Kuvendi i Komunës së Shtërpcës e shpalli “Shtëpinë e Stojkut” objekt me interes publik
Këshilltarët e Kuvendit Komunal të Shtërpcës kanë miratuar sot vendimin për shpalljen e “Shtëpisë së Stojkut”, të cilën së fundmi Agjencia Kosovare e Privatizimit ia kishte dhënë Agjencisë Kosovare të Inteligjencës me qira, si objekt me interes publik në atë komunë.
Në vendimin e miratuar nga shumica e këshilltarëve, thuhet se objekti me interes publik me sipërfaqe 165 metra katrorë, i regjistruar në librat kadastralë, shpallet pronë shoqërore e kompanisë turistike Shara.
Nga Qeveria e Kosovës kërkohet që të tërhiqet nga procedura e privatizimit dhe dhënies me qira dhe të kthejë pronën dhe objektin në pronësi të Komunës së Shtërpcës për të arritur interesin publik dhe të ndërmarrë veprime ligjore për kthimin e kësaj prone në bashkëpunim me Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Në sqarim thuhet se Komuna e Shtërpcës, dega kryesore ekonomike e së cilës ka të bëjë me turizmin, ka për qëllim ruajtjen e traditës dhe trashëgimisë kulturore dhe se me ligj Komuna ka juridiksion të plotë dhe ekskluziv në drejtim të kujdesit për interesat lokale.
Thuhet se me ndryshimin e qëllimit të këtij objekti në muze turistik dhe në Zyrën për Turizëm dhe Zhvillim Ekonomik të Komunës së Shtërpcës, do të krijohen mundësi që vetëqeverisja lokale të kryejë aktivitete me interes të përgjithshëm.
Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dallibor Jevtiq, tha se qëllimi i këtij vendimi është mbrojtja e objektit të lartpërmendur, i cili ka rëndësi historike dhe kulturore për komunën dhe qytetarët e saj.
“Po hyjmë në procedurë që objektin ta shpallim objekt interesi publik për Komunën e Shtërpcës dhe në atë mënyrë të bëjmë hapin e parë drejt asaj që është mbrojtja e interesave të qytetarëve. Mund të flas për vendimet e fundit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila së paku ka nevojë për pëlqimin e vetëqeverisjes lokale për çdo aktivitet, gjë që nuk është kështu. Këtu është problemi i injorimit të vullnetit të qytetarëve të Komunës së Shtërpcës, sepse nëse përfaqësuesit e zgjedhur institucional nuk kanë mundësi të mbrojnë interesat e qytetarëve të komunës së Shtërpcës me mekanizmat në dispozicion, atëherë kemi një problem që kërcënon vetë kuptimin dhe aktin e demokracisë në shoqërinë tonë. Hapi tjetër do të jetë fillimi i procedurës së shpronësimit në përputhje me ligjin, që nënkupton se do të bëjmë një elaborim”, tha Jevtiq.
Ai shtoi se do të bëjnë gjithçka që është paraparë me procedurën ligjore për të mbrojtur objektin “Shtëpia e Stojkut” në malin Shar.
0 komentet