtuese Henri Xhekson, thotë për Kosova Onlajn se rezolutat e Parlamentit Europian nuk janë të detyrueshme, ndërsa për masat e mundshme të përmendura në këtë dokument. ajo tregon se për miratimin e tyre në BE ka një pengesë, e ajo është fakti që Hungaria e ka fare të qartë se nuk do t’a mbështesë aktivizimin e tyre.
Parlamenti Europian në rezolutën e vet fton Komisionin Europian dhe Këshillin e BE që të ndërmarrë masa ndaj Qeverisë së Sërbisë “nëse hetimet zbulojnë se shteti i Sërbisë është direkt i përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë apo në sulmin e dhunshëm që ndodhi në veri të Kosovës në maj të vitit 2023” ose nëse autoritetet sërbe nuk janë të gatshme të bashkëpunojnë plotësisht. Në këtë kontekst PE i bën thirrje Komisionit Europian që të ngrijë fondet e dhëna Sërbisë në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Para-Aderimit, nëse rezultatet e hetimit tregojnë se shteti sërb ka qenë i përfshirë direkt në këto sulme.
Duke komentuar këto thirrje drejtuar PE, Ivanov thotë se pesha e kësaj që thotë PE përherë është pak më e vogël sesa kur e thonë të njëjtën zyrtarët europianë.
“Dimë që rezolutat e Parlamentit Europian nuk janë detyruese dhe se në të kaluarën PE i bëri thirrje BE që të sanksionojë ose të vendosë masa kundër Sërbisë në një mënyrë ose në një tjetër për shkak të mos vendosjes nga ana e saj e sanksioneve kundër Rusisë, dhe kjo nuk ka ndodhur ende. Kështu që pesha e asaj që thotë PE është gjithmonë pak më e vogël sesa nëse thuhet nga zyrtarët europianë. Ajo çka qëndron më tepër si pengesë për PE në këtë moment, është fakti se Hungaria ka qenë mjaft e qartë se nuk do të mbështesë vendosjen e masave të tilla, të cilat do t’a pengonte BE të vendoste të tilla masa. Nga ana tjetër do të thoja se kjo rezolutë ka pak më shumë peshë në krahasim me disa të mëparshmet, sepse pas incidentit në Banjskë mund të dëgjojmë mesazhe të ndryshme drejtuar qeverisë së Sërbisë dhe një ton më kritik ndaj qëndrimit sërb në përgjithësi, kështu që mendoj se në këtë rast PE do të kishte shumë më tepër mbështetje nëse do të vërtetohej se Sërbia ka qenë e përfshirë apo nëse do të refuzonte të lejonte kryerjen e hetimit adekuat” thotë Ivanov.
Rruga nga rezoluta e PE e deri në vendosjen e masave të BE për Sërbinë, spegon bashkëbiseduesja jonë, do të nënkuptonte votë unanime të të gjitha shteteve anëtare.
“Gjithçka do të varej edhe nga ajo se cilat masa konkrete do të propozoheshin. Mund të ndodhë që për disa masa të kemi unanimitet dhe për të tjera jo. E përsëris, fakti që Hungaria tha se nuk do t'i mbështesë masat, do t’i vështirësonte shumë vendosjen e tyre ndaj Qeverisë së Sërbisë”, thekson Ivanov.
Pyetjes se kush do të vlerësojë nëse pala sërbe ka qenë e gatshme të marrë pjesë në hetim, Ivanov thotë se beson se BE do të jetë kyçe në vlerësimin e masës në të cilën pala sërbe apo kosovare ka qenë e gatshme të marrë pjesë në hetim dhe se Beogradi dhe Prishtina ka të ngjarë të presë apo të sigurojë qasje në dokumente të caktuara ose të lejojë disa njerëz të japin deklarata.
“Megjithatë, është e diskutueshme nëse do të kemi në përgjithësi hetim objektiv pasi nuk jam e sigurt se cila palë ishte në gjendje të kryejë hetim objektiv. Edhe nëse shfaqet ai aktor neutral, nëse nuk do të jetë aktor objektiv dhe neutral që do të vlerësojë nëse palët kanë qenë të gatshme të bashkëpunojnë, kam frikë se ky do të jetë proces jofunksional. Kyçe është që BE të marrë rolin e vëzhguesit dhe drejtuesit neutral të këtij hetimi. Gjëja kryesore këtu është se kush do të udhëheq hetimin dhe nëse kjo rezolutë është miratuar për të treguar se BE po reagon disi ndaj situatës në Banjskë apo ka vërtet një plan të qartë se si do të zhvillohet hetimi dhe një plan i qartë nëse masat do të zbatohet kundër atyre që nuk kanë marrë pjesë në hetim ose kundër atyre që me me mënyra të këqija morën pjesë në incidentet në Banjskë”, përmbyll Ivanov.
Bashkëbiseduesja jonë si gjënë më kryesore në rezolutë thekson thirrjen ndaj Kosovës për të formuar Bashkësinë e Komunave Sërbe.
“Ajo që gjithashtu përmendet në Rezolutë dhe që është presioni kryesor që BE po tenton të ushtrojë ndaj Albin Kurtit, është themelimi i Bashkësisë së Komunave Sërbe dhe kjo është pika kryesore për të cilën mund të dëgjojmë kritika ndaj Albin Kurtit i cili shihet si pengesë për themelimin e BKS” thekson Ivanov.
Në Rezolutë, ndër të tjera, shprehet keqardhja që Sërbia “vazhdoi fushatën” për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, por nuk përmendet lobimi i Prishtinës për njohje të reja, ndonëse në vetë BE nuk ka unanimitet për statusin e Kosovës. Po ashtu, u bëhet thirrje autoriteteve dhe mediave sërbe që të përmbahen nga “përhapja e gënjeshtrave për “spastrim etnik” dhe “pogrome” në Kosovë, për të cilat nuk ka asnjë provë”. Në të njëjtën kohë, rreth retorikës së zyrtarëve të Prishtinës të cilët pothuajse përditë flasin për “genocide” që pretendohet se ka kryer Sërbia ku për të cilën nuk ka asnjë bazë ligjore, nuk ka fjalë të përmendur, çka shtron pyetjen e objektivitetit të rezolutës së PE.
“Përgjithësisht, qasja e BE është komplekse kur raportet mes Prishtinës dhe Beogradit janë në diskutim. BE e ka atë elefantin e madh në dhomë, faktin që jo të gjithë anëtarët e kanë njohur Kosovën, dhe më e rëndësishmja në mesin e tyre për momentin është Spanja, dhe kjo paraqet problem për BE që në fillim kur e trajton këtë çështje dhe kur paraqet disa mesazhe. Mund të vërrejmë se në situata të caktuara disa gjëra kritikohen më shumë kundër Qeverisë së Sërbisë sesa është rasti me Qeverinë e Kosovës dhe kjo mund të jetë kritikë ndaj retorikës në Beograd dhe mungesës së retorikës kritike që dëgjohet në Kosovë”, thotë Ivanov.
Në Rezolutën e PE gjithashtu i bëhet thirrje Sërbisë dhe Kosovës që të zbatojnë plotësisht me vërtetësi dhe mirëbesim, Marrëveshjen e Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe aneksin e zbatimit të saj (Marrëveshja e Ohrit) të 18 marsit 2023, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme dhe shpreh keqardhjen që Sërbia refuzoi të nënshkruajë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit.
Gjithashtu, ajo i bën thirrje Sërbisë dhe Kosovës që të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në rajon dhe në vend të kësaj, të punojnë në mënyrë aktive në zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve përmes dialogut të mundësuar prej BE.
0 komentet