Jevtiq: Komuna e Shtërpcës është shënjestër e regjimit aktual në Prishtinë për vite me radhë

Dalibor Jevtić
Burim: Kosovo online

Me rastin e ndërhyrjes së djeshme të policisë së Kosovës në hapësirat e Ndërmarrjes së Re Publike në Shtërpcë, kryetari i asaj komune, Dalibor Jevtiq, ka bërë të ditur se sot me shkrim u është drejtuar përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare në Prishtinë. Ai theksoi nevojën që kjo çështje të zgjidhet urgjentisht për të parandaluar kërcënimet e mundshme ndaj shëndetit publik të qytetarëve të Komunës së Shtërpcës dhe të gjithë atyre që e vizitojnë këtë komunë.

Jevtiq në një postim në Facebook ka thënë se në letër ka paraqitur edhe disa fakte.

"Komuna e Shtërpcës ka paraqitur kërkesë për marrjen e licencës për një ndërmarrje publike, organet eksperte në nivel qendror kanë dhënë mendim pozitiv në grupin ndërministror për dhënien e licencës, dhe më pas dikush për arsye politike ka vendosur të mos i përgjigjet atij rekomandimi dhe kërkesës sonë. Përveç kësaj, unë gjithashtu i kam informuar përfaqësuesit ndërkombëtarë në Prishtinë për faktin se kompania rajonale “Bifurkacioni” kishte nënshkruar Marrëveshjen me Komunën në vitin 2016 që ka qenë e vlefshme deri në vitin 2024 dhe se as shkronja e as presja e asaj Marrëveshjeje nuk janë zbatuar nga kompania e përmendur. Një fakt tjetër se kompania ka paguar taksat, ka mbajtur libra të rregullt kontabiliteti dhe ka paguar kontribute për pjesën e punëtorëve brenda sistemit tatimor të Kosovës është një konfirmim se as inspektorët e tregut nuk kanë pasur të drejtë të veprojnë me urdhër politik dje. Në fund të kësaj letre kërkova reagim urgjent nga përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe sugjerova që deri në sqarimin e plotë të gjithë kësaj situate, të mundësohet funksionimi i qetë i ndërmarrjes komunale, sepse është në interes të të gjithë qytetarëve të komunës së Shtërpcës”, ka theksuar Jevtiq.

Ai po ashtu ka rikujtuar se Komuna e Shtërpcës ka vite që është cak i regjimit aktual në Prishtinë.

"Pengesat, veprimet e policisë, mbyllja e institucioneve, uzurpimi i resurseve të komunës sonë janë vetëm pjesë e agjendës politike të Kurtit dhe ndjekësve të tij. Qëndrimi im ishte që ne duhet të luftojmë, në mënyrë demokratike dhe paqësore, për të drejtat tona dhe një jetë normale. Me veprimin e djeshëm dikush ka dashur të kërcënojë shëndetin publik dhe rrjedhimisht sigurinë dhe jetën e njerëzve. Për disa e gjitha kjo është politikë, për mua është çështje jete dhe mbijetese. Prandaj, kjo letër është vetëm pjesë e luftës për drejtësi dhe të drejtën e jetës! Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga kjo”, përfundoi Jevtiq.