Muleshkoviq: Mali i Zi është vend i varur nga importi, pjesa më e madhe e inflacionit është e importuar

mulešković
Burim: Kosovo Online

Në normën e inflacionit në Mal të Zi ndikojnë si faktorët ndërkombëtarë, ashtu edhe ata vendorë, por një nga arsyet kryesore të rritjes së ndjeshme të çmimeve qëndron në faktin se Mali i Zi është vend i varur nga importi, thotë analisti ekonomik Mirza Muleshkoviq, duke theksuar se anëtarësimi në BE hap mundësi të mëdha për rritje dhe zhvillim ekonomik.


„Në normën e inflacionit në Mal të Zi ndikojnë faktorët ndërkombëtarë, por edhe ata vendorë, përkatësisht politikat që kanë çuar në rritjen e çmimeve. Gjatë viteve të fundit, Mali i Zi ka pasur dy herë rritje administrative të pagave, gjë që ka shtuar kërkesën dhe kostot për bizneset, duke sjellë kështu një rritje të përgjithshme të çmimeve. Gjithashtu, edhe politikat e tjera kombëtare që kanë ndikuar në rritjen e kostove të veprimtarisë ekonomike kanë çuar në shtrenjtimin e çmimeve“, tha Muleshkoviq për Kosovo online.

Ai theksoi se Mali i Zi është vend i varur nga importi, gjë që përbën një nga arsyet kryesore të rritjes kaq të ndjeshme të çmimeve.

„Pjesa më e madhe e inflacionit është e importuar, domethënë gjithçka që konsumojmë, pothuajse gjithçka që kemi në raftet e dyqaneve në Mal të Zi, vjen nga jashtë. Është fakt se të gjitha vendet, si ato të rajonit, ashtu edhe ato të BE-së, përballen me problemin e inflacionit. Prandaj, një pjesë e inflacionit, i cili këtë shtator ishte 5,2 për qind, është e importuar, ndërsa një pjesë tjetër është shkaktuar nga politikat e brendshme“, tha Muleshkoviq.

Ai vë në dukje se një problem i madh i Malit të Zi qëndron në faktin se ekonomia e vendit nuk është mjaftueshëm e diversifikuar, prandaj gjithçka që ndodh në nivel ndërkombëtar përfundimisht reflektohet edhe në këtë vend, madje me pasoja edhe më të mëdha.

Sipas parashikimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Malin e Zi, inflacioni do të jetë 3,5 për qind, ndërsa Muleshkoviq vëren se qytetarët do të thoshin se rritja e çmimeve është edhe më e lartë.


„Nëse shikojmë nëntë muajt e këtij viti, inflacioni mesatar është në nivelin 3,7 për qind, kështu që mbetet të shihet nëse vlerësimi do të korrigjohet disi në rritje. Megjithatë, ajo që mund të dëgjojmë nga qytetarët është se ata thonë se çmimet janë rritur shumë më tepër. Në supermarkete dhe në sektorin e shërbimeve shohim se ka pasur rritje të çmimeve. Tani në Mal të Zi kemi disa paralajmërime për rritje të reja të pagave, ndërsa bizneset kanë reaguar menjëherë duke paralajmëruar rritje të çmimeve“, tha bashkëbiseduesi ynë.

Ai shpjegon se çdo pasiguri në ekonomi sjell rritje të çmimeve, pasi biznesmenët nuk e dinë se çfarë i pret pas disa muajsh.

„Shpresoj se do të arrijmë ta përballojmë këtë problem, sepse inflacioni nuk është problem vetëm për qytetarët. Në një moment ai i 'konvenon' shtetit, sepse mbush buxhetin, por pas një periudhe të caktuar, ndërsa te ne kjo situatë po zgjat tashmë prej kohësh, gati katër vjet, ai shndërrohet në një armik të madh të shtetit“, paralajmëron Muleshkoviq.

Ai vë në dukje se inflacioni, nëse nuk vihet nën kontroll dhe vazhdon për një kohë të gjatë, shndërrohet në problem ekonomik, social, por edhe shtetëror, pasi rriten të gjitha kostot dhe, rrjedhimisht, shtohen edhe kërkesat nga të gjitha palët.

„Inflacioni krijon pikërisht këtë situatë – kërkesa shumë më të mëdha, ndërkohë që ekonomitë tona nuk janë rritur mjaftueshëm për të qenë në gjendje t'i financojnë të gjitha këto“, vëren ai.

I pyetur se si mund të zgjidhet ky problem, ai përgjigjet se çelësi dhe ilaçi kundër inflacionit është forcimi i prodhimit vendas në Mal të Zi, pa të cilin nuk mund të pritet stabilitet i çmimeve.


„Sikur gjatë këtyre katër viteve të kishim pasur prodhim vendas të zhvilluar në Mal të Zi, do të mund t'i kontrollonim çmimet përmes subvencioneve. Mirëpo, në këtë situatë, ne varemi kryesisht nga ajo që importojmë dhe, për rrjedhojë, nuk mund t'i kontrollojmë çmimet në masë të konsiderueshme“, shton Muleshkoviq.

Duke folur për atë që ai e quan prodhim vendas malazez, ai thekson se problemi qëndron te ekonomia e padiversifikuar, në të cilën më shumë se 30 për qind e të ardhurave vijnë nga turizmi, ndërsa, nga ana tjetër, bujqësia nuk është mjaftueshëm e zhvilluar dhe sektorët e tjerë të prodhimit pothuajse nuk ekzistojnë.

„Pikërisht këtu qëndron problemi. Sikur të kishim prodhim vendas, do të mund të ndikonim në çmime përmes politikave të ndryshme“, tha Muleshkoviq.

Ai shton se partnerët më të mëdhenj tregtarë të Malit të Zi janë pikërisht vendet e rajonit, prandaj çdo ngadalësim apo përshpejtim i aktivitetit ekonomik në rajon reflektohet edhe në ekonominë malazeze.


„Çdo çrregullim i çmimeve, veçanërisht nëse flasim për Serbinë, nga e cila importojmë më së shumti, në fund reflektohet edhe në Mal të Zi. Vendi ka bashkëpunim të shkëlqyer ekonomik me të gjitha vendet e rajonit dhe ky bashkëpunim duhet të jetë shumë më i fuqishëm. Megjithatë, në frymën e aspiratave të të gjitha vendeve për anëtarësim në BE, si një treg i përbashkët do të mund të përfitonim shumë më tepër nga tregu evropian. Mali i Zi është shumë përpara vendeve të tjera të rajonit, në vitin 2028 do të bëhet anëtar i BE-së dhe kjo është pozitive për vendin, sepse anëtarësimi në BE hap mundësi të mëdha për rritje dhe zhvillim ekonomik“, përfundoi Muleshkoviq.