Jevtiq: Incidenti në rrjedhën e ujit shkon në favor të Kurtit, jam gjithnjë e më i bindur se ishte planifikuar paraprakisht
Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dallibor Jevtiq, ka vlerësuar se situata në veri të Kosovës pas shpërthimit në rrjedhën e ujit Ibër-Lepenci është ende e tensionuar, duke theksuar se gjithnjë e më shumë po bindet se incidenti ishte planifikuar paraprakisht.
“Situata është ende e tensionuar. Për të qenë i sinqertë, ne kemi jetuar në rrethana të tilla për një kohë të gjatë, sidomos nga momenti kur Kurti erdhi në pushtet dhe filloi të zbatojë politika represive për të detyruar serbët të largohen nga Kosova. Duke marrë parasysh gjithçka që ndodhi në Zubin Potok dhe Graçanicë, gjithçka që ndodh në veri të Kosovës prek tërthorazi çdo serb në jug të Ibrit. Kurti e dinte se kjo situatë do ta ndihmonte për të arritur disa qëllime politike. Në këtë kontekst, me afrimin e zgjedhjeve të 9 shkurtit, do të jemi në situatë të incidenteve të vazhdueshme”, tha Jevtiq në televizionin “Newsmax Balkans”.
Në përgjigje të deklaratës se autoritetet e Kosovës fajësuan Serbinë për gjithçka, Jevtiq thotë se kur sheh se çfarë ndodhi pas incidentit, gjithnjë e më shumë është bindur se kjo ishte planifikuar paraprakisht.
“Ajo që Kurti dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë në Prishtinë po bëjnë është krijimi i një situate ku Beogradi dhe Serbia akuzohen për diçka që Kurti e dëshiron në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe se populli serb dhe Lista Serbe shpallen organizatë terroriste. Mënyra se si Gërvalla foli për këtë dje tregon se kjo ishte e përgatitur paraprakisht. Si ka mundësi që disa orë pas incidentit vijnë dhe akuzojnë Listën Serbe dhe serbët pa prova. Nuk ka asnjë arsye pse serbët do ta bënin këtë. Asnjë. Serbët e humbasin furnizimin me ujë dhe një situatë e tillë vetëm i sjell përfitim Kurtit. Dje keni parë forca speciale në rrugë, duke arrestuar njerëz pa prova, duke parakaluar me uniforma... Tërë atë plan e ka bërë Albin Kurti me qëllim të krijimit të krizës politike”, ka theksuar Jevtiq.
Ai mendon se është mirë që Serbia të bëjë hetimet e veta.
“Nuk duhet t’i lëmë asgjë rastësisë. Vuçiq e ka shpjeguar mirë, jam i bindur se shpejt do ta zbulojmë të vërtetën se kush qëndron pas këtij diversioni. Ne kemi nevojë për një hetim ndërkombëtar të pavarur për shkak të kontekstit që Kurti dëshiron të paraqesë në kornizën ndërkombëtare. Duhet ta ndalojmë Kurtin në realizimin e qëllimeve të tij, nëse tani nuk dihet e vërteta. Ky incident nuk do të jetë gjëja e fundit që bëri Kurti për të ngritur rejtingun e tij”, ka theksuar kryetari i Komunës së Shtërpcës.
Në pyetjen se si Serbia mund të bëjë një hetim për incidentin nëse nuk ka institucion në veri, Jevtiq thotë se është e mundur.
“Ne nuk kemi institucione në veri, por mund të merren njohuri të caktuara. Shteti i Serbisë ka për obligim që të kryejë hetimet e veta përmes prokurorisë”, theksoi ai.
I pyetur se si ndihen njerëzit që jetojnë në Kosovë, Jevtiq shtoi se një nga qëllimet e këtij incidenti është që Prishtina të akuzojë Serbinë.
“Kjo do të thotë se tani kur dikush nuk ka rrymë në Prishtinë, Sërbicë apo vende ku jetojnë shumica e shqiptarëve, njerëzit fajësojnë serbët për këtë. Kështu që tani po krijohet një qëndrim i keq ndaj serbëve, dhe kjo është ajo që Kurti dëshiron të zbatojë. Ka rrymë, në Komunën e Shtërpcës kemi pasur një ndërprerje të vogël të furnizimit për shkak të motit të keq. Mund të ketë problem me sigurimin e mjaftueshëm të energjisë elektrike në dimrin e ardhshëm, sepse në termocentralet Obilliq A dhe B, ky problem ekziston çdo vit. Kam frikë se dikush do ta shfrytëzojë këtë ngjarje për të thënë se Kosova nuk ka rrymë, jo sepse nuk janë në gjendje ta bëjnë punën e tyre, por sepse gjoja fajin e kanë serbët”, ka theksuar Jevtiq.
Kur është fjala për takimin e sotëm të Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri Kaja Kallas në Bruksel me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe më pas Kurtin, Jevtiq thotë se këto do të jenë takime të ndara.
"Dialogu është klinikisht i vdekur tani dhe ai nuk ekziston. Takimet në nivel teknik janë më tepër takime për të mbajtur atë dialog në çfarëdo mënyre. Pres nga takimi i sotëm që presidenti Vuçiq të prezantojë qartë para bashkëbiseduesve të tij në Bruksel një pasqyrë reale të asaj që ndodhi në Zubin Potok dhe t'u tregojë të gjithë anëtarëve të BE-së pozitën e vështirë të serbëve në Kosovë dhe Metohi. Nuk pres asgjë nga Prishtina përveç gënjeshtrave dhe përpjekjeve për të krijuar një histori se ajo që ndodhi në Zubin Potok është kryer nga serbët apo rusët. Do të jetë vetëm abuzim i atyre takimeve”, tha Jevtiq.
Kur u pyet nëse Kurti do të lejonte një hetim ndërkombëtar, Jevtiq theksoi se ishte e qartë se Kurti nuk kishte përgjigje për shumë pyetje.
“Kjo flet shumë për pozicionin e Kurtit. Ai do të donte të shmangte një hetim ndërkombëtar. Është thënë se përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare do të mbështesin hetimin e Prishtinës, por kjo është qasje e gabuar. Ne kemi nevojë për një hetim ndërkombëtar për të zbuluar të vërtetën”, përfundoi Jevtiq.
0 komentet