Komuna e Mitrovicës së Veriut: Qëllimi i vizitës së Kurtit është imponimi i vullnetit të institucioneve qendrore aty ku nuk ka legjitimitet

Opština Severna Mitrovica
Burim: Kosovo Online

Komuna e Mitrovicës së Veriut njoftoi se qëllimi i vizitës së sotme të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në këtë komunë është më se i qartë – imponimi i vullnetit të institucioneve qendrore aty ku nuk ka legjitimitet, duke theksuar se ardhja e tij ishte e pa paralajmëruar dhe e pakoordinuar me përfaqësuesit e pushtetit lokal.

“Vizita e sotme e kryeministrit Albin Kurti me disa ministra dhe me kryetarin e Mitrovicës së Jugut ishte e pa paralajmëruar dhe e pakoordinuar me përfaqësuesit legalë dhe legjitimë të Komunës së Mitrovicës së Veriut. Qëllimi i vizitës është më se i qartë – imponimi i vullnetit të institucioneve qendrore aty ku nuk ekziston legjitimitet për këtë dhe në kundërshtim me vullnetin e shumicës së qytetarëve”, thuhet në njoftimin e komunës.

Theksohet se vullneti i shumicës së qytetarëve është shprehur qartë në zgjedhjet lokale dhe parlamentare.

“Në të gjitha vizitat ka marrë pjesë edhe kryetari i Mitrovicës së Jugut, i cili nuk ka legjitimitet dhe legalitet në territorin e komunës sonë”, shtohet më tej.

Për këtë arsye kërkohet reagimi i përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare për të parandaluar, siç paralajmërohet, shuarjen e Komunës së Mitrovicës së Veriut.

“Përsëri u bëjmë thirrje përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare të reagojnë për të parandaluar veprimet e njëanshme që kanë një qëllim të qartë – shuarjen e Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe mosrespektimin e vullnetit të shumicës së qytetarëve të shprehur në mënyrë demokratike në zgjedhje. Veprime të tilla të institucioneve qendrore nuk krijojnë kushte për pajtim ndërmjet komuniteteve, përkundrazi, thellojnë mosbesimin”, përfundon njoftimi.

Në Mitrovicën e Veriut, sot në mëngjes u hap zyra e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, në prani të kryeministrit Albin Kurti, por sërish pa praninë e kryetarit Millan Radojeviq. Në hapjen e zyrës, përveç Kurtit, morën pjesë ministri përkatës Armend Muja, si dhe ministrat Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi, si dhe kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci.

Në pyetjen e mediave në gjuhën serbe pse kryetari Millan Radojeviq nuk ishte i pranishëm, Kurti u përgjigj: “duhet të dini se të gjithë duhet të kujdesen më shumë për qytetarët e zakonshëm”.

Zyra e Ministrisë së Bujqësisë është hapur në objektin ku më parë ishte e vendosur Posta e Serbisë, e cila u mbyll më 22 nëntor 2024.

Ndryshe, Kurti kishte qëndruar edhe më 8 prill në Mitrovicën e Veriut, dhe atëherë, duke iu përgjigjur pyetjes nëse gjatë vizitës e kishte ftuar kryetarin Millan Radojeviq, ai tha se “do të ketë mundësi”.