Kongresmeni Kin: Komiteti i shqetësuar për mos-formimin e Bashkësisë së Komunave Sërbe

Senator Tomas Kin
Burim: Screenshot

Kryesuesi i Komitetit për Punët e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve në Uashington, kongresmeni Tomas Kin, tha sot se Komiteti është i shqetësuar që në Kosovë ende nuk është formuar Bashkësia e Komunave Sërbe.

Kin në seancën kushtuar Ballkanit Perëndimor, theksoi se SHBA prej tre dekadash përmes investimeve kanë kontribuar në progresin e rajonit drejt integrimeve euroatlantike duke shtuar se megjithatë, shqetësohet për rritjen e ndikimit rus dhe kinez, për të cilën nevojiten masa të përgjegjshme.

Ai theksoi se dy shtyllat kryesore të ruajtjes së stabilitetit të rajonit janë-normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Sërbisë dhe mbrojtja e karakterit multietnik dhe unik të B&H.

Kin theksoi se BE ka rol të rëndësishëm në stabilizimin e rajonit, por gjithashtu shtoi se përpjekjet e Unionit janë të komplikuara, për shkak të parimit të vendimmarrjes me konsensus, si dhe për faktin se pesë shtete anëtare nuk e kanë njohur Kosovën.

"Si pasojë e kësaj SHBA duhet të luajë rol udhëheqës në Ballkanin Perëndimor" theksoi Kin.

Ky i fundit nënvizoi se nuk ka çështje më të rëndësishme në rajon sesa normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës e Sërbisë.

“Protestat e dhunshme në veri të Kosovës kërcënuan stabilitetin e gjithë rajonit. Kryeministri kosovar Albin Kurti ndërmori veprime të pakoordinuara, duke vepruar në mënyrë destabilizuese. Por sjellja e dhunshme e demonstruesve sërbë ku shkaktuan lëndimin e efektivëve të KFOR, duhet dënuar ashtu sikurse roli direkt apo indirekt i Beogradit” ka theksuar Kin.

Kongresmeni nënvizoi se forcat speciale të policisë kosovare duhet të tërhiqen nga komunat me shumicë sërbe.

Ai apeloi tek qeveria amerikane që të ndikojnë që sërbët kosovarë të marrin pjesë në zgjedhjet e reja në veri të Kosovës.

Në të njëjtën kohë, shprehu shqetësimin e Komitetit për faktin se Bashkësia e Komunave Sërbe ende nuk është formuar.

“Nëse Kosova angazhohet në de-eskalim, SHBA do të ushtrojë të njëjtin presion ndaj Beogradit siç po ushtron tani mbi Prishtinën, në mënyrë që të përmbushë detyrimet e veta, veçanërisht lidhur me anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare” sqaroi Kin.

Kongresmeni shprehu keqardhjen që nuk po zbatohet Marrëveshja e Uashingtonit për Bashkëpunim Ekonomik, e cila, siç theksoi ai, mund të kishte kontribuar për përparim edhe në fushën politike.

Kin nënvizoi se Kosova është partner i rëndësishëm për SHBA por edhe se Sërbia është partner kyç në rajon.

Megjithatë, ai deklaroi se Sërbia nuk i’u bashkua sanksioneve kundër Rusisë, por shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen që i dha Ukrainës në KB dhe për pritjen e refugjatëve të shumtë ukrainas.

Ai tha se tensionet po rriten edhe në pjesë të tjera të rajonit, duke përmendur veçanërisht Millorad Dodik, duke e akuzuar për minim të Marrëveshjes së Dejtonit.

"Duhen më shumë sanksione, tani," tha kongresmeni Kin.

Për çështjen e Malit të Zi, ai tha se SHBA janë në pritje të qeverisë së re nga e cila kanë pritshmëri të mëdha, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar.